Shaban Ramaj jep betimin si asambleist në Pejë: Falënderon qytetarët për besimin
Shaban Ramaj ka marrë sot betimin si asambleist i Komunës së Pejës, pasi për herë të parë siguroi ulëse në Kuvendin Komunal nga radhët e AAK-së në zgjedhjet lokale të tetorit. Ramaj ka falënderuar qytetarët për besimin, duke theksuar se shërbimi ndaj vendit ka qenë dhe mbetet obligim i tij moral e qytetar.
Ramaj, i zgjedhur asambleist nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e tetorit, ka dhënë sot betimin zyrtar në seancën konstituive të Kuvendit Komunal të Pejës.
Përmes një njoftimi publik, Ramaj ka deklaruar se ky është betimi i tij i parë si asambleist, por jo i pari në shërbim të vendit, duke kujtuar angazhimin e tij që nga fëmijëria e deri te pjesëmarrja në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Njoftimi i plotë i Shaban Ramajt:
“Unë, Shaban Ramaj, është hera e parë që betohem si asambleist, por nuk është hera e parë që betohem për shërbim ndaj atdheut.
Betimin e parë e kam dhënë në familje si fëmijë dhe si i ri, që do të ruaj e kultivoj vlerat familjare.
Betimin e dytë e kam dhënë në UÇK, që do të luftoj me nder dhe përkushtim deri në arritjen e lirisë.
Sot, me datë 10.12.2025, po jap betimin e radhës si asambleist. Andaj BETOHEM që do t’i kryej të gjitha detyrat dhe obligimet që dalin nga kjo pozitë me nder dhe përkushtim, pa dallim ndaj secilit qytetar.
Faleminderit të gjithë atyre që ma besuan votën për këtë pozitë.
I juaji, Shabi”





