Rumunët votojnë për Parlament të ri

01 dhjetor 2024 | 11:13

Qytetarët e Rumanisë do të kthehet sot në qendrat e votimit për ta zgjedhur Parlamentin e ri të vendit, në një kohë mosmarrëveshjes për zgjedhjet presidenciale të javës së kaluar, në të cilat një kandidat prorus i ekstremit të djathtë e fitoi rundin e parë befasisht.

Kandidatët e ekstremit të djathtë, të cilët patën paraqitje shumë të mirë edhe në zgjedhjet presidenciale, pritet të shënojnë rritje në zgjedhjet parlamentare të së dielës, shkruan Rel.

Më shumë se 10.000 kandidatë po garojnë për të zënë ulëse në parlamentin dydhomësh: 329 vende në Dhomën e Deputetëve dhe 136 në Senat.

Një sondazh para zgjedhjeve tregoi se Aleanca për Unitetin e Rumunëve (AUR), një parti e ekstremit të djathtë dhe ultranacionaliste, kryesonte me 22.4 për qind, duke lënë mbrapa Partinë Social-Demokrate në pushtet, që kishte 21.4 për qind.

AUR ka marrë qëndrime anti-perëndimore, duke vënë në pikëpyetje anëtarësimin e Rumanisë në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe ka promovuar retorikë ksenofobike dhe konspirative.

Nën udhëheqjen e presidentit në largim, Klaus Iohannis, Rumania ka qenë mbështetëse e fuqishme e NATO-s dhe e fqinjit të vet, Ukrainës, në luftën kundër pushtimit rus.

Fitorja e AUR mund ta rrezikojë mbështetjen e Rumanisë për Ukrainën, thonë analistët.

Ndërkohë, Bashkimi për Shpëtimin e Rumanisë, një parti e qendrës së djathtë, ka një mbështetje prej rreth 17.5 për qind, sipas sondazheve. Kandidatja e saj për presidente, Elena Lasconi, do të përballet me kandidatin prorus dhe të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, në rundin e dytë të zgjedhjeve, më 8 dhjetor.

Partia Liberale – një partner i vogël në koalicionin qeverisës – ishte renditur me 13.4 për qind.

Nëse asnjë parti nuk fiton shumicën e vendeve, do të pasojnë bisedime për koalicion. Partia që fiton shumicën e votave ka të ngjarë ta propozojë kandidatin për kryeministër.

Përveç ndarjes midis Lindjes dhe Perëndimit, rumunët kanë shprehur shqetësime edhe për ekonominë e dobët të vendit dhe korrupsionin e përhapur.

Votimi filloi më 30 nëntor mes diasporës rumune, e cila mund të jetë vendimtare në zgjedhjet parlamentare – megjithëse nuk ka qenë fillimisht e qartë se cilat parti do t’i favorizonte.

Moldavia është gjithashtu hapësirë e rëndësishme votimi për zgjedhjet rumune. Pjesa më e madhe e Moldavisë ishte pjesë e Rumanisë deri në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe shumë moldavë kanë shtetësi rumune.

Ekspertët kanë paralajmëruar për kujdes ndaj shifrave të sondazheve para zgjedhjeve, duke përmendur fitoren e papritur të Georgescut në rundin e parë të votimit presidencial më 24 nëntor.

Lasconi, kryetare bashkie nga një qytet i vogël dhe mbështetëse e fortë e aleancave të Rumanisë me NATO-n dhe BE-në, doli e dyta në atë votim, duke mposhtur me vështirësi kryeministrin e majtë, Marcel Ciolacu.

Komisioni Qendror Zgjedhor i Rumanisë e ka filluar të premten rinumërimin e të gjitha votave të hedhura në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, pas akuzave se Georgescu e përdori TikTok-un jashtëligjshëm për t’i dhënë hov fushatës së tij.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë tme dije se…