Sa ka Kosova kapacitete për menaxhim klinik të koronavirusit?

16 qershor 2020 | 09:39

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), për menaxhimin klinik të rasteve me koronavirus, ka në dispozicion 125 shtretër, me mundësi të shtimit deri në 300, dhe 162 respiratorë në rast të rritjes së numrit të të infektuarve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se janë të përgatitur për menaxhimin klinik të koronavirusit.

Ai thotë se në vazhdimësi janë duke u pajisur me gjërat e domosdoshme që kërkohen për trajtimin e këtij virusi.

“Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 edhe infrastruktura shëndetësore në Klinikën Infektive ka filluar të ngarkohet. Në Klinikë ka në dispozicion 125 shtretër, ndërsa më qëllim të ballafaqimit të fluksit eventual të numrit të rasteve me COVID-19, do të rikthehen në funksion Klinika e Pulmologjisë, Klinika e Dermatologjisë dhe Instituti i Mjekësisë Sportive, i cili i ka dhomat me oksigjenoterapi, me shtretër të rinj. Të gjitha këto kapacitete bëjnë që të ketë rreth 300 shtretër për raste të reja me COVID-19”, thotë Hoti.

Numri i shtretërve, shton Hoti, mund të rritet deri në 500 sosh, duke llogaritur këtu shtretërit në spitalin e përgjithshëm të Prizrenit – reparti i sëmundjeve ngjitëse, spital ky i cili po ashtu është marrë me trajtimin e rasteve me koronavirus.

Sa i përket numrit të respiratorëve, Hoti thotë se sistemi shëndetësor në Kosovë ka 162 respiratorë, 95 janë në sektorin publik, 47 në sektorin privat të shëndetësisë, të cilët mund të shërbejnë për nevojat e sektorit publik në rast të një fluksi të të infektuarve me koronavirus.

Po ashtu gjatë kësaj jave, Hoti tregon se kanë pranuar edhe 20 respiratorë nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe disa të tjerë pritet të arrijnë gjatë kësaj jave.

“Gjatë kësaj jave pritet që edhe 25 respiratorë të vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjashtë nga Katari dhe në kuadër të kontingjentit prej 5 milionë euro të Bashkimit Evropian për COVID-19, një numër i konsiderueshëm i respiratorëve të tjerë pritet që të jenë pjesë e kontingjentit të respiratorëve që do t’i ketë në dispozicion sistemi shëndetësor i Kosovës”, tha Hoti duke shtuar se edhe Qeveria e Kosovës do t’i blejë 30 respiratorë.

Rritet numri pacientëve të hospitalizuar me COVID-19

Numri i rasteve me COVID-19 ka shënuar rritje gjatë ditëve të fundit në Kosovë. Brenda tre ditëve janë shënuar 231 raste të reja me koronavirus, duke mbingarkuar kështu edhe numrin e pacientëve të hospitalizuar.

Derisa në javët e kaluara numri i të hospitalizuarve nuk arrinte më shumë se 20, më datën 15 qershor, numri i pacientëve të hospitalizuar në Klinikën Infektive ka qenë 43./Rel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga një qershori deri të hënën më 15 qershor në…