Sa është realizuar plani strategjik i arsimit në Kosovë?

24 janar 2020 | 10:57

Ismajl Kurteshi

Në konferencën e organizuar nga Rrjeti Kosovar për Edukim dhe Punësim (KEEN), më 20 janar 2020 në Prishtinë, u bë vlerësimi i zbatimit, të tri viteve të para (2017-2019), të Planit Strategjik për arsimin në Kosovë 2017 – 2021.

PSAK-u (Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë), përcakton shtatë objektivat strategjike që synojnë: gjithëpërfshirjen, përmirësimin e cilësisë dhe rritjen e llogaridhënies në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, që ishte edhe diskutuesi i parë i kësaj konference, fjalën e tij e filloi me konstatimin se gjatë tri vjetëve të fundit (2017-2019), vitet që ishim objekt i diskutimit të kësaj konference, “… arsimi në Kosovë nuk ka shënuar përparim… pra ka stagnuar…”. Diskutuesi i njëjtë, përveç të tjerash, tha se në Institucionet e Arsimit të Lartë në sektorin privat në Kosovë po lëshohen diploma pa vlerë.

Se në fushën e arsimit nuk ka pasur përparim gjatë kësaj periudhë dëshmojnë edhe të gjeturat e analizës së KEEN-së të financuara nga Bashkimi Evropian dhe të menaxhuara nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në këtë shkrim do t’i gjeni vetëm disa nga të gjeturat kryesore të kësaj analize.

Analiza fillon me konstatimin se: pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin parashkollor është e ulët. Përafërsisht kështu ishte gjendja me përfshirjen e parashkollore edhe para tri vjetëve.

Sipas analizës së lartpërmendur, fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët me talente të veçanta mbeten kategori të margjinalizuara në arsimin parauniversitar. Gjendja e këtyre kategorive ishte e njëjtë edhe para tri vjetëve.

Në analizën e lartpërmendur konstatohet se: Investimet në përmirësimin e cilësisë në arsim janë shumë të vogla. Ky është një defekt kronik në fushën e arsimit në Kosovë dhe një ndër shkaktarët kryesorë të gjendjes së krijuar në arsim, edhe pse në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Arsimin, të aprovuar me 9 shkurt 2017, kërkohet rritje e investimeve.

Legjislacioni si në arsimin parauniversitar dhe si në arsimin e lartë duhet të ndryshohet, plotësohet dhe harmonizohet. Gjendja në këtë fushë nuk ka shënuar asnjë përparim gjatë tri vjetëve të fundit me të cilët është marrë analiza. GIZ ka dalë me propozime konkrete si të rregullohet kjo çështje por, për shkak të mosangazhimit të MAShT-it dhe pengesave kushtetuese që parashohin shumicën e dyfishtë (veton e komuniteteve pakicë), në këtë drejtim nuk ka ndryshuar asgjë.

Procesi i vlerësimit të performancës të mësimdhënësve nuk është realizuar sipas planit të veprimit të PSAK-së. Sipas kësaj analize, deri në qershor të vitit 2019 vetë rreth 2 për qind e mësimdhënësve i janë nënshtruar procesit të vlerësimit të performancës (për periudhën 2017-2019 ka qenë e planifikuar të realizohet 60 për qind e vlerësimit të performancës. As procesi i licencimit të mësimdhënësve, sipas sistemit të gradimit nuk është shënuar asnjë sukses. Gjendja është përafërsisht e njëjtë edhe me shkallën e vlerësimit të jashtëm e cila është rreth 4 për qind edhe pse, sipas këtij plani, është dashtë të jetë rreth 60 për qind.

Edhe zbatimi i kurrikulës së re është përcjellë me sfida të shumta, përfshirë mungesën e mekanizmave të mbikëqyrjes, përkrahjes dhe llogaridhënies në procesin e zbatimit të kurrikulës. Në nivel të vendit janë angazhuar 645 koordinatorë të cilësisë, por shumë prej tyre kryejnë punë të tjera, kështu që angazhimi i tyre nuk ka ndikuar mjaftueshëm në ngritjen e cilësisë. Puna që po e kryejnë inspektorët e arsimit nuk është e kënaqshme edhe pas miratimit të ligjit të ri për Inspektoratin e Arsimit dhe rritjes së numrit të inspektorëve.

Lidhja e arsimit profesional me tregun e punës, sipas analizës, vazhdon të mbetet problem serioz në sferën e arsimit si që është problem edhe mungesa e shërbimeve në sferën e këshillave për orientimin në karrierë. Këshillat industriale për arsim profesional që kanë për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet shkollave profesionale dhe bizneseve kryesisht kanë mbetur të pathemeluara në komunat tona.

Pajisja me teknologji arsimore dhe mjete mësimore, digjitalizimi i shërbimeve arsimore, shfrytëzimi i burimeve online, krijimi i ekipeve për identifikimin e nevojave të shkollave për teknologji arsimore, po ashtu janë objektiva të parealizuara.

Ngecja e vazhdueshme në fushën e zhvillimit profesional dëshmon se institucionet që kanë rol dhe përgjegjësi në këtë fushë nuk kanë arritur ta kuptojnë rëndësinë e zhvillimit të mësimdhënies në funksion të ngritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies. Për pasojë veprimet kryesore janë orientuar vetëm në përmbushjen e kërkesave administrative. Në vitet e fundit MAShT-i e ka zvogëluar buxhetin për trajnimin e mësimdhënësve, kështu është zvogëluar numri i mësimdhënësve të përfshirë në trajnime dhe numri i orëve të trajnimeve si dhe formave të tjera të zhvillimit profesional.

KEEN në këtë analizë i ka identifikuar edhe të metat në tekste shkollore në Kosovë siç janë:

  1. Mungesa e harmonizimit të teksteve me kurrikulën e re;
  2. Ngarkesa e madhe e teksteve shkollore me tekste të gjata, fakte, formula, kapituj etj;
  3. Përmbajtja me fakte të gabuara dhe koncepte të padefinuara;
  4. Mungesa e balancimit të kapitujve;
  5. Struktura joadekuate të përmbajtjeve;
  6. Mungesa e lidhjes së njohurive dhe përvojave më të hershme të nxënësve/ studentëve me tekste etj.

Për ta kuptuar gjendjen në arsimin e lartë mjaftojnë të dhënat se raporti profesor – student në Institucionet Publike të Arsimit të Lart është 1 me 55, kurse në institucionet private 1 me 32. Kur kësaj ia shtojmë edhe faktin se shumë mësimdhënës të këtyre institucioneve punojnë në dy, tri e më shumë vende pune, se mungojnë tekstet dhe kushtet për punë, kushte për hulumtime shkencore nuk ka. Në shumë Institucione të Arsimit të Lartë që zhvillohet mësim në programet e paakredituara del se gjendja në arsimin e lartë është e rëndë. Këtu duhet të përmendet edhe e vërteta e hidhur se brenda periudhës që është analizuar, AKA (Agjencia Kosovare e Akreditimit) është përjashtuar nga EQAR-i (Institucion Evropian për Vlerësimin e Cilësisë).

As në fushën e hulumtimeve shkencore nuk ka përparim. Kosova përballet me mungesën e rregulloreve për kërkim shkencor. Kosovës i mungon Këshilli Kombëtar i Shkencës dhe zbatimi i një programi të përditësuar për shkencë. Po ashtu, buxheti i ndarë për kërkime shkencore është i kufizuar dhe nuk i plotëson nevojat e komunitetit kërkimor në vend.

Të dhënat (analizat) e publikuara nga KEEN (Rrjeti Kosovar për Arsim dhe Punësim), një pjesë e të cilave u prezantuan në këtë shkrim, me qëllim të njoftimit të opinionit me të gjeturat e kësaj analizë, janë vërejtje serioze për institucionet dhe qytetarët e këtij vendi, që kërkojnë angazhim shumë të madh dhe investime të mëdha në fushën e arsimit me qëllim të daljes nga kjo situatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Arieta Mjeku-Azizi Nuk e di se si mund ta…