Serbia ia cakton një muaj paraburgim kosovarit për të cilin pretendon se ishte pjesë e UÇK-së, reagon MPJD

25 korrik 2025 | 21:08

Gjykata e Lartë në Beograd i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, shtetasit të Kosovës, Lulzim Halili, i cili u arrestua në Serbi më 22 korrik. Sipas autoriteteve serbe, ai dyshohet për krime lufte.

Për këtë ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konfirmon se Gjykata e Lartë e Beogradit, përkatësisht Departamenti për Krime të Luftës, më 24 korrik 2025, i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh shtetasit të Republikës së Kosovës, z. Lulzim Halili, i arrestuar nga autoritetet serbe më 22 korrik 2025. Sipas njoftimit të Prokurorisë së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, z. Halili ngarkohet me akuza për “organizimin dhe nxitjen e kryerjes së krimeve të luftës dhe gjenocidit”, të përcaktuara në Nenin 145, paragrafi 2, në lidhje me Nenin 1 të Kodit Penal të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë.”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

Sipas Ministrisë, meqë tashmë është konfirmuar se ndaj Halilit është iniciuar procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të paraqesë menjëherë kërkesë zyrtare pranë Gjykatës së Lartë të Beogradit, Departamenti për Krime të Luftës, për ta vizituar atë në Qendrën e Paraburgimit të kësaj gjykate, ku po mbahet aktualisht.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastin dhe do të mbajë të informuar opinionin publik për çdo zhvillim të mëtejshëm.”, thuhet në reagim.Reporteri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica – Xhelili…