Shëmbëlltyra mendore

22 shkurt 16:07

Agron M. Rexhepi MD, MSc, PhD

Shëmbëlltyra mendore paraqet imagjinatën, paramendimin e sportistëve për vetën e tyre se ndodhen në një ambient specifik apo se janë duke e mësuar, stërvitur apo duke e ekzekutuar një lëvizje apo pjesë të lëvizjes specifike. Shëmbëlltyra mund të arrihet përmes meditimit. Sportistët që arrijnë të realizojnë shëmbëlltyrën (përfytyrimin) mendor, do të kënaqen me aktivitetin dhe performansën e tyre.

Sportistët duhet tentuar që plotësisht, me tërë shqisat e veta (me të menduarit, të shikuarit, të dëgjuarit, të nuhaturit, të prekurit), të hyjnë në shëmbëlltyrën mendore, të arrijnë një vetëkoncentrim të lartë, të përfytyrojnë realizimin e aktivitetit fizik ashtu siç do të kishin pasur dëshirë që ta realizonin në jetën reale.
Kur sportisti ndodhet në gjendjen e relaksimit të plotë, pjesërisht, hyn në përfytyrimin mendor (pra kusht i rëndësishëm për realizimin e përfytyrimit–shëmbëlltyrës mendore është arritja e gjendjes së relaksimit të plotë).

Përfytyrimi (shëmbëlltyra) mendore mund të përdoret:
• Për të parë suksesin. Shumë sportistë e “shohin” vetën e tyre duke i arritur qëllimet e veta (në ngritjen e aftësive të tyre në nivel të lartë dhe duke i “parë” sukseset e dëshiruara);
• Për t’u motivuar. Para ose gjatë seancave stërvitore duke “thirrur” në rikujtesë shëmbëlltyrën mendore lidhur me një garë të ardhshme apo të kaluar, do të ngjallen objektivat e atletit, me ç’gjë do të ndikohet me motivacion në rritjen e intensitetit të stërvitjes;
• Përkryerja e aftësive. Shëmbëlltyra mendore shpesh përdoret për të lehtësuar mësimin dhe përmirësimin e një shkathtësie (teknike) apo të një sekuence të saj. Sportistët kulmorë e “shohin dhe e ndjejnë” vetveten duke i perfeksionuar shkathtësitë e tyre, programet dhe rutinën e punës;
• Për t’u njohur me garën, me kompleksitetin e lojës (aktivitetit fizik), me planin para-garues, me planin e fokusuar në ngjarje, me rifokusim, me planin për intervistë me media, me strategjinë e cila planifikohet të ndiqet;
• Për të përcaktuar fazat për performansë. Shëmbëlltyra mendore shpesh është pjesë integruese e planit para-garues, e cila ndihmon në fiksimin e fazave mendore për arritjen e performansave të mira. Sportistët bëjnë kategorizimin (klasifikimin) e plotë mendor të të gjitha elementeve kyçe për arritjen e performansës së tyre. Kjo ndihmon fokusimin në punë, aktivizimin e të gjitha ndjenjave para-garuese, si dhe në mbajtjen anash të mendimeve negative, duke i penguar të interferojnë në fokusimin para-garues;
• Për rifokusim. Shëmbëlltyra mendore ndihmon edhe për rifokusim kur paraqitet nevoja. P.sh. nëse faza e nxehjes është më e ngadalshme, shёmbёlltyra mendore e një performanse të kaluar më të mirë, apo i një fokusimi me ndjenja në ndonjë ngjarje të kaluar më të mirë, mund të ndihmojë në arritjen performansës së dëshiruar.
Si të zbatohet shëmbëlltyra mendore?
Që të ketë sukses zbatimi i shëmbëlltyrës mendore, duhet që çdo ditë të përdoret kjo metodë, rrugës për në stërvitje, gjatë stërvitjeve, pas stërvitjeve, si dhe në mbrëmje, para se të bie në gjumë.

Nëse dëshirohet që të perfeksionohet metoda e shëmbëlltyrës mendore dhe të zbatohet në jetë me sukses, duhet bërë dy gjëra:
1. Në çdo seancë stërvitore, para se të ekzekutohet ndonjë teknikë, shkathtësi apo lëvizje komplekse, së pari duhet bërë atë lëvizje në imagjinatë në mënyrë sa më perfekte dhe precize që është e mundur. Është me rëndësi që në mendje të shihen, të ndjehen dhe të përjetohen lëvizjet e aktivitetit ashtu siç do të dëshironim që kjo të ndodhte në realitet;
2. Në gara, para se të fillojë ngjarja sportive, duhet rikujtuar plani i fokusimit (përqendrimit) në ngjarje, loja në kuptim të plotë, aftësitë, lëvizjet, reaksionet apo ndjenjat me të cilat dëshirohet qasja në këtë ngjarje.
Në psikologjinë sportive preferohet që trajnerët, gjatë stërvitjeve, të përdorin (bërtasin, thërrasin me zë të lartë) një fjalë apo një fjali të njëjtë, e cila shërben për rifokusimin e sportistëve. Kjo metodë është relativisht e suksesshme, por lypset kohë dhe përsëritje e vazhdueshme për regjistrimin e saj në memorien e sportistit.
Shëmbëlltyra mendore mund të jetë e dobishme në shumë aspekte:
• Zhvillohet vetëbesimi;
• Ndikohet pozitivisht në fazën e rikuperimit;
• Zhvillohet strategjia para-garuese dhe garuese, e cila i mëson sportistët të ballafaqohen me situata të reja para se ata aktualisht të ndeshen me te;
• Ndihmon sportistët të koncentrohen (përqendrojnë vëmendjen) në sekuencat e lëvizjeve specifike, të cilat dëshirohet të mësohen apo të zhvillohen. Kjo mund të zbatohet gjatë ose pas seancës stërvitore;
• Arrihet vetëkontrolli i dëshiruar gjatë situatave garuese.
Psikologu Jeff Simons preferon një rregull të thjeshtë, i cili i mundëson sportistit, që 30 sekonda para garës, të bëjë një “zgjim mendor”. Ky zgjim mendor bazohet në tre faktorë: faktorin fizik, emocional dhe përqendrues (fokusues).
Çdo sportist (psh. sprinteri) që donë të bëjë zgjimin mendor duhet të këshillohet të veprojë si vijon:
• Mbylli sytë, kthjelloje mendjen dhe mbaje frymëkëmbimin ritmik dhe të thellë (frymëmarrje me hundë dhe frymënxjerrje me gojë) – faktori fizik;
• Përkujtoje fitoren në garën e kaluar, paramendoje vetën duke e kaluar cakun i pari dhe suksesin që do të arrihej – faktori emocional;
• Ktheje përqendrimin (fokusohu) në startimin e sprintit, mendo në eksplodimin tënd në të dëgjuarit e shkronjës së parë “B” nga krisma “Bang” si shenjë startuese – faktori përqendrues (fokusues).

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Gjimnastikës së Kosovës (FGJK), nëpërmjet një njoftimi për…