“Sektori privat, krahas punësimit dhe zhvillimit ekonomik, po ndikon në ndotjen e ambientit”

25 nëntor 17:27

Dita e dytë e forumit të lartë politik “Integrimi i agjendës 2030 në kuadrin e planifikimit strategjik në Kosovë”, organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ka filluar me një panel diskutimi në lidhje me rolin e sektorit privat sa i përket “rritjes së gjelbër”.

Donikë Beqiri nga INDEP-ja ka thënë se sektori privat, përkundër kontributit në zhvillimin ekonomik dhe në punësim, pa dashje është duke ndikuar edhe në ndrojtjen e ambientit. “Sektori privat në Kosovë është 60 për qind e ekonomisë dhe 70 për qind e punësimit dhe, në anën tjetër, është burimi i emetimeve dhe impakteve në mjedis, dhe tash mund ta shikojmë si burim i zgjidhjes të problemit, dhe në të dyja aspektet është me rëndësi që sektori privat me qenë i përfshirë në shtyrjen e ‘Agjendës 2030’”, ka thënë Beqiri.

Ndërsa Antigona Limani nga rrjeti “CSR Kosova” ka thënë se jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën sektori privat e ka barrën më të madhe në ndotjen e ambientit, por edhe në zgjidhjen e problemeve socio-ekonomike. “Nga viti 2015 i kemi integruar objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në rolin që ne e bëjmë si rrjet, por ky atakim ka qenë i ngadalshëm për shkak se dialogu i vazhdueshëm ndërmjet sektorit publik me atë privat ka munguar deri më tani. Nuk ka qenë i strukturuar siç është tani që flitet ndërmjet partneritetit publik dhe privat. Ne kemi filluar përgatitjen e sektorit privat sesi mund të japin zgjidhje të problemeve. Ne e dimë që jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën sektori privat ka barrën më të madhe në ndrojtjen e ambientit, gjithashtu edhe në zgjidhjen e problemeve socio-ekonomike, dhe është me rëndësi që sektori privat të ofrojë mekanizma që kjo metodë të rregullohet”, ka thënë Limani.

Në anën tjetër, Faton Hasani nga “Procredit Bank” ka thënë se janë duke u munduar në vazhdimësi që të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit. “Secili biznes privat e ka një ndikim negativ në mjedis dhe ne si bankë e dimë që e kemi një ndikim në mjedis. Kemi filluar të implementojmë sisteme të cilat na ndihmojnë ta matim këtë ndikim dhe ta përmirësojmë në vazhdimësi. Ne e kemi themeluar një sistem të menaxhimit të mjedisit i cili tenton të ketë një qasje të përgjithshme të ndikimit në mjedisin direkt dhe indirekt”, ka thënë Hasani.

Krejt në fund, Berat Rakovica nga OJQ “Marakli T’biçikletave: ka kërkuar që niveli lokal dhe ai qendror të bëjë më shumë në sigurimin e hapësirave për biçikleta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenca e Kosovës ka dhënë detaje për takimin që ka…