
Shefi i EULEX-it i ashpër ndaj Kurtit: Sulmet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve janë të papranueshme
Shefi i Eulex’it, Giovanni Pietro Barbano, ka reaguar ndaj gjuhës së përdorur nga Kryeministri në detyrë, njëherit kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, përkatësisht sulmeve në adresë të Gjykatës Kushtetuese, por edhe Prokurorisë së shtetit.
Barbano, në një reagim në platformën “x”, ka thënë se pavarësia e gjyqtarëve duhet të respektohet nga të gjithë dhe në çdo kohë, shkruan Reporteri.net.
Ai i ka cilësuar si të papranueshme sulmet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Pavarësia e gjyqësorit është një nga shtyllat themelore të shtetit të së drejtës: pavarësia e gjyqtarëve duhet të respektohet nga të gjithë, në çdo kohë. Ndërhyrja e panevojshnme përmes sulmeve personale që synojnë drejtpërdrejt gjyqtarët dhe prokurorët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre është gjithmonë e papranueshme”, ka shkruar Barbano.
Edhe vetë Kushtetuesja doli me reagim sot për sulmet që iu bënë nga dy figurat kryesore të VV’së, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.
Kushtetuesja i cilësoi deklaratat e tyre si të pamatura, duke shtuar se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës.
“Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet në reagim.
Sa i përket vendimeve, Kushtetuesja ka thënë se ato bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
“Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit. Gjykata apelon tek të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues. Vetëm përmes respektimit të këtij parimi themelor mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagim.
Ndryshe, Kurti tha se Gjykata Kushtetuese po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj VV’së.
“Në mes të mandatit tonë që s’po përfundon dhe mandatit të ri që s’po fillon, të nderuar delegatë të KP të VV’së, e dimë që ndodhet Gjykata Kushtetuese e cila po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj VV’së. Meqë tash u zgjodh kryetari i kuvendit dhe 4 nënkryetarë gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së LS paarsyeshëm besoj dhe unë dhe kërkoi që 120 deputetë të republikës, merreni me mend, të vegjetojnë deri më 30 shtator, plot 25 ditë kot. Kjo është ngjashëm sikur ministri ynë i shëndetësisë Arben Vitia të lëshojë një vendim mjekësor që ata 7 gjyqtarë duhet të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar të tyre. Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë nëse është më shumë absurd apo më shumë e dëmshme kjo masë 25 ditore. Por që është edhe shumë absurde edhe shumë e dëmshme nuk kam dyshime”, tha Kurti.
Kurse, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca paralajmëroi se Gjykata Kushtetuese mund ta bëjë një “tradhti shtetërore” ndërsa foli për aktgjykimin që deri në fund të muajit pritet ta marrë instanca më e lartë gjyqësore, që është mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, lidhur me mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
“Tash gjykata është para një vendimi të madh. Kushtetuta nuk i jep kurrfarë supremacie në relacion me Kryesinë e Kuvendit partisë fituese të serbëve. Prandaj gjykata nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja”, tha ai.
“Por skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, do të thoja unë. Një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jep peng i Listës Serbe”, tha Konjufca. /Reporteri.net/.