
Samadrexha, finalistja e parë e plejofit në Superligën e Kosovës
Samadrexha është finalistja e parë e plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Në gjysmëfinale të plejofit, Samadrexha e mposhti në dy ndeshje skuadrën e Ferizajt.
Fitoren e dytë Samadrexha e arriti të dielën në palestrën e saj, “Afrim Bunjaku”.
Samadrexhaset e fituan me rezultat 24:20 ndeshjen që e dominuan thuajse nga fillimi.
Prej minutës së 11-të lojtaret e Samadrexhës realizuan seri 6:0 dhe u shkëputën 10:5. Mysafiret më nuk ia dolën të afrohen në rezultat, përkatësisht të rrezikojnë epërsinë e vendaseve.
Tina Hetemi i shënoi gjashtë gola për Samadrexhën. Pesë i kishte Mirjeta Dinolli e katër Jennifer Abreu. Me nga tri gola kontribuuan Natalija Milatoviq e Arlinda Maloku.
Lorena Matarova e Salemateu Camara i shënuan nga pesë gola për Ferizajn. Katër i realizoi Luljeta Sopjani e nga dy Shkurte Mehmeti e Anja Bojaniq.
Samadrexha stinorin e rregullt e përfundoi në vendin e tretë, derisa Ferizaj ishte i dyti.