ShBA-ja e shqetësuar për bashkëpunimin e Malit të Zi me Kinën në fushën kibernetike

24 korrik 2025 | 16:15

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga raportet për bashkëpunim mes Universitetit të Malit të Zi dhe Qendrës Kombëtare Kineze të Superkompjuterëve Gjinan, thotë Departamenti amerikan i Shtetit (DASh) për Radion Evropa e Lirë.

“Ky institucion drejtohet nga Universiteti Kombëtar i Teknologjisë së Mbrojtjes i Kinës, i cili është nën sanksione nga Departamenti i Tregtisë i ShBA-së”, thuhet në përgjigje.

Më 18 korrik, Universiteti shtetëror i Malit të Zi nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me këtë qendër në fushën e kriptografisë, atë të inteligjencës artificiale dhe të sigurisë kibernetike.

DASh-i thekson se Mali i Zi është aleat i NATO-s dhe lider në ndërtimin e kapaciteteve rajonale kibernetike.

“Partneritetet e tij në fusha të ndjeshme, si inteligjenca artificiale dhe siguria kibernetike, duhet të jenë në përputhje me prioritetet e përbashkëta të NATO-s në siguri dhe të shmangin bashkëpunimin me subjekte të lidhura me përpjekjet e Kinës për modernizim ushtarak”, sipas DASh-it.

Ky departament thekson, po ashtu, se është e rëndësishme që “institucionet akademike dhe kërkimore të miratojnë masa të forta sigurie, duke përfshirë, por pa u kufizuar në verifikimin e bashkëpunimeve dhe lidhjeve të tyre të mundshme me subjektet shqetësuese”.

Përndryshe, nënshkruesi i memorandumit, rektori i Universitetit të Malit të Zi, Vlladimir Bozhoviq, mori doktoraturën në SHBA pikërisht në fushën e matematikës dhe kriptografisë dhe shkencës së metodave dhe parimeve të enkriptimit.

Gjatë studimeve, ai punoi gjithashtu si studiues në Qendrën për Kriptologji dhe Siguri të Informacionit (CCIS).

Rektori i Universitetit të Malit të Zi, Vlladimir Bozhoviq.
Rektori i Universitetit të Malit të Zi, Vlladimir Bozhoviq.

Zyra e Rektorit nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse e konsideron si problematik nënshkrimin e memorandumit me një kompani nën sanksione, marrë parasysh se Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe seli e Qendrës Rajonale për Kapacitete Kibernetike.

Megjithatë, kjo nuk është e vetmja kompani ose institucion kinez me të cilin Universiteti i Malit të Zi po forcon bashkëpunimin, e që është edhe nën sanksione të SHBA-së.

Bashkëpunimi me kompanitë kineze të teknologjisë informative (IT)

Një delegacion nga Universiteti i Malit të Zi, i udhëhequr nga rektori Bozhoviq, qëndroi në Kinë në dhjetor të vitit të kaluar, ku, përveç universiteteve lokale, vizitoi edhe kompanitë Alibaba Cloud dhe Hikvision.

Universiteti i Malit të Zi tha se ata prezantuan produktet e tyre në fushën e teknologjisë ‘cloud’ dhe të inteligjencës artificiale.

Alibaba Cloud është kompania më e madhe në këtë fushë në Azi dhe e katërta në botë.

E dyta, Hikvision – të cilën Universiteti i Malit të Zi e cilëson si lider global në fushën e mbikëqyrjes me video – është në listën e zezë tregtare që nga viti 2019 dhe nën sanksione që nga viti 2021. Pajisjet e kësaj kompanie janë përfshirë, po ashtu, në listën e atyre që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të ShBA-së.

Parlamenti Evropian i hoqi kamerat e saj nga përdorimi në vitin 2021, ndërsa disa vende evropiane ndaluan përdorimin e pajisjeve të saj në administratën shtetërore.

Kompania tha atëkohë se kamerat e saj “përputhen me rregullat dhe rregulloret në fuqi të vendeve në të cilat operojmë” dhe “u nënshtrohen kërkesave të rrepta të sigurisë”.

Mali i Zi – qendra rajonale për kapacitetet kibernetike

Në të njëjtin muaj kur delegacioni i Malit të Zi vizitoi Kinën, në kompleksin universitar u hap Qendra Rajonale e Kapaciteteve Kibernetike (WB3C).

Themelimi i kësaj qendre u iniciua nga Franca dhe Sllovenia – anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Në një kohë kur kërcënimet kibernetike po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe të përhapura, është e domosdoshme që ta pajisim këtë rajon me mjetet e nevojshme, për t’i luftuar në mënyrë efektive këto sfida”, tha në hapje zëvendëskryeministrja sllovene, Tanja Fajon.

Në kryerjen e trajnimeve në tri fusha – siguri kibernetike, krim kibernetik dhe diplomaci kibernetike – marrin pjesë ekspertë sllovenë, francezë dhe rajonalë.

Qendra, pos tjerash, organizon një kurs trajnimi njëvjeçar në fushën e forenzikës digjitale për hetuesit e policisë.

Universiteti i Malit të Zi thotë se ka pasur rol kyç në marrjen e vendimit për të pasur selinë e saj në këtë vend.

Përpara se ta kishte hapësirën e vet, qendra zhvilloi trajnime në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Malit të Zi.

Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë refuzoi të komentonte mbi memorandumin mes Universitetit të Malit të Zi dhe qendrës kineze, ndërsa Ambasada franceze nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë.

Pajtueshmëria me sanksionet e BE-së

Përveç shteteve anëtare si Sllovenia dhe Franca, Malit të Zi i ofron mbështetje në fushën e sigurisë kibernetike edhe vetë BE-ja.

Më herët, Komisioni Evropian kishte njoftuar se Mali i Zi e kishte bërë prioritet sigurinë kibernetike për vitin 2023.

Një vit më parë, infrastruktura shtetërore e teknologjisë informative të Malit të Zi ishte shënjestër e sulmeve të mëdha kibernetike.

Mali i Zi, sipas raportit të KE-së për vitin 2024, ka bërë përparim të konsiderueshëm në parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik, duke i përfshirë edhe dy padi nga Zyra e Prokurorit Special në këtë fushë.

Si hap pozitiv vlerësohet edhe bashkimi i Malit të Zi me sanksionet e KE-së, për shkak të sulmeve kibernetike që kërcënojnë BE-në.

Në mesin e të sanksionuarve ka edhe qytetarë dhe kompani kineze.

Për të mbështetur sigurinë kibernetike të Malit të Zi, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, hapi Qendrën e Operacioneve të Sigurisë në Podgoricë, në tetor të vitit 2024, e cila u financua gjithashtu nga fondet e BE-së.

Mali i Zi është edhe anëtar i Qendrës së Ekselencës së NATO-s për Mbrojtjen Bashkëpunuese Kibernetike, me seli në Talin të Estonisë.

Komisioni Evropian dhe NATO-ja nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar mbi bashkëpunimin e Universitetit shtetëror të Malit të Zi me kompanitë kineze që janë nën sanksione të ShBA-së.

Nga Universiteti, Radio Evropa e Lirë mori përgjigje automatike në email, e cila shpjegon se janë në pushim deri në gjysmë të gushtit.

Radio Evropa e Lirë u dërgoi pyetje edhe dy ministrive në Qeverinë e Malit të Zi: Ministrisë së Arsimit, e cila është përgjegjëse për punën e Universitetit, dhe Ministrisë së Administratës Publike, e cila është përgjegjëse për sigurinë e informacionit.

Përgjigje mori vetëm nga kjo e fundit.

Rreziqe të mundshme për sigurinë

Ministria e Administratës Publike nuk ka autoritet institucional mbi Universitetin shtetëror, por monitoron me kujdes të gjitha fenomenet që mund të kenë ndikim në sigurinë ose në hapësirën digjitale të Malit të Zi, thotë ndihmësi i ministrit, Dushan Polloviq.

Ai është përgjegjës për sigurinë e informacionit në këtë ministri.

“Në këtë kontekst, çdo bashkëpunim – veçanërisht në fusha të ndjeshme si siguria kibernetike dhe inteligjenca artificiale – duhet të konsiderohet përmes prizmit të rreziqeve të mundshme të sigurisë dhe përafrimit strategjik me prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi”, thotë Polloviq.

Ai shton se Mali i Zi, si anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE, është qartazi i përkushtuar për të bashkëpunuar me aleatët dhe partnerët që ndajnë vlera, standarde dhe parime demokratike në fushën e sigurisë kibernetike dhe inteligjencës artificiale.

Thekson, po ashtu, se NATO-ja e trajton sigurinë kibernetike si pjesë të sigurisë kombëtare, të cilës i referohet edhe Neni 5, i cili parashikon mbrojtje kolektive në rast të sulmit ndaj një anëtari.

“Ndaj, pres që të gjitha institucionet përkatëse, kur krijojnë këto forma bashkëpunimi, t’i marrin në konsideratë pasojat e mundshme për interesat kombëtare dhe sigurinë digjitale të shtetit”, thotë Polloviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se Mali i Zi, nëpërmjet Ligjit për komunikimet elektronike, ka rregulluar kufizimin e prokurimit dhe përdorimit të pajisjeve nga një prodhues i caktuar, i cili konsiderohet se ka pasoja të dëmshme për sigurinë kombëtare.

Mali i Zi, aktualisht, po punon për zhvillimin e një strategjie për inteligjencën artificiale, e cila do të ndihmohet nga ShBA-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Atletja e Kosovës, Erisë Avdullahu, ka qenë e pafat në…