Rruga politike e Serbisë pas një viti protestash antiqeveritare

02 nëntor 2025 | 10:02

Zgjedhje të parakohshme.

Kjo është kërkesa e mijëra protestuesve antiqeveritarë që demonstrojnë në rrugët e Serbisë. Pushteti lë hapësirë për zgjedhje para afatit, por refuzon t’i shpallë ato.

Kjo është pamja politike e Serbisë, një vit pas fillimit të protestave më masive në historinë e saj të re.

Historiani Dragan Popoviq e përshkruan atmosferën si “referendum”.

Në njërën anë është pushteti, i mishëruar në liderin populist Aleksandar Vuçiq, ndërsa përballë tij janë forcat antiqeveritare, të udhëhequra nga lëvizja protestuese studentore.

Tensionet janë shtuar, dhe pushteti, siç thekson Popoviq, i është përgjigjur protestave me represion ndaj protesutesve.

“Pamja e Serbisë sot është pamja e një shoqërie të shkatërruar, e institucioneve të shkatërruara dhe e një sistemi politik të rrënuar”, vlerëson ai për Radion Evropa e Lirë (REL).

Serbinë si “shoqëri të polarizuar” e përshkruan edhe Parlamenti Evropian.

Në një rezolutë të PE-së, udhëheqja shtetërore e Serbisë konsiderohet përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike.

Qytetarët, të udhëhequr nga studentët, nuk heqin dorë nga protestat.

“Veprimi politik nuk është më çështje e elitës politike, por e të gjithë njerëzve. Kam përshtypjen se protestat janë bërë popullore, se njerëzit duan të identifikohen me lëvizjen”, thekson për Radion Evropa e Lirë, studentja Isidora Majkiq nga Fakulteti i Matematikës në Beograd.

“Goditje e rëndë për regjimin”

Pas një viti protestash, skena politike mbetet e paqartë.

Përveç datës së zgjedhjeve, nuk dihet as kush do të marrë pjesë në to, e as rezultati nuk është i parashikueshëm – ndryshe nga disa cikle të mëparshme zgjedhore.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, Partia Progresive Serbe (SNS) dhe aleatët e tij kanë udhëhequr me shtetin për 13 vjet.

Ndërsa Vuçiq dhe SNS-ja kanë forcuar pushtetin, Serbia, sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, ka rënë në renditjet që matin situatën e të drejtave të njeriut, të lirive dhe nivelin e korrupsionit.

Pikërisht akuzat për korrupsion sistematik janë në qendër të protestave, të cilat shpërthyen pas rrëzimit të një strehe prej betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona dhe një u plagos rëndë.

“Kjo ka qenë një goditje për regjimin nga e cila vështirë se mund të rikuperohet – vetëm mbetet të shihet sa do të zgjasë rënia”, thotë Popoviq.

Vuçiqin ai e përshkruan si “një lider autoritar që mbyt proceset demokratike”.

Organizata ndërkombëtare Freedom House jep vlerësime disi më të buta, por e rendit Serbinë në mesin e vendeve pjesërisht të lira.

Sipas indeksit të kësaj organizate, Serbia në vitin 2025 ka shënuar rënie më të madhe nga të gjitha vendet evropiane, sa i përket lirive.

Nga Presidenca, Qeveria e Serbisë dhe SNS-ja nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it lidhur me zgjedhjet e parakohshme dhe akuzat për represion e rrënim të demokracisë.

“Kërkesat e protestave përmbushen me pikatore”

Këto nuk janë protestat e para që kanë tronditur regjimin e Vuçiqit.

Por, janë më të mëdhatë dhe më jetëgjatat deri më tani.

“Nuk do të thosha që rrëzimi i çatisë ishte pika që e mbushi kupën, por ne u përfshimë në momentin kur ndjemë se ishim të aftë të vepronim drejtpërdrejt”, thotë studentja Anja Despotoviq, që studion në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Beograd.

Valët e bllokadave studentore nisën në Fakultetin e Arteve Dramatike, ku studentët dhe profesorët u sulmuan teksa po nderonin viktimat e tragjedisë së Novi Sadit.

Protesta u përhap si një ortek në pothuajse të gjitha universitetet publike në Serbi.

Nga fakultetet e bllokuara, studentët dolën në rrugë, ku u bashkuan me qytetarë të pakënaqur.

Ata paraqitën kërkesa për publikimin e dokumenteve që do të ndriçonin shkaqet e aksidentit dhe mundësinë që ngjarja të kishte të bënte me korrupsion.

Rikonstruksioni i stacionit hekurudhor ishte pjesë e një projekti kyç shtetëror – hekurudha e shpejtë nga Beogradi deri në kufirin me Hungarinë, ku kompanitë kineze kishin rolin kryesor.

Studentët refuzuan t’i drejtoheshin presidentit serb Vuçiq, duke i thënë se “nuk është kompetent”.

“Ne u përpoqëm të mos biem në narrativat e politikanëve të tjerë, sepse ne nuk jemi politikanë”, thekson Anja Despotoviq.

Vuçiç, megjithatë, u përgjigj.

Në fillim të vitit ai pretendoi se kërkesat ishin plotësuar, duke i ftuar studentët të ktheheshin në mësim.

Studentët i përgjigjën se kërkesat e tyre nuk ishin përmbushur.

“I kanë përmbushur me pikatore, aq sa u ka leverdisur dhe sa nuk i rrezikonte. Ishte një shfaqje për publikun”, thotë Anja Despotoviq.

“Ne si lëvizje në një moment u pjekëm politikisht për të thënë nuk do t’i përmbushin kërkesat. Sepse nuk mund t’i përmbushin dhe të qëndrojnë në pushtet njëkohësisht,” shton Isidora Majkiq.

Që nga maji, përveç kërkesës për përgjegjësi penale për aksidentin që nxiti protestat, demonstruesit kërkojnë edhe përgjegjësi politike: dorëheqje dhe shpallje zgjedhjesh.

“Vuçiq, largohu” është bërë një nga parullat më të zakonshme në rrugë.

Ndërkohë, Vuçiq i quan demonstruesit “bllokues”, duke theksuar se “rruga nuk do ta qeverisë Serbinë”.

Në rrugë janë shfaqur mbledhje spontane qytetarësh, pa simbole partiake, që bëjnë thirrje për protesta në komunitetet lokale.

Vetëm nga shkurti deri në fund të shtatorit 2025, në Serbi janë mbajtur më shumë se 10.700 tubime në mbi 630 vendbanime.

Fyerje, shënjestrime, teori konspirative

I gjendur përballë protestave masive, Vuçiq në fillim i minimizoi përmasat dhe rëndësinë e tyre.

Ai këmbënguli se nuk kishte krizë shoqërore apo politike.

Megjithatë, nën presionin e protestave, në fillim të vitit ra Qeveria.

Kabineti i ri, i udhëhequr nga mjeku Gjuro Macut, që deri atëherë nuk kishte qenë funksionar partiak, mori detyrën në prill.

Edhe pse pushteti e paraqiti Macutin si “njeri të dialogut”, dialog me forcat antiqeveritare nuk pati.

“Tensionin dhe ndarjet e krijon vetë pushteti, me Vuçiqin në krye. Sepse atyre u leverdis të na paraqesin si faktor trazirash, si ‘element antishtetëror’, ‘terroristë’, ‘bllokues’”, thotë Isidora.

Për ta diskredituar lëvizjen protestuese, përfaqësues të pushtetit në Serbi përhapën narrativin se bëhej fjalë për një “revolucion me ngjyra” të dirigjuar nga Perëndimi.

Brukseli e demantoi ashpër këtë pretendim.

Nga tabloidët proqeveritarë po publikohen teori konspirative, pa asnjë provë, për rrëzimin e strehës – për shembull, duke thënë se ajo ngjarje ishte një akt terrorist.

Këtë insinuatë e ka hedhur poshtë Prokuroria e Lartë në Novi Sad, e cila në korrik deklaroi qartë se rrëzimi i strehës nuk ishte pasojë e terrorizmit.

“Pushteti po e humb kontrollin”

Gjatë një viti protestash, në publik janë shfaqur shumë rrëfime të qytetarëve që thonë se janë pushuar nga puna në sektorin publik për shkak të mbështetjes së dhënë për studentët.

Presioni është veçanërisht i dukshëm në arsim, ku qindra profesorëve që kishin pezulluar mësimin në shenjë proteste nuk u janë rinovuar kontratat. Mësuesve u janë ulur pagat gjatë vitit të kaluar shkollor.

Pushteti në Serbi mohon se bëhet fjalë për hakmarrje apo frikësim.

Edhe pse në muajt e parë të protestave policia nuk ishte e pranishme në rrugë, pas tubimit më të madh studentor më 15 mars, u shfaqën kordonët policorë të pajisur me mjete për shpërndarje të protestuesve.

Vera në Serbi u karakterizua nga përleshje të shpeshta midis policisë dhe protestuesve antiqeveritarë.

Demonstruesit akuzojnë policinë për represion – dhunë, gaz lotsjellës, kërcënime dhe arrestime – ndërsa policia e mohon këtë, duke thënë se “vepron sipas ligjit”.

Ka pasur përplasje edhe midis përkrahësve të pushtetit dhe protestuesve antiqeveritarë.

SNS-ja ka nisur kundërmitingje, të quajtura “tubime kundër bllokadave”.

“Pushteti ka filluar ta humbë fillin, ta humbë kontrollin, sepse nuk ka përgjigje të qartë ndaj valës së protestave dhe rezistencës që po shfaq shoqëria. Prandaj po provon gjithçka nga ulja e çmimeve të produkteve bazë deri te policia që hyn në fakultete”, vlerëson Dragan Popoviq.

Si funksionon lëvizja studentore?

Lëvizja studentore, e cila fillimisht nisi si apolitike, me kalimin e kohës ka bërë një kthesë të dukshme.

“Studentët e kanë kuptuar se ajo që po bëjnë është politikë. Por, më duket se ende duhet të përkufizojnë më qartë pozicionin e tyre dhe mënyrën e veprimit”, thotë historiani Dragan Popoviq.

Ajo nisi si një lëvizje pa liderë, ku vendimet merreshin me demokraci të drejtpërdrejtë, nëpër plenume, ku të gjithë studentët kishin të drejtë vote.

Vëmendjen e tërhoqi edhe mënyra e tyre e komunikimit me qytetarët, përmes rrjeteve sociale, por edhe gjatë organizimit të protestave.

“Ne ia dolëm të çajmë errësirën mediatike, fillimisht mes të rinjve, sepse brezi ynë është rritur me rrjete sociale, dhe për ne është normale të shprehemi aty. Pushteti nuk e kupton plotësisht mënyrën si funksionojmë ne dhe kjo është përparësia jonë”, thotë studentja Isidora nga Fakulteti i Matematikës.

Studentët protestues kanë paralajmëruar edhe listën e tyre zgjedhore, ndërsa kandidatët janë përzgjedhur nga plenumi.

“Por, studentët nuk do të hyjnë në parlament, ne nuk do të jemi deputetë. Plenumet tona kanë zgjedhur njerëz me kredibilitet”, thekson Isidora.

Edhe pse kandidatët janë përzgjedhur, emrat e tyre nuk do të publikohen deri në momentin e shpalljes së zgjedhjeve, sipas studentëve protestues.

Për t’u përfshirë në listën studentore, siç theksohet, kandidatët kanë kaluar kritere të rrepta.

“Nuk janë vetëm kritere negative – që nuk mund të jenë njerëz që kanë qenë pjesë e regjimit apo funksionarë të opozitës – por, edhe kritere pozitive. Kemi kërkuar ekspertizë në fusha përkatëse dhe mbështetje nga ata që kanë qenë me ne gjatë gjithë kësaj periudhe”, shton Anja, studente në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.

Ndërkohë, po shkruhet edhe programi i listës të lëvizjes studentore.

Që nga themelimi, lëvizja studentore në Serbi ka qenë ideologjikisht e paqartë.

“Ne jemi një grup heterogjen, pasqyrë e shoqërisë prej nga vijmë. Midis nesh ka dallime [ideologjike], por ato nuk na kanë penguar të bashkëpunojmë, i kemi lënë mënjanë qëndrimet që do të na ndanin”, shpjegon Anja.

Në qendër të programit janë kërkesat kundër korrupsionit dhe ndërtimi i institucioneve demokratike.

Ajo që veçohet në deklaratat e studentëve protestues është respektimi i ligjit dhe Kushtetutës, sipas së cilës, Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh – një prej çështjeve kryesore që rëndon edhe integrimin evropian të Serbisë.

“Ne kemi një pushtet për të cilin prej 13 vjetësh nuk dimë cila është politika e jashtme apo modeli ideologjik, sepse thonë një gjë dhe bëjnë tjetrën, duke luajtur në dy anë. Nëse kjo ka qenë e mundur për 13 vjet, pse tani, kur kaq shumë njerëz janë zgjuar dhe është e qartë që regjimi po vepron kundër qytetarëve të vet, të ndahemi?”, pyet studentja Isidora nga Fakulteti i Matematikës.

 “Ofensiva diplomatike” e pushtetit në Serbi

Rruga strategjike zyrtare e Serbisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, pushteti serb nuk heq dorë nga partnerët në Lindje – Kina dhe Rusia – dhe refuzon të vendosë sanksione ndaj Kremlinit, kërkesë kjo e Brukselit.

Zyrtarët rusë, me Vladimir Putinin në krye, gjatë muajve të protestave i kanë dhënë mbështetje regjimit të Vuçiqit, duke ushqyer narrativin për një “revolucion me ngjyra”.

Sipas sondazhit të Eurobarometrit të shtatorit të këtij viti, vetëm 33 për qind e qytetarëve do të votonin për anëtarësimin e Serbisë në BE – niveli më i ulët i mbështetjes në mesin e vendeve kandidate.

Qytetarët serbë kanë besimin më të madh te Rusia dhe Kina, ndërsa BE-ja, me 38 për qind mbështetje, renditet e treta.

Rritjen e ndjenjave antievropiane në Serbi, Dragan Popoviq e shpjegon me valën globale të rikthimit të nacionalizmit dhe forcimin e ideve konservatore.

“Por, nuk është vetëm kjo që përcakton raportin ndaj BE-së. Ka shumë të bëjë edhe me historinë e Serbisë me Perëndimin, e cila ka qenë shumë e trazuar, përfshirë edhe vitet ‘90. Është një trashëgimi me të cilën duhet të punojmë me kujdes”, shton ai.

Ai thekson gjithashtu se një pjesë e qytetarëve që sot janë në rrugë janë të zhgënjyer nga qëndrimi i Brukselit ndaj pushtetit në Beograd, sepse “kanë mbyllur sytë ndaj rrënimit të demokracisë”.

“Do të ishte mirë që edhe BE-ja të nxirrte mësime për të ardhmen. Të pyesë veten: pse një pjesë e njerëzve që po luftojnë për vlerat klasike evropiane, për liri, demokraci dhe një shoqëri pa korrupsion, nuk duan të qëndrojnë nën flamurin e saj”, thekson Popoviq.

Në fillim të protestave, Bashkimi Evropian mbajti një qëndrim të përmbajtur, duke bërë thirrje për ulje tensionesh dhe respektim të të drejtave civile për tubime paqësore dhe liri të shprehjes.

Në muajt e fundit, nga BE po dëgjohen tone më të ashpra.

Rezoluta e Parlamentit Evropian dënoi valën e dhunës “të sponsorizuar nga shteti”.

Presidenti serb Vuçiq iu përgjigj mesazheve të Brukselit me një ton të ashpër, madje edhe me ofendime, duke i quajtur eurodeputetët “plehra që kanë ardhur për ta rrënuar vendin”.

Vuçiq dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërkohë, kanë ndërmarrë një “ofensivë diplomatike”, me takime të shpeshta jashtë Serbisë.

“Kjo që janë shpërndarë në të gjitha drejtimet, që po flasin me të gjithë, mendoj se është përpjekje për të zvogëluar dëmin dhe për të mos humbur mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka mbyllur sytë për shumë gjëra në emër të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, vlerëson Popoviq.

Ai shton se nuk pritet që bashkësia ndërkombëtare të ndërpresë kontaktet me pushtetin aktual, por “është e diskutueshme cilësia e atyre bisedimeve”.

Kur do të mbahen zgjedhjet?

Pas një viti protestash, përgjigjen për këtë pyetje e ka vetëm presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Si periudhë zgjedhore, Vuçiq paralajmëron vitin 2026, çka do të shkurtonte mandatin e Qeverisë aktuale për një vit.

Herën e fundit, qytetarët e Serbisë votuan në dhjetor 2023, dhe procesi zgjedhor u shoqërua me akuza të opozitës dhe vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë ndaj pushtetit.

Partia Progresive Serbe i hodhi poshtë akuzat për manipulim zgjedhor.

Në kulmin e krizës politike aktuale, Brukseli i bën thirrje Serbisë për reformimin e legjislacionit, që do të mundësonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në nderim të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste,…