Serbia shkarkon anëtarin e bordit të RYCO-s, shkak pjesëmarrja në takimin në Kosovë

13 mars 11:35

Serbia ka shkarkuar Milica Skiljeviq, anëtar i bordit drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor RYCO, vetëm pse ky i fundit ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në takimin e sotëm të kësaj organizate në Kosovë.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për medie për të njoftuar për shkarkimin e anëtarit serb nga bordi i RYCO-s derisa e ka quajtur shqetësuese ndërhyrjen e politikës në këtë bord.

“Kosova në vitin 2019 e kryeson një nga proceset më të rëndësishme siç është RYCO. Është fat i mirë që të gjitha shtetet anëtarë të RYCO-s kanë pasur përfaqësuesit e tyre, por mbrëmë në orët e vona jemi njoftuar se njëri nga anëtarët e Serbisë është shkarkuar vetëm pse e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim dhe mosprezenca e tij ka bërë që ky takim mos të vazhdojë sepse nuk ka pasur kuorum”.

“Ky është një lajm shumë i keq sepse Kosova ka qenë e përkushtuar që ta shtyj përpara misionin e RYCO dhe mua si kryesues i këtij bordi është jashtëzakonisht zhgënjyese veprimi i Serbisë dhe shfrytëzimi i temave politike”, ka thënë Gashi.

Gashi i ka bërë thirrje Berlinit që t’i bëjë presion Serbisë që të mos i pengojë proceset e RYCO-s.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara