
Shefi i EULEX-it: Ligji për Mbikëqyrje Elektronike nuk po zbatohet
Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, ka bërë me dije se Ligji për Mbikëqyrje Elektronike nuk po zbatohet në praktikë.
Në debatin “Pajisjet elektronike: fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”, të organizuar nga Lëvizja FOL, ai ka thënë se institucionet kompetente duhet të shikojnë mundësinë e zbatimit të këtij ligji.
“Kosova tashmë ka një ligj për mbikëqyrjen e elektronikës, personi të cilit i është kufizuar lëvizja me vendim të gjykatës[…]Si të përdoren mjetet e survejimit elektronik si pjesë e sistemit të drejtësisë, dhe objektivi, natyrisht, është gjurmimi i atyre që kanë kryer vepra penale dhe që dyshohen ose mund të kryejnë përsëri vepra të tilla. Me sa kam unë njohuri, ky ligj për mbikëqyrjen e elektronikës është kryesisht një ligj në letër. Nuk është i vetmi, dhe jo vetëm këtu në Kosovë, që ka mbetur në letër, por tani 5-6 vjet pasi u miratua, është koha për të parë se si mund të zbatohet. Sigurisht, këtu po e shikoj në veçanti Policinë e Kosovës por edhe Gjyqësorin në përgjithësi që duhet të vendosë se si të ecet përpara”, ka deklaruar ai.