Sfidat e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës

11 tetor 2019 | 14:40

Shkruajnë: Mr.sc. Valdrin Ferizi dhe Mr.sc. Valdrin Agaj

Zhvillimet e fundit në skenën politike, dorëheqja e ish kryeminstrit Ramush Haradinaj dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare, e në anën tjetër Serbia me politikën e saj të jashtme të egër duke lobuar kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizata Ndërkombëtare si dhe lufta për çʹnjohjen e Republikës së Kosovës, bëri që Kosova të vendos tarifën doganore prej qind për qind ndaj mallërave me origjinë serbe dhe boshnjake. Të gjitha këto zhvillime u bënë shkaktar që procesi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet, prandaj mund të themi që qeveria e re gjendet përballë dy sfidave e që janë: sfida në rrafshin ndërkombëtar dhe në rrafshin e brendshëm.

Sfida e parë: Kërkon unitet politik në vend, përmes së cilës do duhej koordinuar veprimet deklarative dhe vendimet institucionale përballë qasjes ndërkombëtare për Kosovën dhe bisedimet Kosovë-Serbi. Faktori ndërkombëtar me në krye Shtetet e Bashkura të Amerikës janë tejet të interesuar për zgjidhjen e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë për të garantuar kështu paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm politik në Ballkanin Perëndimor.
Përkitazi me këto zhvillime SHBA-të kanë emëruar të dërguarin e posaqëm Richard Grenell, të dërguar të administratës së saj si përfaqësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo qartazi na jep të kuptojmë që SHBA-të do jenë pjesë e drejtpedrejtë e këtij procesi dhe se vetëm me marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, mundemi të ecim tutje drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian për tu bërë pjesë e familjes së gjerë europiane.

Sfida e dytë ndërlidhet me programin qeverisës të Kosovës, e cila fokus të veqantë ka reformat e brendshme e ato janë: sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik. Sundimi i ligjit do të thotë në radhë të parë ekzistimi i ligjeve të njohura për popullin dhe ekzistimi i ligjeve jodiskriminuese. Vetëm ekzistimi i thjeshtë i tyre nuk do të thotë asgjë, nëse ato ligje nuk do të jenë të zbatueshme në praktikë.

Përveq sundimit të ligjit, gjykimi i drejtë dhe siguria njerëzore janë parimet kryesore të cilat janë të ndërlidhura ngushtë njëra me tjetrën. Gjykimi i drejtë përfshin pavarësinë si dhe paanshmërinë e organeve të gjyqësorit përgjatë zbatimit të vendimeve të tyre. Ndërsa, siguria njerëzore nuk mund të realizohet pa sundimin e ligjit dhe pa gjykimin e drejtë. Këto dy të fundit kontribuojnë në sigurinë personale të njeriut, ashtu siç garantojnë se askush nuk do të persekutohet ose arrestohet në mënyrë arbitrare. Secili ka të drejtë për gjykim të drejtë dhe gjyqtarë të pavarur e të paanshëm.

Sa i përket zhvillimit ekonomik, një nga parimet bazë të shoqërive demokratike është funksionimi i tregut të lirë, e që thelbi i këtij parimi është që biznesi do të qeveriset dhe do të funksionojë mbi bazën e ligjeve të kërkesës dhe ofertës e jo nga kontrolli dhe planifikimi i centralizuar apo ndërhyrjet qeveritare nëpërmjet krijimit të rregullave favorizuese apo subvencionimi i bizneseve individuale apo grupeve të caktuara prej tyre. Më pastaj, përmirësimi i klimës së biznesit, politikave dhe lehtësirave ndaj tij nëpërmjet thjeshtëzimit të procedurave dhe rregullave lidhur me biznesin. Një komponentë tjetër shumë e rëndësishme në mirëfunksionimin e tregut të lirë, është konkurrenca e ndershme e subjekteve ekonomike që operojnë në treg në raport me njëra tjetrën në mënyrë që të kenë hapësirë të barabartë gjatë konkurimit të tyre. Gjithashtu, duke formuar strategji konkrete nëpërmjet ofrimit të mundësive të reja në shfrytëzimin e burimeve që nga ato tradicionale, historike, natyrore e njerëzore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NASA ka projektuar në vitin 2033 zbarkimin e parë të…