Sekretari i Degës së PDK-së në Zvicër, Shaip Kadriaj hedh dyshime për punën e KQZ-së, e quan të kapur nga regjimi i Kurtit
Sekretari i Degës së PDK-së në Zvicër, Shaip Kadriaj, ka reaguar pas raportimeve për “dallavere” në Mitrovicë, ku dyshohet se fletët e votimit kanë qenë pa numra serikë dhe se klasat e tyre janë ndërruar, gjë që sipas tij tregon për keqpërdorime me qëllime të caktuara. Kadriaj ka ngritur dyshime se edhe në zgjedhjet e përgjithshme ka pasur manipulime.
“Manipulimi me vota nuk është i ri – kjo ka ndodhur si në zgjedhjet parlamentare të kaluara, ashtu edhe në këto lokale. Por këtë herë, gjithçka ka dalë në shesh! Në zgjedhjet e kaluara, KQZ ka bartur votat e mërgatës në thasë, duke i transportuar me furgonë nga shteti në shtet, derisa t’i ‘rregullonin’ sipas interesave të pushtetit”, ka shkruar Kadriaj.
Reagimi i plotë i tij:
KQZ është kapur nga regjimi i Albin Kurtit dhe VV-së.
Manipulimi me vota nuk është i ri kjo ka ndodhur si në zgjedhjet parlamentare të kaluara, ashtu edhe në këto lokale. Por këtë herë, gjithçka ka dalë në shesh! Në zgjedhjet e kaluara, KQZ ka bartur votat e mërgatës në thasë, duke i transportuar me furgonë shtet më shtet, derisa t’i “rregullonin” sipas interesave të pushtetit. Në këto zgjedhje, edhe pse subjektet politike kishin të drejtë vëzhgimi në Zvicër, vëzhguesit e PDK-së nuk janë njoftuar fare për tërheqjen e zarfeve. Për partitë tjera nuk e di, por fakti që disa përjashtohen nga vëzhgimi ngrit dyshime serioze për transparencën e KQZ-së. KQZ po e pamundëson edhe të drejtën e ankimit për votuesit e mërgatës. Ata nuk ndajnë votat sipas shteteve, por i bashkojnë të gjitha dhe i ndajnë vetëm sipas komunave në Kosovë. Si mund të ankohet dikush kur askush nuk e di nga cili shtet është vota e tij?
Arsyet për votat e anuluara janë gjithmonë të përgjithshme: “zarfe pa pullë postare”, “zarfe pa dëftesë”, “zarfe me më shumë se një fletëvotim” por askund nuk tregohet nga cili shtet janë. Më absurde: KQZ di nëse një zarf është dërguar nga një shtet tjetër nga ai ku votuesi ka aplikuar dhe e anulon menjëherë. Por kur kërkohet transparencë, KQZ thotë: “nuk kemi të dhëna” Nga Kurti dhe VV nuk është befasi ata kanë ardhur në pushtet me manipulime dhe mashtrime. Sot, manipulimi me votat e mërgatës është bërë mjet politik për të deformuar vullnetin e qytetarëve. Edhe në terren nuk ndalet manipulimi! Në Mitrovicën Jugore, gjatë balotazhit më 9 nëntor 2025, gjatë numërimit janë hasur parregullsi të shumta, që hedhin hije dyshimi mbi rezultatin. Kjo tregon se manipulimet nuk ndalen vetëm te votat e mërgatës, por po vazhdojnë brenda vendit, në mënyrë të organizuar dhe të qëllimshme.



