Rritja e çmimit të bukës dhe kafes, AKK-ja intensifikon aktivitetet për monitorimin e tregut

30 prill 2025 | 17:02

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka reaguar ndaj paralajmërimeve për shtrenjtimin e bukës, kafes dhe produkteve tjera bazike.

Përmes një komunikate për medie, ky institucion ka bërë me dije se ka intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregut.

“Për shkak të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe raportimeve të shumta në media, Autoriteti ka intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregut. Aktualisht, është duke u zhvilluar një analizë e thelluar e mbi 20 produkteve bazë për të analizuar arsyet e ngritjeve të çmimeve në tregun e Kosovës. Gjithashtu, ka filluar monitorimi i tregut të bukës, dhe Autoriteti është në proces të mbledhjes së informatave për të vlerësuar nëse rritjet e fundit të çmimeve në këtë sektor janë të arsyetuara apo në kundërshtim me ligjin për konkurrencën”, është thënë në komunikatë.

Ndër të tjera, AKK-ja  ka bërë me dije se mund të ndërmarr masa ndaj ndërmarrjeve që shkelin ligjet.

“Në të njëjtën kohë, sektori i gastronomisë, me theks të veçantë në rritjen e çmimit të kafesë, është po ashtu nën vëzhgim. Inspektorët e Autoritetit janë duke zhvilluar vizita në terren në qytete të ndryshme të Kosovës, duke mbledhur të dhëna dhe informata direkte nga operatorët e tregut. Pas përfundimit të fazës së analizës dhe grumbullimit të informatave, nëse identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, në përputhje me kompetencat e tij. Gjithashtu, Autoriteti bazuar në nenin 49, mund të ndërmarrë masa të përkohshme, përmes të cilave fillon procedurën dhe merr vendim për vendosjen e këtyre masave ndaj ndërmarrjeve, kur ekziston rreziku i dëmtimit të pariparueshëm të konkurrencës në treg, veçanërisht kur veprimet e caktuara e çrregullojnë tregun. Me vendimin për masa të përkohshme, Autoriteti urdhëron ndërmarrjen të ndalojë një veprim të caktuar ose të zbatojë masa, kushte dhe afate për të eliminuar efektet e dëmshme në konkurrencën në treg. Masat e përkohshme zgjasin deri në gjashtë (6) muaj. Autoriteti mund të zgjasë kohëzgjatjen e tyre nëse kjo është e domosdoshme”, është thënë në komunikatën për medie.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Florent Hadërgjonaj karrierën do ta…