Rusia nis një nga sulmet më të mëdha ajrore ndaj Ukrainës

21 korrik 2025 | 13:08

Rusia nisi një nga sulmet e saj më të mëdha ajrore ndaj Ukrainës në muajt e fundit, vetëm disa orë para se Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania të kryesojnë një takim për të diskutuar planet e presidentit të ShBA-së, Donald Trump, që aleatët e NATO-s t’i furnizojnë Ukrainës me armë.

Sulmi vrau dy persona dhe plagosi 15 të tjerë, përfshirë një 12-vjeçar, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në lagjen Shevchenkivskyi të Kievit, një dron goditi hyrjen e një stacioni metroje ku njerëzit ishin strehuar. Videot e postuara në mediat sociale treguan platformën e stacionit të mbuluar nga tymi, me dhjetëra njerëz brenda. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitalii Klitschko, tha se stacioni duhej të ventilohej në atë që ai e quajti një “modalitet i përmirësuar”.

Sulmet më të rënda goditën lagjen Darnytskyi të Kievit, ku një kopsht fëmijësh, një supermarket dhe një depo u përfshinë nga flakët, raporton AP.

Sulmi me dronë dhe raketa që zgjati disa orë ndaj Kievit gjatë natës së të hënës nënvizoi urgjencën e nevojës së Ukrainës për ndihmë të mëtejshme ushtarake perëndimore, veçanërisht në mbrojtjen ajrore, një javë pasi Trump tha se dërgesat do të mbërrinin në Ukrainë brenda ditësh.

Takimi virtual do të drejtohet nga Sekretari Britanik i Mbrojtjes, John Healey, dhe homologu i tij gjerman, Boris Pistorius. Healey tha se Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe udhëheqësi i NATO-s, Mark Rutte, si dhe Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, Gjenerali Alexus Grynkewich, do të marrin pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

Gjermania ka thënë se ka ofruar të financojë dy sisteme të reja Patriot për Ukrainën dhe ka ngritur mundësinë e furnizimit me sisteme që tashmë i zotëron dhe zëvendësimit të tyre nga SHBA-të.

Por dorëzimi mund të kërkojë kohë, sugjeroi kancelari gjerman Friedrich Merz, sepse “ato duhet të transportohen, duhet të përgatiten; kjo nuk është çështje orësh, është çështje ditësh, ndoshta javësh”.

Sisteme të tjera Patriot mund të vijnë falë Zvicrës, ministria e mbrojtjes e së cilës tha të enjten se ishte informuar nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së se do të “ripërcaktojë përparësitë e dorëzimit” të pesë sistemeve të porositura më parë për të mbështetur Ukrainën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i politikave ekonomike, Shenoll Muharremi, ka thënë se “nëse…