
ShBA-ja do t’i paguajë 5 milionë dollarë familjes së Ashli Babbitt që u qëllua për vdekje
Administrata Trump ka rënë dakord të paguajë 5 milionë dollarësh për familjen e Ashli Babbitt, një veterane e Forcave Ajrore Amerikane, e cila u qëllua dhe u vra nga një oficer policie i Kapitolit ndërsa po hynte në Kongresin Amerikan më 6 janar 2021.
Shefi i Policisë së Kapitolit, Tom Manger, i tha CBS, se është “jashtëzakonisht i zhgënjyer” me vendimin. Oficeri i përfshirë në të shtënat e saj është liruar nga çdo shkelje.
Marrëveshja zgjidh një padi prej 30 milionë dollarësh për vdekje të padrejtë, të ngritur nga familja e Babbitt dhe grupi konservator i aktivistëve Judicial Watch.
Mijëra mbështetës të Trump u mblodhën në Kapitolin Amerikan më 6 janar, në një përpjekje për të ndaluar certifikimin e fitores së Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020, transmeton Telegrafi.
Babbitt ishte pjesë e një grupi që thyen dritare në një përpjekje për të hyrë në dhomën e Dhomës së Përfaqësuesve ndërsa ajo ishte ende në seancë, duke i detyruar ligjvënësit të vononin certifikimin dhe të iknin për siguri.
Videoja e incidentit tregon se ajo është qëlluar në shpatull pasi u përpoq të ngjitej nëpër një derë. Ajo më vonë vdiq në spital. Padia për vdekje të padrejtë e ngritur nga familja e Babbitt pretendonte se vendimi për të hapur zjarr nga oficeri i policisë së Kapitolit, Michael Byrd, ishte neglizhent dhe se duart e Babbitt ishin lart kur ajo u qëllua.
Anëtarët e familjes thonë se Babbitt u motivua të vinte në Kapitol nga pretendimet e Trump për mashtrim zgjedhor. Nuk ka dalë kurrë asnjë provë për mashtrim të përhapur në zgjedhjet e vitit 2020.
Byrd më parë mbrojti veprimin për të qëlluar me armën e tij, duke thënë se grupi i ligjvënësve dhe sigurisë “ishin në thelb të bllokuar” dhe “nuk kishin asnjë mënyrë për t’u tërhequr”.
Në gusht 2021, një shqyrtim i policisë së Kapitolit zbuloi se vendimi i Byrd shpëtoi jetë dhe ishte në përputhje me trajnimin dhe procedurat e policisë. Një shqyrtim i departamentit të Drejtësisë gjithashtu nuk gjeti prova për ndonjë shkelje të policisë.
Në mars, Trump i tha agjencisë konservatore të lajmeve Newsmax se është “një fans i madh i Ashli Babbitt” dhe se ajo ishte “e pafajshme aty” kur u qëllua.
“Dhe një burrë i bëri diçka të paimagjinueshme asaj kur e qëlloi, dhe mendoj se është një turp”, tha ai, duke premtuar se do të “shqyrtojë” padinë e ngritur nga familja e saj.