ShBA arreston një tjetër shkencëtare kineze, akuzohet për kontrabandë të materialeve biologjike

10 qershor 2025 | 08:22

Autoritetet amerikane kanë arrestuar një shkencëtare kineze sapo ajo mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Detroitit, duke shënuar rastin e dytë brenda disa ditësh që përfshin përpjekje të dyshuara për kontrabandimin e materialeve biologjike në Shtetet e Bashkuara.

Sipas një padie të bërë publike, shkencëtarja akuzohet se më parë kishte dërguar materiale biologjike drejt një laboratori të Universitetit të Miçiganit, pa lejen e nevojshme të qeverisë amerikane.

FBI deklaroi se materialet në fjalë lidhen me lloje të veçanta krimbash dhe kërkojnë autorizim të posaçëm për import.

“Udhëzimet për importimin e materialeve biologjike për qëllime kërkimore janë të rrepta dhe të qarta. Shkelje të tilla rrezikojnë integritetin e punës kërkimore dhe minojnë përpjekjet e studiuesve të tjerë ndërkombëtarë që veprojnë në përputhje me ligjin,” deklaroi John Nowak nga Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së.

Shkencëtarja, e cila ndjek një program të avancuar në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë Huazhong në Wuhan, kishte planifikuar të kalonte një vit në Universitetin e Miçiganit për të përfunduar një projekt kërkimor. Ajo u arrestua dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.

Autoritetet sqaruan se zarfet e dërguara nga ajo, përfshirë një që ishte fshehur brenda një libri, ishin kapur dhe hapur në dy raste të ndryshme gjatë vitit të kaluar.

Nuk është bërë e ditur nëse materiali ishte i rrezikshëm, por Prokurori i SHBA-së, Jerome Gorgon Jr., theksoi se kontrabanda e tillë përbën “kërcënim për sigurinë kombëtare”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot hapet edicioni i radhës i Panairit të Përgjithshëm “Prishtina…