
Samiti i Rios korrik 2025 provë e rëndësishme për të ardhmen e BRICS!
Fatjon Malaj
BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) është një platformë e rëndësishme e cila doli me ambicien për të qenë zëri i fuqive në rritje në sistemin global dhe synon në veçanti të tërheqë vëmendjen ndaj kërkesave të Jugut të Globit. BRICS përfaqëson 35.6 përqind të PBB-së globale dhe 45 përqind të popullsisë së botës. BRICS sipas objeksioneve të themeluesve të saj pritet të zgjerohet në vitet e ardhshme, me më shumë se 40 vende që priten ti bashkohen por edhe kjo mbetet për tu parë vecanërishtë mbas samitit të Rios në korrik të këtij viti.
Në vitin 2001, Jim O’Neill, një ekonomist që punonte në bankën e investimeve Goldman Sachs, shpiku akronimin “BRIC”, një kombinim i inicialeve të Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës. Në atë kohë, këto ishin ekonomi të mëdha, me të ardhura të mesme dhe me rritje të shpejtë. O’Neill parashikoi se këto vende do të ishin ndër më të mëdhatë në botë deri në vitin 2050. Me insistimin e vecantë të Putin u krijua në vitin 2006 ku këto katër vende vendosën të bashkoheshin dhe të formonin BRIC. Në vitin 2009, u mbajtë samiti i parë në Rusi me pjesëmarrjen e të katër vendeve anëtare. Me shtimin e Afrikës së Jugut në vitin 2010, grupi u bë BRICS. Megjithatë, është e qartë se ende nuk është një organizatë ndërkombëtare plotësisht e institucionalizuar. BRICS-it i mungon një seli fikse, një sekretar i përgjithshëm i përhershëm, një marrëveshje themelimi detyruese ose mekanizma të qartë vendimmarrjeje. Në këtë drejtim, BRICS mbetet një platformë fleksibile konsultative e strukturuar rreth samiteve vjetore dhe bashkëpunimeve tematike.
Në këtë kontekst, Samiti i BRICS që do të mbahet në Rio de Janeiro, Brazil, në korrik 2025 mund të jetë një pikë kthese kritike. Mbasi pritet që mosmarrëveshjet brenda BRICS të bëhen edhe më të dukshme gjatë këtij takimi.
Duke synuar fillimisht bashkëpunimin ekonomik, BRICS, veçanërisht në vitet e fundit, ka filluar të adresojë çështje politike si siguria, antiterrorizmi dhe qeverisja globale. Megjithatë, mospërputhjet në këto fusha tregojnë për ndarje serioze. Ka dallime të mëdha midis qëndrimit të Indisë mbi antiterrorizmin dhe qasjes së Iranit ose Kinës për këtë çështje. Ekzistojnë edhe dallime në opinione për çështje të tjera rajonale. Për shembull, qëndrimi i Rusisë mbi marrëdhëniet me Perëndimin pas luftës në Ukrainë është në kundërshtim me qasjen e kujdesshme të Brazilit ose Afrikës së Jugut.
Brazili, India dhe Afrika e Jugut, të gjitha të dalluara nga strukturat e tyre demokratike, ndajnë një qasje të përbashkët për të parandaluar që BRICS të bëhet një aleancë anti-perëndimore. Për këto vende, qëllimi kryesor i BRICS është të nxisë përfaqësim më të barabartë në qeverisjen globale dhe zhvillimin e marrëveshjeve alternative ekonomike. Anasjelltas, tendenca e vendeve si Kina, Rusia dhe Irani për ta transformuar BRICS në një front strategjik kundër Perëndimit po krijon çarje në dinamikën e brendshme të platformës. Në mënyrë specifike, nuk ka konsensus midis vendeve anëtare as për “de-dollarizimin”, që do të thotë zvogëlimi i rolit të dollarit në tregtinë globale.
Samiti i Rios në korrik 2025 përfaqëson një provë të rëndësishme për të ardhmen e BRICS. Zhvillime të tilla si tërheqja e Arabisë Saudite nga pjesëmarrja formale dhe anëtarësimi i mundshëm i Indonezisë kanë nxitur një rivlerësim të politikës së zgjerimit të platformës.
Temat që pritet të theksohen në samit janë: – Sqarimi i kritereve të reja të anëtarësimit – Reforma dhe efektiviteti i Bankës së Zhvillimit të BRICS – Sistemet e përbashkëta të pagesave dixhitale dhe iniciativat e monedhës – Sfidat e zhvillimit të Jugut të Globit (ushqimi, energjia, kujdesi shëndetësor, kriza e borxhit) – Kufijtë dhe ndryshimet në bashkëpunimin e sigurisë
Ky samit, në të cilin edhe Turqia do të marrë pjesë gjithashtu si e ftuar, mund të krijojë mundësi për Ankaranë për të eksploruar iniciativa të reja ekonomike me Jugun e Globit. Megjithatë, duhet të theksohet se BRICS nuk është një organizatë, por më tepër një platformë që është ende e painstitucionalizuar. Në vend të pritshmërive të tepërta politike, duhet të zhvillohen bashkëpunime të përqendruara në fusha tematike dhe ekonomike. Për këtë platformë është veçanërisht e rëndësishme të zhvillohen bashkëpunime me Bankën e Re të Zhvillimit, një strukturë institucionale, për këto bashkëpunime.
Pohohet se të gjitha vendet e BRICS mbajnë pozicione të rëndësishme në rajonet e tyre përkatëse. Kina është bërë një fuqi dominuese globale, duke vënë në dukje se nëpërmjet BRICS, ajo është bërë lidere e jugut të globit dhe po shpreh thirrje për përmbysjen ose reformimin e rendit ekzistues ndërkombëtar. Në të kundërt, India është rivalja kryesore e Kinës në rajonin e Azi-Paqësorit. Ekzistojnë gjithashtu tensione kufitare midis dy vendeve, dhe qeveria e Nju Delhit po bashkëpunon me disa vende, përfshirë SHBA-në, për të kufizuar sferën e ndikimit të fqinjit të saj të dyja anëtare të BRICS.
Rusia, ashtu si Kina, e sheh BRICS si një bllok të aftë për të sfiduar fuqinë perëndimore. Po ashtu Rusia e sheh BRICS edhe si një mjet për të anashkaluar sanksionet e vendosura për pushtimin e Ukrainës në luftën e saj me Perëndimin.” Mjet i cili ka treguar se është eficent duke bërë që Rusia të mos preket ose preket sipërfaqësisht nga sanksionet e vendosura ndaj saj për shkak të luftës në Ukrainë. India dhe Kina janë bërë blerësit më të mëdhenj të naftës ruse që nga sanksionet. Moska gjithashtu zhvilloi një stërvitje të përbashkët detare me Kinën dhe Afrikën e Jugut në shkurt të vitit 2023. Pavarësisht më sipër, vendet e tjera po përpiqen t’i rezistojnë lëvizjeve për ta shndërruar BRICS-in në një aleancë të hapur anti-perëndimore. Brazili dhe Afrika e Jugut nuk duan një botë të ndarë dhe “anti-perëndimorizmi do të ishte i dëmshëm për sigurinë dhe zhvillimin e tyre”. Mbetet për tu parë se sa do të diskutohen tematika të tilla dhe çfarë do të prodhojë ky samit?, Fuqizim dhe zgjerim ose kapitullim në heshtje?!