Serbisë t’i bëhet trysni për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

23 janar 2018 | 11:36

Këshilltari i kryeministrit i emëruar edhe mbajtës i dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, ka realizuar një vizitë zyrtare në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për t’u njoftuar mbi punën dhe angazhimin e këtij instituti.

Në këtë takim është diskutuar në veçanti mbi angazhimin e ekspertëve mjekoligjor të Republikës së Kosovës dhe ekspertëve të EULEX-it, në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Drejtori Arsim Gërxhaliu dhe antropologia mjekoligjore e EULEX-it, Tarja Formisto, në hollësi kanë prezantuar punën e deritanishme të ekspertëve mjekoligjor, duke vënë theksin në procesin e inventarizimit të mbetjeve mortore të paidentifikuara që vazhdojnë të jenë nën kujdesin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe në rastet e proceduara në terren si rezultat i të gjeturave gjatë procesit të inventarizimit.

Mbajtësi i dosjes për çështjen e personave të zhdukur duke vlerësuar punën e deritanishme, ka shprehur përkrahjen e vazhdueshme të kryeministrit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të gjitha institucionet kompetente të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, në përpjekjen e përbashkët që familjet dhe familjarët e personave të zhdukur të mësojnë sa më parë për fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Po në këtë takim është diskutuar edhe mbi sfidat me të cilat përballet në përgjithësi procesi i ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, e në veçanti procesi i trajtimit profesional të mbetjeve mortore të paidentifikuara, e që para se gjithash ndërlidhet me mungesën e informacioneve të besueshme, mungesën e mostrave të gjakut për një numër të rasteve dhe keqidentifikimet e mundshme.

Në adresim të këtyre sfidave, mbajtësi i dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, ka kërkuar nga ekspertët e EULEX-it dhe nga bashkësia ndërkombëtare që përmes mekanizmave kompetent institucional të shtohet trysnia ndaj institucioneve të Serbisë që të jenë më bashkëpunuese në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Gjithashtu është kërkuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore që të përgatitet lista e familjarëve të personave të zhdukur, që janë duke refuzuar dhënien e mostrave të gjakut, duke vështirësuar kështu mundësitë e identifikimit te të afërmeve të tyre të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, si dhe dërgimin e propozimeve të ekspertëve mjekoligjor, sipas afateve të caktuara gjatë takimit të përbashkët konsultativ të mbajtur gjatë javës së kaluar, në mënyrë të veçantë propozimet mbi mundësinë e identifikimit të mbetjeve mortore çështje kjo që do të vazhdojë të trajtohet me prioritet të veçantë në kuadër të procesit të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Alexis Sanchez pas transferimit në Manchester United, ka thënë…