SHBA filloi sot de-rusizimin dhe de-kinëzimin e Venezuelës dhe Amerikës Latine
Shkruan: Agron Hoti
Pas de-rusizimit të Kaukazit Jugor, ku Azerbajxhani riktheu territoret që ishin nën Armeni, pas de-rusizimit të theksuar të Lindjes së Mesme përmes de-iranizimit të botës arabe (që çoi në çlirimin e Sirisë) ku tashmë pritet të rrëzohet edhe regjimi në Iran, si dhe pas de-rusizimit të Evropës përmes frenimit (pra dështimit) të Rusisë në Ukrainë, SHBA tashmë ka filluar de-rusizimin dhe de-kinëzimin e Amerikë Latine me epiqendrën e saj në Venezuelë dhe pse jo edhe në Kubë.
Prezenca e theksuar e Rusisë dhe pse jo edhe e Kinës brenda dhe përreth brigjeve të Venezuelës përbën kërcënim të drejtpërdrejtë të sigurisë kombëtare të SHBA-së. SHBA me asnjë çmim s’do të lejojë që resurset e mëdha të Venezuelës të bien nën kontrollin rus apo kinez. Njëjtë ka vepruar SHBA edhe në Lindje të Mesme, ku nga 1945 deri në 2025 ka parandaluar rrëshqitjen e resurseve të këtij rajoni nën BRSS/Rusi, Kinë apo Iran. Presioni diplomatik, izolimi, sanksionet dhe sulmet ushtarake brenda dhe përreth Venezuelës do të kontribuojnë në rrëzimin e regjimit të Maduros dhe kthimin e Venezuelës kah SHBA.
E tëra kjo po ndodh në përputhje me Strategjinë për Siguri Kombëtare të SHBA-së 2025, përmes së cilës SHBA ka projektuar përqendrim më të madh në Indo-Pacifik e më pak në Evropë dhe Lindje të Mesme. Amerika Latine bashkë me Venezuelën janë pjesë e Pacifikut Lindor, ku SHBA do të projektojë forcë për de-rusizimin dhe de-kinëzimin e këtij kontinenti. Nga sot kjo po bëhet realitet.
Çfarëdo de-rusizimi dhe de-kinëzimi pa marrë parasysh se ku ndodh në glob, është lajm shumë i mirë për shqiptarët dhe Perëndimin. Mjerisht skena politike në Kosovë ka rënë në heshtje varri për Strategjinë për Siguri Kombëtare të SHBA-së 2025. A.H.



