
Samiti Trump – Putin spektakël diplomatik apo hap serioz i ndaljes së luftës
Shkruan: Ibrahim Gashi
Më 15 gusht 2025, presidenti i ShBA-ve Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin u takuan në Anchorage, Alaska, samiti i parë ballë për ballë ndërmjet dy vendeve që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt 2022. Takimi u zhvillua në një kontekst tensioni të lartë global rreth luftës në Ukrainë. Dimensionet simbolike dhe strategjike të këtij takimi kerkojnë një analizë nga një pozicion krejtësisht neutral dhe joemocional.
Sa i takon anës protokollare mikpritja e Putinit në Anchorage u shoqërua me elementë simbolikë: shtruarje të qilimit të kuq, fluturime ceremoniale ushtarake dhe madje një udhëtim të përbashkët në limuzinën presidenciale amerikane “The Beast”. Këto gjeste në leximin më sipërfaqësor sinjalizuan relativizim të ndjeshëm të izolimit ndërkombëtar të Putinit dhe të Rusisë. Shumë analistë e kanë parë këtë si një fitore të dukshme për marrëdhëniet me publikun të Putinit, duke minuar narrativën e izolimit të tij nga Perëndimi.
Takimi midis liderëve më dyer të mbyllura zgjati rreth 2.5-3 orë, por nuk prodhoi asnjë marrëveshje formale apo armëpushim. Deklaratat për shtyp ishin të shkurtra dhe të paqarta; asnjëri nga liderët nuk mori pyetje. Trump e përshkroi samitin si “shumë produktiv”, por pranoi se “nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje”. Nga ana tjetër, Putin e kornizoi paqen si një proces që duhet të trajtojë “shkaqet rrënjësore” të konfliktit, një referencë e tërthortë ndaj zgjerimit të NATO-s dhe sovranitetit të Ukrainës, që pasqyron ende pozicionin maksimalist rus.
Trump në mandatin e tij të dytë ka arritur rezultate të prekshme në politikën ndërkombëtare. Ai ka ndërmjetësuar në ndaljen e konflikteve të armatosura mes rivalëve historikë, si Armenia dhe Azerbajxhani apo India dhe Pakistani, ndërsa ka kontribuar edhe në stabilizimin e situatës në Kamboxhia dhe Tajlandë. Ndikimi i tij është vërejtur veçanërisht në Siri dhe Iran. Përmes një qasjeje të kombinuar ushtarake, të ashpër dhe të sofistikuar, Trump ka kufizuar në mënyrë të ndjeshme kapacitetet bërthamore të Iranit. Në të njëjtën kohë, Siria është orientuar drejt funksionimit si një shtet që lufton kundër ISIS-it dhe islamizmit radikal, gjë që u bë e mundur, në masë të madhe, falë bashkëpunimit me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, aleat i ngushtë dhe mik personal i Trump-it. Një element vendimtar në këtë kontekst ka qenë dhe mbetet Izraeli, i cili, me mbështetjen amerikane, ka neutralizuar çdo armatim potencial që do të rrezikonte rajonin. Si rrjedhojë, Siria u detyrua të pranojë realitetin e ekzistencës së Izraelit dhe të ndërtojë marrëdhënie bashkëjetese me të, si një mjet për të siguruar mbijetesën e vet.
Këto suksese të arritura në politikën e jashtme janë arsyeja kryesore që Trump u inkurajua të shkoj drejt testit më të vështirë dhe premtimit të tij më krucial për ndaljen e luftës në Ukrainë. Intuita dhe vet besimi i krijuar nga storiet shumë të suksesshme të sipërpërmendura si duket dje nuk dhanë efektin e pritur. Trump dje së paku nga ajo që u pa bëri një hap prapa duke hequr dorë nga insistimi i mëparshëm për armëpushim si kusht paraprak dhe u shfaq i hapur ndaj qasjes së Putinit për negociata direkte paqësore. Ai madje sugjeroi se një marrëveshje paqeje mund të arrihej edhe pa një armëpushim paraprak. Në bisedimet me Presidentin ukrainas Zelenskiy, Trump tha se Putin kishte kërkuar dorëzimin e gjithë rajonit të Donetskut si kusht për ngrirjen e vijave të frontit, një kërkesë që Zelenskiy e refuzoi kategorikisht.
Ky ndryshim jo vetëm që përkon më shumë me synimet e Rusisë, por gjithashtu rrezikon ta vendosë Ukrainën nën presion për të bërë lëshime territoriale para se të ndalet dhuna, një presedan që cenon normat e negocimit midis palëve. Historikisht respektohet një rregull i pashkruar që çdo negocim midis palëve që janë në luftë paraprihet dhe kondicionohet nga vendosja e një armëpushimi. Kjo ndodhë edhe midis palëve që kanë fuqi dispropocionale më njëra tjetrën. Letë kujtojmë armëpushimin me 11.11.1918 në Kompinien të Francës midis palëve në Luftën e Parë Botërore, anipse koalicioni i Fuqive Qendrore (Gjermani, Austro-Hungari) e kishte humbur luftën.
Për më shumë Putin doli nga samiti me legjitimitet diplomatik të shtuar, pa bërë ndonjë lëshim thelbësor. Ai e shfrytëzoi admirimin e hapur të Trump-it për të forcuar pozitën e tij globale, madje duke i bërë elozhe kur theksonte se “sikur Trump të ishte në pushtet nuk do të fillonte lufta më Ukrainën”.
Në tërë atë që pamë dje në Alaska duket sikur ishte më shumë spektakël diplomatik se sa një hap serioz drejt ndaljes së luftës. Qasja e Trapit që ta anashkaloj armëpushimin rrezikon të thellojë përçarjet brenda Perëndimit dhe të inkurajojë agresionin rus. Edhe reagimi evropian lidhur me mospërmendjen e armëpushimit lenë të kuptohet për hamendësimet që mund te ketë krijuar ky samit. Nga ana tjetër edhe takimi i paralajmëruar i Zelenskit të hënën në Uashington bashke me liderë evropian më Presidentin Trump është një tregues i qartë për shqetësimet dhe dilemat që mund të këtë ngritur takimi i djeshëm Trump-Putin në Alaska.
Si përfundim samiti i djeshëm nuk solli as paqe, as pushim të luftimeve në Ukrainë. Trump së paku nga ky takim nuk mund të thuhet se arriti ndonjë rezultat të prekshëm. Ai më shumë demonstroi vullnet të mirë dhe fare pak efekte të shënueshme sa i takon ndaljes së luftës në Ukrainë. Sukseset e listuara më lartë të tij në politikën e jashtme nuk mund të thuhet se u përsëriten edhe në takimin e djeshëm me Putinin. Nëse duam ta shohim me optiken më optimiste takimin e djeshëm duhet të shpresojmë se ai do të shërbej vetëm si një uvertyre, thyerje e akullit për një proces më gjithëpërfshirës negociator, ku padyshim akter kryesor do të jenë Trump si intermediator dhe Zelenski dhe Putin si palë negocuese. Për mendimin tim Trup duhet të insistoj të rikthej në agjendë pikën e armëpushimit nëse dëshiron të krijoj një pozicion që ruan kohezionin ndëraleat euro-atlantik, por edhe e vendos në një pozicion më pak të favorshëm presidentin Putin. Mbetet të shpresojmë se takimi i radhës do të duket më shumë si përpjekje serioze për ndaljen e luftës e më pak si spektakël diplomatik.