Shala i PDK-së: Vetëvendosje vazhdon ta cenojë rendin kushtetues të Kosovës

12 gusht 2025 | 14:30

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta cenojë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, me deklarime e me veprime, siç është vërtetuar edhe nga vet aktgjykimi i fundit.

Ai ka thënë se çështja “Laban” është “tentim për të shpërqendruar fokusin nga tema e vërtetë: që themelimi i institucioneve është peng i Albin Kurtit dhe partisë së tij”.

“Sa i përket gjyqtarit të Kushtetueses, presidentja dhe Albin Kurti e kanë për obligim t’i shpalosin faktet dhe informatat që kanë pranuar nga institucionet e sigurisë, kuptohet, nëse ato ekzistojnë. Ngërçi gjithmonë ka qenë politik e jo kushtetues. Për këtë arsye, është me rëndësi që të respektohet Kushtetuta dhe dispozitat që burojnë edhe nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Albin Kurti, si fitues i zgjedhjeve, e ka për obligim t’i sigurojë shumicën parlamentare për të votuar kryetarin/en e Kuvendit dhe qeverinë.  Në mungesë të votave, ai ka zgjedhur bllokadën. Dialogu politik është zgjidhja e vetme, mirëpo për të duhen parime dhe sinqeritet, gjë që i ka munguar partisë që ka dalë e para në zgjedhje”, ka shkruar Shala në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë emisionit “NonSoloMercato” në “Rai2”, Luciano Spalletti foli edhe për…