
Rusia dhe siguria globale
Shkruan: Hisen Berisha
(Pse rihapja e Bagram është e domosdoshme për paqen dhe stabilitetin botëror)
Jemi në një periudhë kur siguria globale është më e brishtë se kurrë, prandaj është thelbësore të kuptojmë se çdo vend ka përgjegjësi për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Qëndrimet dhe veprimet e Presidentit Trump dhe administrates amerikane janë të një rëndësie gjeostrategjike dhe gjeopolitike; letra vendeve të NATO dhe BE, kthimi i bazës Bagram, rekomandimi NATO që të godas avionët rus, deklarimi i FA të SHBA si supërfuqi botërore, që mbështesin NATOn, etj.
Në këtë kontekst, ditë më parë vendimi i Presidentit Trump për rikthimin e bazës ajrore të Bagram në Afganistan, nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, është një hap i domosdoshëm për të forcuar sigurinë globale dhe për të kundërshtuar ndikimet destabilizuese të Rusisë.
Çështjet e sigurisë globale dhe luftës në Ukrainë dominuan agjendën sesionit të fundit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku
Liderë nga e gjithë bota paralajmëruan se agresioni rus dhe mbështetja e hapur e Moskës për regjime autoritare në rajone të ndryshme, nga Ballkani e deri në Lindjen e Mesme, po e minojnë arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare.
Një mesazh i fortë ka dhënë Presidenti Trump, i cili ditë më parë ua dërgoi një letër vendeve të BE-së dhe NATO-s, duke kërkuar rritje të përgjegjësisë së tyre në raport me mbrojtjen kolektive.
Sipas Doktrinës Trump si bosht i politikës së jashtme amerikane, NATO nuk mund të kufizohet vetëm në retorikën e anëtarëve evropian, por duhet të veprojë konkretisht ndaj kërcënimeve ruse. Madje, ai lëshoi edhe një “bombë politike” duke propozuar që NATO të përgatitet për të goditur avionët luftarakë rusë në rast të kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj hapësirës euro-atlantike.
Ndër të tjera, deklarata e Presidentit Trump se “NATO-n e mbron Amerika”, është mesazh goditës për Rusinë, por njëkohësisht edhe një sinjal i fuqishëm për sigurinë dhe përpjekjet për paqe në botë. Me këtë qëndrim ai e përmbyll në praktikë “Reformën Rumsfeld” të propozuar vite më parë për riformatimin e arkitekturës së sigurisë globale, duke e fuqizuar NATO-n si garant të paqes në kontinentin e vjetër dhe duke e rikthyer ushtrinë amerikane si superfuqinë e pakontestueshme botërore. Megjithatë, përkundër Ushtrimeve Shumëkombëshe “Defrnder Europe” që testuan aftësitë për sigurimin, zhvillimin dhe shpërndarjen e informacionit, rrjedhja e të dhënave lidhur me takimin e Dahos në Katar – ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të disa vendeve aleate, të cilat më vonë dolën me qëndrime shfajsuese – ngriti dyshime serioze se udhëheqësit e Hamasit mund të jenë ndihmuar të shmangnin eliminimin. Një sjellje e tillë nxjerr në pah dilema të thella strategjike dhe interesat e fshehura të disa shteteve që vrapuan të njohin Palestinën, përtej çdo arsyetimi humanitar.
Trump i nxori kokën doktrinës së tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke kërkuar që aleatët evropianë të ndalin menjëherë blerjen e naftës nga Rusia dhe duke akuzuar Kinën e Indinë se, përmes importeve të produkteve energjetike, po financojnë makinerinë luftarake të Moskës. Sipas tij, edhe vetë vendet evropiane, përmes varësisë së tyre energjetike, po e mbajnë gjallë fuqinë ekonomike e njëkohësisht edhe ushtarake të Rusisë. Ky është një ilustrim i qartë i asaj që në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare njihet si ‘asimetri varësie’, ku ekonomia bëhet instrument i politikës së fuqisë. “Pa një veprim të bashkërenduar edhe nga Evropa, të gjithë po humbasim shumë kohë. Evropa duhet të bëjë më shumë”, porositi preras Presidentit Trump.
Kjo është strategjia që kam deklaruar në ditën e parë të sulmit rus, se “Ukraina do të bëhet varri i Rusisë”, përmes shterjes së resurseve të saj. Vetëm kostoja financiare e drejtpërdrejtë ushtarake e Kremlinit llogaritet afër 200 miliardë dollarë në vit, ndërsa humbjet nga rënia e eksporteve të gazit dhe produkteve energjetike kapin shifrën afër 450 miliardë dollarësh në vit. Rusia mban aktive rreth 1.320.000 trupa, mbi 250.000 paramilitarë, rreth 2.050.000 rezervistë, dhe detyrohet të rekrutojë çdo vit mbi 1.267.000 të rinj për të ruajtur kapacitetet e saj ushtarake. Kjo do të thotë se pothuajse gjithë fuqia kombëtare bruto e vendit është e orientuar drejt ekonomisë së luftës, një mirazh i fuqis ekonomike që në realitet e shtyn Rusinë drejt kolapsit shtetëror.
Siguria e Shteteve të Bashkuara është e lidhur ngushtë me sigurinë globale. Nëse cilido vend a rajon është i pasigurt, kjo ndikon në të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse SHBA-të kanë ndërmarrë hapa për të forcuar praninë e tyre ushtarake në rajone strategjike, siç është rasti në Afganistan, për të parandaluar kërcënimet e mundshme dhe për të mbrojtur interesat e veta dhe të aleatëve të saj.
Rusia ka një histori të gjatë ndërhyrjesh në shtetet e tjera, duke stimuluar regjime diktatoriale dhe duke krijuar kushte për dhunë dhe varfëri. Nga Ukraina në Siri, nga Afrika në Ballkan, ndikimi rus ka sjellë pasiguri dhe ka minuar demokracinë. Në çdo vend ku Rusia ka vënë dorën, ka pasur pasoja negative për popullin dhe për sigurinë globale.
Baza ajrore e Bagram ka qenë një pikë kyçe për operacionet ushtarake të SHBA në Afganistan, dhe për faktin e pozicionit gjeostrategjik është një pikë kyçe për Sigurinë Globale. Rikthimi i saj nën kontrollin amerikan do të forconte praninë e SHBA në rajon dhe do të mundësonte një përgjigje më të shpejtë ndaj kërcënimeve të mundshme në rajon e indo-paqësor.
Për më tepër, kjo do të ndihmonte në mbështetje të forcave të sigurisë afgane dhe në luftën kundër grupeve dhe organizatave të ndryshme terroriste.
Në një botë të ndikuar nga tensione dhe pasiguri, janë të domosdoshme aleancat dhe traktatet mes shteteve që të bashkërendojnë veprimet ushtarake e politike për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. Rikthimi i bazës së Bagram është një hap në këtë drejtim, duke siguruar një prani të fortë të SHBA në rajon dhe duke kundërshtuar ndikimet destabilizuese të Rusisë, Kinës etj.
Në këtë kontekst, rihapja e saj nuk përbën vetëm një vendim operacional-ushtarak, por një instrument strategjik-diplomatik me implikime të drejtpërdrejta për arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare. Ky hap reflekton qartë nevojën për një koordinim transatlantik të fuqishëm, ku roli i SHBA dhe angazhimi i aleatëve evropianë janë thelbësorë për parandalimin e agresionit, ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe garantimin e rendit global. Vendimmarrja e tillë nënvizon se fuqia ushtarake duhet të kombinohet me strategji diplomatike të qarta dhe përgjegjësi kolektive, duke siguruar që kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare të neutralizohen në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme.