
Sermaxhaj: Challandesi nuk e bëri zgjedhjen e lojtarëve të Superligës
Trajneri dhe analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, ka hedhur dyshime se trajneri Bernard Challandes i ka ftuar lojtarët e Superligës, pasi strategu zviceran e ka përcjellë shumë pak kampionatin vendor.
Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Bernard Challandes, e ka bërë publike listën e futbollistëve për ndeshjen miqësore kundër Suedisë më 12 janar në Doha të Katarit. Ndryshe nga e kaluara, për këtë ndeshje trajneri Challandes ka ftuar 13 futbollistë që angazhohen në klubet e IPKO Superligës së Kosovës në futboll.
Analisti dhe trajneri i futbollit, Genc Sermaxhaj, ka thënë për gazetë se beson pak në atë se trajneri zviceran i zgjodhi këta futbollistë për faktin se ai shumë pak e ka përcjellë elitën e futbollit të Kosovës. “Nuk mund të them saktë, por nuk besoj se Challandesi ka ndikuar në zgjedhjen e këtyre lojtarëve sepse ai shumë pak e ka përcjellë ligën tonë”, ka thënë Sermaxhaj.
Në lidhje me përzgjedhjen e futbollistëve, Genc Sermaxhaj ka deklaruar se disa futbollistë janë ftuar për shkak se janë të rinj. Ai beson se është dashur të ftohen edhe lojtarët e tjerë që kanë qenë pjesë e formacionit të vitit në Superligë. “Mendoj se mosha e një lojtari ka pak rëndësi nëse ai luan në nivelin e kërkuar. Përzgjedhësit ndoshta e kanë marrë si ide që të ftohen më shumë lojtarët më të ri për një mundësi për të ardhmen sesa lojtarët në moshë. Mendoj se është dashur të ftohen lojtarët e përzgjedhur si më të mirët e këtij viti të Superligës, që t’u jepet mundësia ta veshin fanellën e Kosovës dhe ta ndiejnë edhe ata ndjenjën e futbollistit përfaqësues, ngase në të ardhmen nuk mund ta kenë këtë mundësi”, ka deklaruar Sermaxhaj. “Ata që kanë bërë përzgjedhjen e kësaj liste duhet të dalin dhe të tregojnë se për çfarë arsyeje janë ftuar këta apo ata lojtarë dhe normalisht që duhet dhënë përgjegjësi për ndonjë dështim eventual si shenjë arsyetimi për lojtarët e moshuar dhe djersën e tyre në ligën e Kosovës të cilët janë dëshmuar me vite”, ka përfunduar Sermaxhaj.
Në Përfaqësuese nuk është ftuar futbollisti më i mirë i Superligës dhe golashënuesi i vitit, Kastriot Rexha, kurse mungojnë edhe Arbër Prekazi, Përparim Islami, Visar Berisha, Mendurim Hoti dhe Xhevdet Shabani. Nga elita e futbollit të Kosovës janë ftuar Visar Bekaj, Florian Smakiqi, Leotrim Bekteshi, Lapidar Lladrovci, Armend Thaqi, Edison Kqiku, Albert Dabiqaj, Arbër Hoxha, Albin Krasniqi, Valimr Veliu, Jetmir Topalli, Blend Baftiu dhe Arb Manaj.
/Veton ZYMBERI/