
Serbia merr gati dy miliardë euro hua për të paguar avionët ‘Rafale’
Ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Malli, tha se vendi i tij do të marrë hua rreth 1.9 miliard euro nga bankat e huaja, për të bërë pagesën e plotë të 12 avionëve luftarakë, “Rafale”, të blerë nga Franca.
Duke folur në një seancë të Kuvendit të Serbisë, agjenda e së cilës përfshinte konfirmimin e marrëveshjes së kredisë, Malli tha se dy paradhëniet e para për prokurimin, tashmë i janë paguar palës franceze.
Ai tha se Serbia do të marrë avionin e parë “Rafale” në fillim të vitit 2028 dhe, më pas, çdo muaj nga një, raporton “REL”.
“Më 12 avionë luftarakë shumëfunksionalë, ne do të përmirësojmë aviacionin dhe ushtrinë”, tha Malli.
Qeveria e Serbisë, nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, arriti marrëveshje për blerjen e këtyre avionëve me kompaninë franceze, Dassault Aviation, në gusht të vitit 2024.
Blerja e 12 avionëve francezë dhe mjeteve të tjera shoqëruese i kushtoi 2.7 miliardë euro.
Prej kësaj shume, 823.5 milionë euro ose e gjithë paradhënia është paguar.
Për borxhin e ri, huadhënëse fillestare do të jenë disa banka dhe institucione kreditore franceze.
Blerja e këtyre avionëve u dakordua gjatë vizitës së presidentit francez, Emmanuel Macron, në Serbi, në gusht të vitit 2024.
Me këtë blerje, Serbia, për herë të parë, futi avionë perëndimorë në aviacionin e saj ushtarak.
Serbia bashkëpunon me anëtarët e NATO-s përmes Programit të Partneritetit për Paqe që nga viti 2006, por zyrtarët në Beograd këmbëngulin se vendi i tyre është ushtarakisht neutral.
Në prill të vitit 2024, kur po zhvilloheshin negociatat me Francën për blerjen e avionëve “Rafale”, Ministria serbe e Mbrojtjes tha se kjo nuk nënkupton ndonjë ndryshim në orientimin ushtarak të vendit.