
Shala: Sanksionet e BE-së kanë bllokuar mbi 300 milionë euro
Për shkak të mungesës së konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve, deputeti nga radhët e PDK-së Ferat Shala, ka thënë se miliona euro fonde ndërkombëtare mbeten të bllokuara, duke ndikuar në stagnimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Shala për gazetën “Blic” ka thënë se mungesa e konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve pas zgjedhjeve ka krijuar një vakum institucional, duke ndikuar negativisht në ekonominë e vendit, pasi që projektet po mbeten të parealizuara për shkak të kësaj situate.
“Sigurisht që mungesa e konstituimit të Kuvendit, gjegjësisht e institucioneve të dala pas procesit zgjedhor, ka krijuar një situatë vakumi institucional dhe ka krijuar një situatë jo të favorshme për ekonominë e vendit dhe për të gjitha institucionet e tjera që kanë qenë direkt dhe indirekt të varura nga buxheti i konsoliduar i shtetit”.
“Nga shkalla e investimeve, nga mënyra e realizimit të projekteve, nga problematikat e thithjes së fondeve të Bashkimit Evropian e kështu me radhë. Pra, në total kemi qindra miliona euro që ne kemi mundur t’i kemi sot në implementim, por që fatkeqësisht sot fondet e caktuara kanë mbetur të parealizuara, të paalokura nga institucionet ndërkombëtare për shkak të mungesës së institucioneve”, ka thënë Shala.
Shala ka thënë se ndërprerja e fondeve ndërkombëtare, përfshirë fondin MSSI dhe fondet e mjedisit, ka bllokuar mbi 300 milionë euro.
Ai gjithashtu ka kritikuar korrupsionin në projekte infrastrukturore si një pengesë kryesore për zhvillimin.