
Shefi i Mercedesit ‘harron Imolan’: Në Montekarlo kemi shanse për të fituar
Gara e fundit e Formula 1 zhvilluar në pistën e Imola ka qenë një makth për makinën Mercedesin, që nuk arriti të tregojë asgjë. Kimi Antonelli, që garonte në shtëpinë e tij, pati probleme në makinën e tij dhe u detyrua ta mbyllë garën më herët.
Ndërsa George Russell, që nisej nga vendi i tretë, u klasifikua në të shtatin. Për Toto Wolff, shefin e makinës gjermane, gara e radhës në Montekarlo është një mundësi e mirë për t’u rikthyer si protagonist, pasi këtë vit pilotët janë të detyruar të ndalojnë dy herë për ndërrimin e gomave.
“Pas një gare të vështirë në Itali, ne kemi mundësinë të rikthehemi menjëherë në Monako. Do të punojmë shumë, shpejt dhe me efikasitet, për të kuptuar se çfarë mund të bëjmë më mirë”, ka thënë Wolff. “Ne e dimë se Monaco është një sfidë shumë e ndryshme. Kualifikimi është absolutisht vendimtar dhe ka qenë një pikë e fortë për ne këtë vit. Kjo është inkurajuese, por nuk do të thotë asgjë nëse nuk mund ta bëjmë punën tonë në rrugën e duhur”, ka shtuar shefi i Mercedes.
“Kemi parë se sa konkurruese ishte e shtuna këtë vit dhe në Monako konkurrenca është gjithmonë më intensive. Ne do të duhet të jemi në maksimumin tonë për të pasur një shans për të luftuar për një rezultat të mirë të dielën. Dy ndalesat e detyrueshme do të shtojnë emocionin e garës”, ka deklaruar Wolff.