‘S’guxojmë ta shkelim ligjin në emër të drejtësisë’, Hajdari me kritika ndaj Prokurorisë Speciale

31 korrik 2025 | 16:17

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, është deklaruar përsëri në lidhje me intervistimin e saj në Prokurorinë Speciale, por kësaj radhe në “Facebook”.

“Sot jam ftuar për intervistë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka siguruar rezervën shtetërore të mallrave, në kohën kur ishim të pambrojtur në këtë aspekt. Me agresionin rus ndaj Ukrainës shtetet kishin mbyllur kufijtë e tyre dhe ndalur eksportin e produkteve thelbësore për jetesë. Ishte jashtëzakonisht e rëndë të siguroheshin rezervat e ushqimit për popullatën tonë. Si çështje e sigurisë publike, e ashtu siç e kërkon ligji, ky proces u klasifikua si sekret shtetëror”, ka shkruar ajo.

Hajdari ka thënë se për çështje të tilla nuk është raportuar drejt asnjëherë.

“Tani për këtë proces jetik merrem në pyetje nga Prokuroria Speciale, nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Nuk mund të mos e them, që për çështjet e këtilla, me shumë interes për publikun, nuk është raportuar drejt asnjëherë”, ka shkruar Hajdari, duke shtuar se dy policë hetues i kanë marrë materialin, ku kishte edhe dokumente sekrete.

“Procesi i blerjes së produkteve thelbësore për rezervën shtetërore të mallrave, është klasifikuar si SEKRET, se ashtu e kërkon ligji, siç e kërkon siguria publike. Asnjë person nuk mund të ketë qasje në dokumente të klasifikuar pa certifikatë të sigurisë. Në rastin e MINT, dy policë hetues pa certifikatë të sigurisë, pra pa leje për qasje në këto dokumente, kanë marrë materialin brenda 1 ore në MINT, duke u thirr në autorizimin e prokurorit të PSRK-së Valdet Gashi. Të kuptohemi qartë: nuk jemi kundër asnjë hetimi për çfarëdo çështje në interes të publikut. Këtu jemi për të shërbyer e dhënë llogari për veprimet tona, por assesi nuk guxojmë, asnjëri prej nesh, e as Prokuroria Speciale e Kosovës, të shkelim ligjin në emër të drejtësisë”, ka shkruar Hajdari.

Më tutje, ajo ka thënë se IPK-ja ka konstatuar që policët hetues nuk kanë qenë të pajisur me certifikatën e  sigurisë së nivelit sekret. Ajo ka thënë se prokurori Valdet Gashi i ka liruar policët nga përgjegjësia.

“Këtë gjë, pra shkeljen ligjore me veprimet e policëve hetues, e ka konstatuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, duke konfirmuar që dy policët hetues nuk ishin të pajisur me certifikatën e sigurisë të nivelit SEKRET. Inspektorati Policor i Kosovës, ka dërguar këtë Raport Informues në Prokurorinë Speciale dhe ka kërkuar nga e njëjta udhëzimet e mëtejme për këtë rast. Por vetë prokurori Valdet Gashi i ka liruar policët nga përgjegjësia. Edhe pse kemi të dokumentuar pranimin e tij që gjendet në konflikt interesi në këtë rast, ai sërish vendos ta mbyllë lëndën e nisur nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe kundërligjshëm liron nga përgjegjësia penale shërbyesit e vet.  Pra, vet prokurori Gashi shkel ligjin. Vet autorizon paligjshëm, vet i liron përgjegjësit nga përgjegjësia”, ka shkruar Hajdari.

Ajo ka thënë se kanë kërkuar hetim nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

“Ne MINT kemi kërkuar hetim nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe vërtetimin e konfliktit të interesit. Me çështjet e sigurisë nuk duhet luajtur e as manipuluar. Konfliktin e interesit do ta dëshmojmë dhe do të kërkojmë veprime në emër të së drejtës e të drejtësisë”.

“Prandaj, nuk është e saktë që jam mbrojtur në heshtje dhe këtë gjë po ashtu e kam të dokumentuar me procesverbal, ku kam shprehur vullnetin tim të plotë që t’iu përgjigjem prokurorëve në kushte të krijuara sipas ligjeve në fuqi lidhur me rezervat shtetërore të mallrave. Por jo nën rrethana paligjshmërie, konflikti të interesit e manipulimit të qëllimshëm të opinionit publik rreth çështjes së rezervës shtetërore, që nga vera e vitit 2023.  Ju faleminderit për kujdesin dhe përkrahjen e vazhdueshme!”, ka shkruar Hajdari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i Bayern Munich, Alphonso Davies, ka rifilluar mëngjesin e…