Serbi i dënuar arratiset dhe i bashkohet ushtrisë ruse në Ukrainë

02 dhjetor 2025 | 07:46

Novak Stjepanoviq, i dënuar përfundimisht në Serbi për krime lufte kundër civilëve në Bratunac të BeH gjatë vitit 1992, i është bashkuar ushtrisë ruse në Ukrainë duke iu shmangur vuajtjes së dënimit prej 13 vitesh burg.

Hetimi i medias hulumtuese ‘Detektor’ zbulon se ai ka qëndruar i lirë dhe ka udhëtuar jashtë vendit pa asnjë pengesë ligjore, pasi autoritetet serbe nuk i vendosën asnjë masë ndalimi për dalje nga vendi, pavarësisht rrezikut të qartë të arratisjes, transmeton KosovaPress.

Stjepanoviq u dënua nga gjykata e apelit të i Beogradit më 13 qershor 2025 për torturimin, plaçkitjen dhe vrasjen e civilëve të kapur në Bratunac, si dhe për dhunimin e një vajze 19-vjeçare. Por, sipas konfirmimit të institucioneve serbe për ‘Detektor’, ai kurrë nuk u paraqit në burg, dhe në mënyrë të pazakontë për raste të tilla, nuk iu shqiptua masë sigurimi, si ndalimi i largimit nga Serbia.

Ndërkohë, që nga prilli i 2025-s, Stjepanoviq publikonte rregullisht foto në Facebook nga territori i kontrolluar nga Rusia në Ukrainë, duke pozuar me uniformë dhe armatim të ushtrisë ruse.

Siç raportohet, ai ka mbërritur në Khanty-Mansijsknë Rusi në prill 2025, ku më pas dyshohet se ka nënshkruar kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë. Në pamjet e tjera shihet në Donjeck dhe zonën e luftimeve rreth Pokrovskut, ku ka raportuar se është plagosur.

Edina Kariq, dëshmitare boshnjake e krimeve për të cilat u dënua Stjepanoviq, i tha ‘Detektor’ se është e tronditur që ai ka qenë i lirë dhe ka udhëtuar jashtë Serbisë.

“Kam humbur çdo besim te drejtësia. Ai ka pasur mbrojtje dhe ka ikur si hero, jo si kriminel lufte.”

Ekspertët e FHP në Beograd theksuan se rasti është “jashtëzakonisht problematik”, duke treguar se sistemi serb rrallë cakton masa sigurie për të pandehurit për krime lufte — edhe kur ekziston rrezik i qartë arratisjeje.

Postimi i tij i fundit në Facebook është nga 24 maji 2025, ku tregon plagën e dorës dhe shkruan se “shërimi po shkon sipas vullnetit të Zotit”. Që atëherë, vendndodhja e tij mbetet e paidentifikuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nivelet e përgjithshme të varfërisë kanë rënë në të gjithë…