
Shemsi Elezi pezullohet nga Autoriteti i Konkurrencës, reagon me akuza ndaj drejtorit që e kishte sulmur fizikisht
Komisioni Disiplinor i Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës (AKK) ka marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të Shemsi Elezit, Inspektor Hetues i Konkurrencës në Divizionin e Marrëveshjeve të Ndaluara të Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut.
Pezullimi do të zgjasë 30 ditë, duke hyrë në fuqi nga nesër dhe duke përfunduar më 6 nëntor 2025. Vendimi është i paankueshëm
Në arsyetimin e vendimit të Komisionit Disiplinor thuhet se gjatë datave 25 shtator dhe 6 tetor 2025, janë pranuar pesë kërkesa nga drejtues të AKK-së për fillimin e procedurës disiplinore ndaj Elezit.
Shkeljet që i atribuohen përfshijnë: shkelje të etikës profesionale, dëmtim të reputacionit të institucionit, mospërmbushje të detyrave të punës, neglizhencë dhe mosrespektim të afateve të raportimit.
Pas publikimit të vendimit, Shemsi Elezi ka reaguar ashpër, duke bërë akuza të drejtpërdrejta ndaj drejtorit të përgjithshëm të AKK-së, Seladin Beqa.

Elezi për Telegrafin thotë se Beqa ka dy aktakuza aktive për veprat penale gjatë ushtrimit të detyrës së tij në Autoritet, njëra për sulm fizik ndaj Elezit dhe tjetra për pengim të ushtrimit të drejtësisë nga një palë tjetër.
Sipas Elezit, Beqa nuk është pezulluar në kohën e duhur, por madje është ngritur në pozitën e drejtorit të përgjithshëm pas këtyre ngjarjeve.
Elezi shton se që nga ngritja e Beqës në pozitë, ai ka qenë subjekt i pengesave të vazhdueshme në punë, përfshirë masa disiplinore të përsëritura, vërejtje me shkrim, komisione disiplinore dhe ndërhyrje të padrejta nga drejtuesit e lartë të institucionit.
Ai deklaron se ka bërë kallëzime penale dhe ka kërkuar vazhdimisht zbatimin e ligjit për zyrtarët publikë, por pa sukses.
Elezi thekson se ai ka ndjekur të gjitha rrugët ligjore për mbrojtje, duke përfshirë institucionet e pavarura si Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Kosovës, Agjencia Antikorrupsion, Departamenti i Menaxhimit Zyrtar Publik, si dhe Avokatin e Popullit.
Ai vlerëson se ka vepruar si sinjalizues i mbrojtur me ligj, duke raportuar shkeljet dhe abuzimet brenda institucionit, por që veprimet e tij janë injoruar ose penguar nga Beqa dhe udhëheqësia e AKK-së.
Sipas Elezit, vendimi i Komisionit Disiplinor është i motivuar për të dëmtuar dhe ka për qëllim të pengojë të drejtat e tij ligjore, përfshirë qasjen në dokumente dhe pjesëmarrjen në procedurat e punës.
Komisioni Disiplinor konstaton se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga nëpunësi civil Shemsi Elezi, ndaj të cilit ka filluar procedura disiplinore, është duke penguar hetimin disiplinor, andaj vendosi pezullimin e tij të përkohshëm (me pagesë 100% të pagës bruto) deri në marrjen e vendimit përfundimtar, si në dispozitiv të vendimit. Vendimi hynë në fuqi ditën e nënshkrimit.
Elezi përgënjeshtron komisionin diciplonor se ka pengur ose është duke penguar hetimin diciplinor, dhe për këtë duhet ofruar prova.
Ai thotë se provat e paraqitura nga ai nuk janë marrë parasysh dhe se vendimi pengon veprimtarinë e tij të mëtejshme si inspektor hetues.
Autoriteti i Konkurrencës ende nuk ka dhënë një koment publik lidhur me deklaratat e Elezit dhe vendimin e Komisionit Disiplinor, ndërsa çështja pritet të ketë zhvillime të mëtejshme ligjore dhe disiplinore.

