Selimi: Sporti është goditur nga Covidi, duhet ndihmë më e madhe nga shteti

01 janar 2021 | 22:39

Dekani Musa Selimi është shprehur i lumtur që studentët e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, sportistët dhe klubet sportive me sukses janë duke i bërë ballë virusit “Korona”. Ai ka apeluar që shteti ta ndihmojë edhe më shumë sportin derisa të rikthehet normaliteti.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi, në këtë intervistë dhënë për numrin festiv të gazetës “Epoka e re”, ka thënë se viti 2020 ka qenë mjaft i vështirë si për studentët, po ashtu edhe për klubet sportive dhe sportistët për shkak të pandemisë Covid-19. Më tutje, profesor Selimi ka kërkuar që dora e shtetit të jetë e zgjatur për sportit, në mënyrë që të mos shuhen klubet dhe aktivitetet sportive t’i japin dinamikë jetës në vend. “Janë munduar t’u dalin në ndihmë sportistëve MKRS-ja dhe qeveria, por ka mundësi edhe më shumë të rriten ndihmat dhe të mos kemi shuarje të klubeve. Aktivitetet sportive që i japin dinamikë jetës duhet të vazhdojnë, por me kujdes maksimal derisa të zhduket virusi që e ka trazuar mbarë botën”, ka thënë Selimi.

 “Epoka e re”: Dekan, viti 2020 është karakterizuar me përballje të virusit “Korona”. Sa keni arritur ta përmbushni realizimin e planprogarmit të paraparë dhe sa ka lënë pasoja ky virus në Fakultetin që drejtoni?
Selimi: Si në të gjitha sferat e tjera të jetës, pasojat janë evidente edhe në fakultetin tonë, por ne jemi munduar të jemi afër studentëve. Fati i mirë është që s’kemi asnjë problem me shëndet nga studentët e as nga stafi. Mësimi online në teori dhe fizikisht në praktikë ka dalë të jetë formë e mirë. Në përgjithësi kemi arritur të përballemi me virusin e padukshëm dhe shpresojmë që në vitin 2021 të rikthehet normaliteti.

“Epoka e re”: Cila ka qenë arritja më e madhe e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit dhe cilat janë planet e juaja si drejtues të fakultetit për vitin 2021?
Selimi: Sukseset nuk kanë munguar, por nuk kemi pasur suksese të theksuara për shkak të izolimit. Konsideroj se do të kthehemi në gjendje normale dhe t’i vazhdojmë aktivitetet.

“Epoka e re”: Edhe sporti është goditur fuqishëm nga virusi “Korona”. Shumë klube po përballen me kriza financiare dhe disa të tjera po shuhen. Si i shihni këto zhvillime?
Selimi: Virusi ‘Korona’ e ka goditur fuqishëm mbarë globin. Këtu bën pjesë edhe sporti. Jemi dëshmitarë të një krize të madhe që e ka përfshirë sportin, ku klubet gjigante kanë aplikuar uljen e pagave, prandaj është normale që një krizë e ka përfshirë edhe sportin e Kosovës, i cili edhe para pandemisë nuk ka qenë në gjendjen më të mirë financiare. Uroj të përfundoj sa më shpejt dhe sportistët t’i ndjekin ëndrrat e tyre.

“Epoka e re”: Ministria e Sportit dhe Qeveria e Kosovës janë munduar t’i ndalin në ndihmë sportit. Sipas jush, a është e mjaftueshme kjo ndihmë dhe si duhet të veprohet për t’i shpëtuar klubet nga shuarja?
Selimi: Janë munduar t’u dalin në ndihmë sportistëve MKRS-ja dhe qeveria, por ka mundësi edhe me shumë të rriten ndihmat dhe të mos kemi shuarje të klubeve. Aktivitetet sportive që i japin dinamikë jetës duhet të vazhdojnë, por me kujdes maksimal derisa të zhduket virusi që e ka trazuar mbarë botën.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

“Epoka e re”: Pavarësisht prej problemeve, xhudistët vazhdojnë të shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare, pa përjashtuar edhe disa sporte të tjera. A mund të kemi në një të ardhme të afërt ndonjë sport kolektiv që, krahas xhudos, të arrijë suksese në skenën ndërkombëtare?
Selimi: Mendoj se dëshira është më e madhe se realiteti, por shpresojmë që në një të ardhme edhe në futboll të shkëlqejmë dhe të arrijmë suksese historike. Na duhet të punojmë më shumë me gjeneratat e reja si në sportet individuale, po ashtu edhe në ato kolektive.

“Epoka e re”: Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ishte shumë afër një suksesi historik, por u eliminua nga Maqedonia. Më pas rezultatet munguan thuajse përgjatë gjithë vitit. Sipas jush, cili ishte faktori kryesor i rënies së formës së përfaqësueses?
Selimi: Ka shumë faktorë, njëri nga ta është mungesa e disa prej futbollistëve kryesor. Ne si një përfaqësuese e re nuk e kemi të lehtë zëvendësimin e menjëhershëm të lojtarëve kryesorë, por jam optimist se kemi një të ardhme të ndritur me përfaqësuesen ku shumë futbollistë janë pjesë e klubeve të mëdha në futbollin evropian dhe pritet shumë nga ta, pra të sigurohet pjesëmarrja në një eveniment të madh sportiv.

“Epoka e re”: Në futboll po vlerësohet se ka ngritje të cilësisë, sidomos pas pjesëmarrjes së klubeve në garat ndërkombëtare, derisa në sportet e tjera kjo po vërehet më pak. Cili është komenti juaj?
Selimi: Kemi ngritje të cilësisë në futboll, por edhe në disa sporte të tjera. Mirëpo ende jemi larg organizimeve të mirëfillta dhe afatgjata. Nuk mund të punohet me një planifikim gjashtëmujor apo njëvjeçar, por një projekt serioz kërkon kohë më të gjatë që të implementohet.

“Epoka e re”: Klubet e futbollit kanë marrë pjesë në garat evropiane, sikurse edhe ato të hendbollit. Si i vlerësoni paraqitjet e tyre?
Selimi: Deri tash nuk kanë treguar rezultatet e pritura, por duhet më shumë punë për organizim që kemi rezultate shumë më të mira. Si vend kemi potencial dhe sportistë të talentuar, vetëm duhet të punojmë më shumë për organizim të klubeve sportive dhe t’i kushtojmë kujdes punës me talentët e rinj.

“Epoka e re”: Kur jemi te talentët e rinj në Kosovë, çfarë u rekomandoni atyre?
Selimi: Ne kemi shumë sportistë që po bëjnë karrierë të suksesshme në Evropë. Të rinjtë tanë, nëse duhan të kenë karrierë të suksesshme ndërkombëtare, duhet ta marrin si model Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Haxhi Krasniqin, por edhe Vedat Muriqin dhe Amir Rrahmanin të cilët nga sporti vendor kanë arritur që me hapa të sigurt dhe punë e disiplinë të madhe të arrijnë deri te një prej kampionateve më të forta evropiane, Seria A. Vendi ynë shquhet si vatër e talentëve vetëm që duhet punë për të arritur majat në sport.

“Epoka e re”: Në të kaluarën keni drejtuar me sukses disa klube të futbollit, por që një kohë të gjatë jeni duke qëndruar i heshtur. A do ta merrni drejtimin e ndonjë skuadre në fillim të vitit 2021?
Selimi: Them të drejtën, oferta kam pasur në vazhdimësi, por jam shumë i zënë me punët në fakultet dhe Kampionatin Botëror të Hendbollit që do të mbahet në vitin 2022 në Prishtinë. Futbolli po më mungon shumë dhe normalisht se do të rikthehem një ditë, por tash për tash nuk mund të jap ndonjë datë të caktuar.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Behxhet Shala në një kolumne të gjatë të shkruar…