Rubio bën thirrje për negociata midis ShBA-së dhe Iranit

22 qershor 2025 | 17:48

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të nisin menjëherë negociata direkte me Iranin, në vijim të sulmeve ushtarake të ndërmarra të shtunën ndaj objektivave iraniane.

“Ne jemi të përgatitur të flasim me ta që nesër,” tha Rubio në një intervistë për “Fox News”, duke theksuar se Irani mund të ketë një program civil bërthamor, por jo të pasurojë uranium.

“Regjimi iranian duhet të kuptojë se nëse dëshiron me të vërtetë energji bërthamore për qëllime civile, ekziston një mënyrë për ta realizuar këtë. Kjo ofertë është ende në tavolinë”, deklaroi Rubio.

Rubio tha se emisari amerikan Steve Witkoff ka udhëtuar gjerësisht në përpjekje për të arritur një marrëveshje me Iranin, por sipas tij, autoritetet iraniane “vazhdojnë të luajnë lojëra”.

“Irani u përpoq të mashtrojë në procesin e negociatave, ndaj presidenti u detyrua të veprojë në përgjigje të kësaj sjelljeje”, tha Rubio.

Ai theksoi se Irani kishte refuzuar ofertat amerikane, nuk kishte dhënë asnjë përgjigje dhe ishte zhdukur për dhjetë ditë përpara ndërhyrjes ushtarake.

Megjithëse Irani komunikon me ndërmjetës ndërkombëtarë, Rubio theksoi se Teherani refuzon të flasë drejtpërdrejt me Shtetet e Bashkuara.

“Ata duan të na dërgojnë mesazhe dhe letra sikur jemi në klasën e tretë. Ne nuk e pranojmë më këtë. Duam negociata të drejtpërdrejta për të diskutuar një zgjidhje paqësore të kësaj çështjeje”, tha Rubio, duke shtuar se vendet evropiane e kanë shtyrë Iranin drejt bisedimeve dhe ai u shpreh mirënjohës për këtë presion diplomatik.

Rubio theksoi se Irani ka përpara një vendim të thjeshtë:

“Nëse e duan energjinë bërthamore për prodhimin e energjisë elektrike, ka shumë vende në botë që e bëjnë këtë pa pasuruar vetë uraniumin. Irani mund ta ndjekë të njëjtën rrugë,” tha ai.

Megjithatë, Teherani ka refuzuar idenë e një programi bërthamor pa pasur mundësinë e pasurimit të uraniumit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas bombardimeve të realizuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës…