​Rritja e çmimeve, Autoriteti i Konkurrencës po heton tregun e bukës dhe gastronomisë

19 maj 2025 | 13:30

Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës (AKK) ka nisur një hetim për monitorimin e tregut vendor, pas shqetësimeve të qytetarëve dhe raportimeve në medie për rritje të çmimeve për produktet e shportës bazike: bukës, kafesë dhe produkteve të tjera. Në këtë drejtim, AKK-ja është duke zhvilluar një analizë të thelluar për mbi njëzet produkte ushqimore në tregun e Kosovës, për të identifikuar arsyet reale të rritjeve të çmimeve.

Ushtruesi i detyrës së shefit të Departamentit të Analizës dhe Metodologjisë në AKK, Adrian Mustafa ka thënë për “Kosovapress”se një vëmendje të veçantë është duke iu kushtuar sektorit të bukës dhe gastronomisë, ku çmimi i kafesë ka shënuar rritje të konsiderueshme.

Mustafa ka bërë me dije se nëse gjatë analizës identifikohen shkelje të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, AKK-ja do të ndërmarrë masa ligjore në përputhje me kompetencat që ka. “Për shkak të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe raportimeve të shumta në medie, Autoriteti ka intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregjeve ku ka shqetësime. Aktualisht është duke u zhvilluar një analizë e thelluar e mbi 20 produkteve ushqimore. Do të thotë produkteve bazë ushqimore për të analizuar edhe arsyet e ngritjes së çmimit të tyre. Gjithashtu në kuadër të shqetësimeve që i kemi pranuar, ka filluar edhe monitorimi i tregut të bukës, ku AKK-ja është në proces të mbledhjes së informatave për të vlerësuar nëse rritjet e çmimit të produkteve, në këtë rast të bukës në këtë sektor janë të arsyetuara apo në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.  Në kuadër të kësaj, përpos bukës kemi filluar me monitorimin e tregut. Është një monitorim edhe në produktin e kafes. Edhe tek kafja. E kemi pasur një shqetësim në sektorin e gastronomisë, me theks të veçantë në rritjen e çmimit të kafesë, ku është në vëzhgim prej Autoritetit. Inspektorët e Autoritetit çdo ditë janë në terren dhe po zhvillojnë në qytete të ndryshme intervista dhe po mbledhin të dhëna prej ndërmarrjeve për arsyet e ngritjes së këtyre çmimeve”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se AKK-ja nuk ka mandat për të ulur apo përcaktuar çmime, por sipas tij është përgjegjës për të ndërhyrë kur këto çmime vendosen në mënyrë të paligjshme apo të bashkërenduar.

Rritja prej 16.1 për qind e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë ka shkaktuar një valë të re të inflacionit, duke ndikuar në ngritje të çmimeve për produktet bazike të vendit.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci,…