Sacchi: Napoli një hap para të tjerëve për ‘Scudetto’

21 gusht 2025 | 15:25

Me fillimin e sezonit të ri të Serie A, legjenda e futbollit italian Arrigo Sacchi ka dhënë opinionin e tij për skuadrat favorite në garën për titull.

“Napoli është ende një hap përpara të tjerëve, më pas vjen Interi. Mungesa e Lukakut? Është e vërtetë që Lukaku bën të lëvizë gjithë skuadrën dhe ka personalitet e karizëm. Por dua të kujtoj se Milani im fitoi titullin në sezonin e parë edhe pse Van Basten qëndroi jashtë thuajse gjithë vitin. Kjo tregon se loja mund të bëjë diferencën, dhe Conte është një trajner që di si t’i japë identitet dhe lojë skuadrës së tij. Për më tepër, këtë vit ka në dispozicion një kampion si Kevin De Bruyne”, u shpreh Sacchi.

Sa i përket Interit, ish-trajneri i Milanit mendon se zikaltërit janë disi më prapa në këtë fillim sezoni: “Duhet të përballojnë ende goditjet e sezonit të kaluar, humbjen e kampionatit dhe finalen e humbur të Ligës së Kampionëve. Janë plagë që nuk shërohen brenda natës. Për më tepër, ka një trajner të ri, Chivu, dhe i duhet kohë për të ndërtuar projektin e tij”.

Për Milanin, Sacchi beson se suksesi nuk është i pamundur, por do të ishte një mrekulli: “Milani mund të provojë, por nuk nis si favorit. Nëse arrin të fitojë, do të jetë një arritje e jashtëzakonshme, një mrekulli që ndodh shumë rrallë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka publikuar një video…