Rrjedh afati për formimin e Qeverisë, Hoti thotë se LV-ja dy herë e mori mandatin pa asnjë bazë

12 nëntor 2025 | 13:42

Pas dështimit të formimit të qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje (LV) ndryshoi mandatarin, duke zëvendësuar Albin Kurtin me Glauk Konjufcën.

Më 4 tetor, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka dhënë mandatarin për formimin e qeverisë së re kandidatit të propozuar nga LV-ja, Glauk Konjufcës.

Ndërkohë që afati për formimin e qeverisë ka nisur të rrjedhë, nga LV-ja nuk ka pasur ende asnjë deklaratë nëse kanë arritur të krijojnë shumicën për të votuar Konjufcën si kryeministër.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, shprehet skeptik sa i përket formimit të Qeverisë nga LV-ja.

Për Telegrafin, ai ka deklaruar se që nga muaji prill është ditur se nuk po mund të formohet shumica. “Nuk shoh asnjë mundësi për formimin e qeverisë. Këta e dinë edhe këta që dy herë e morën mandatin pa asnjë bazë. Nga prilli dhe maji është ditur se nuk po mund të formohet shumica. Pavarësisht kësaj, e mbajtën vendin në bllokadë duke mos hapur mundësinë për të shkuar në zgjedhje”, deklaroi ai.

Po ashtu, as nga PDK-ja dhe nga AAK-ja nuk ka pasur ndonjë përgjigje se si do të jetë qëndrimi i tyre rreth formimit të Qeverisë.

Ndërsa, mandatari për kryeministër të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk e di saktë se sa i ka gjasat për t’u bërë kryeministër.

Ai ka deklaruar se nëse Kosova do të ketë një qeveri të re apo do të shkohet në zgjedhje të parakohshme, nuk varet tërësisht nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi nevojiten edhe votat e partive të ish-opozitës.

“Ne e kemi në dorë për me propozuar mandatarin e dytë, me këtë rast unë u propozova ku edhe presidentja më mandatoi si kandidat. Kabineti im dhe unë si kryeministër do të dalim në seancë kur ne do të vendosim ditën e saktë. A do të votohem apo jo, më së shumti në dorë e kanë deputetët e partive të tjera. Ju e dini se deri tani në këtë kompozicion tonë të numrave të mazhorancës nuk kanë qenë më shumë sesa 56-57”, tha ai.

Para disa ditësh, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se për vendin është më mirë të votohet Qeveria.

“Meqenëse nuk i mora 61 votat e nevojshme, dhamë propozimin (Glauk Konjufcën mandatar për formimin e Qeverisë) pa vonesë, me këtë do të merremi menjëherë pas balotazhit, dhe opozita e ka në dorë ta zgjedh rrugën e mëtutjeshme, ose Kurti 2.5 drejt zgjedhjeve në dhjetor, ose Konjufca 1 drejt zgjedhjeve në prill, cilado prej tyre për neve është e pranueshme, por le të bashkëpunojmë e të ecim përpara”, ka pohuar Kurti.

Që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, më 9 shkurt, vendi ka mbetur pa formimin e institucioneve të reja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I fundit nga trupi gjykues që i parashtroi pyetje Hillit…