Rritje e qëndrueshme e të hyrave tatimore në katërmujorin e parë të këtij viti

07 maj 2025 | 12:55

Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur të mbledhë gjithsej 390.2 milionë euro të hyra tatimore gjatë katër muajve të parë të vitit 2025, duke shënuar një rritje të qëndrueshme prej 33.7 milionë euro apo 9.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo rritje e të hyrave tatimore është rezultat i drejtpërdrejtë i forcimit të transparencës institucionale, një komponent kyç që është vlerësuar edhe në raportet e fundit ndërkombëtare.

Në këto raporte, ATK është përmendur si një nga institucionet që ka shënuar progres të dukshëm në ndërtimin e besimit ndërmjet saj dhe tatimpaguesve.

Për më tepër, ATK-ja ka njoftuar se kjo rritje e të hyrave është e lidhur ngushtë me uljen e evazionit tatimor. Çdo përmirësim në mbledhjen e të hyrave ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e përmbushjes vullnetare dhe në reduktimin e ekonomisë joformale – një nga sfidat kryesore të sistemit tatimor.

Në këtë drejtim, ATK vazhdon të fokusohet në përmirësimin e vazhdueshëm të procedurave tatimore, duke e konsideruar këtë si mjetin më të fuqishëm për të rritur përmbushjen e detyrimeve dhe për të forcuar partneritetin me qytetarët dhe bizneset.

“Reformat në proceset operative, investimi në teknologji dhe digjitalizimi i shërbimeve tatimore kanë krijuar kushte më të avancuara për deklarimin dhe pagesën e tatimeve, duke e bërë sistemin më të drejtë, më efikas dhe më të qasshëm për të gjithë. Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e përkushtuar që trendet pozitive të performancës tatimore të kontribuojnë në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe ofrim të shërbimeve më cilësore për tatimpaguesit e Republikës së Kosovës”, ka njoftuar ATK-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, së bashku me bashkëpunëtorë ka…