SHËNDETI APO LIRIA?

31 mars 2020 | 16:20

Shkruan: Daut Demaku

A është e vërtetë se ka fat në fatkeqësi?

A është e vërtetë se vuajtja sjell lumturinë?

Desha të them kështu: Lexuesi im, ti e di që të dua shumë, prandaj, sot, të kërkoj falje. Sot, para teje do të jenë germat e shkrimit tim, të formësuara në fjalë e në fjali, por, ama, që të gjitha do të jenë – PA LIDHJE. Me të vërtetë – krejt pa lidhje!

Edhe ti që po i lexon këta rreshta, hiç mos i tharto turinjtë, se, edhe ti, sikur unë – je krejt pa lidhje! Pikë.

Por: nuk e thashë!

Desha të them: Ligjet e Zotit, të Universit, të Natyrës, të Jetës – thoni qysh të doni – janë të përsosura dhe të përhershme. Këto ligje kanë për bazë dyshen e amshueshme, që nuk ndryshon kurrë.

Prej njëqelizorëve e deri te gjithësia, të gjitha ligjet, ndërtohen nga polaritetet: pozitiv-negativ, ditë-natë, femër-mashkull, mirë-keq, bukuri-shëmti, ying-yang…

Por: as këtë nuk e thashë!

E çka po dua të them dhe çka po them?

Po dua të them dhe PO THEM. Dy sferat e mendjes së njeriut janë të ndara në: pozitë dhe opozitë. (Edhe mendja ime është e këtillë)

Këtë desha dhe dua ta them, prandaj ju ftoj (a nuk po kemi kohë, a? Jo, valla, ne as në karantinë – nuk kemi kohë!)  që të uleni rehat, lirshëm, me qetësi e dashuri, dhe ta dëgjoni e të lexoni se çka thotë pozita e çka thotë opozita!

Vendimet (votimet) i keni në dorë ju. Ju vendosni për kë jeni, me kë jeni dhe kë DUHET ta respektoni.

Ju premtoj se dialogu do të jetë i filigranuar, shumë fisnik, me nivel të lartë të respektit e kulturës. Nuk lejohen rrugaçëria e injoranca. Por vetëm ajo që është fine, art.

Pozita dhe opozita, dy sferat e mendjes, përbëjnë ekzistencën. Pa përplasje mes këtyre dy polariteteve, nuk mund të ketë jetë të mirë njerëzore. Më falni, gabim, sepse pa SOVRANIN, MBRETIN, asgjë e mirë nuk mund të ndodhë. E kush është mbreti midis këtyre dy sferave të mendjes? Është mendja MBRET, vetëdija.

Kjo mendje jeni ju, lexues, sepse ju jeni populli, sovrani, mbreti!

A të fillojmë, pra?

Vetëdija e shtron pyetjen e parë: cila është vlera e parë e jetës: liria apo shëndeti?

POZITA: Të dashur, të nderuar e të respektuar, ju e ju e ju e – ju. Edhe ju atje.

Pikëpamjet tona të POZITËS thonë kështu: Krejt bota jonë shqiptare, kjo bota e bukur shqiptare, që ta kënaq shpirtin e zemrën – lufton për liri, për pavarësi, për komb e për shtet. A nuk është mrekulli? Është. Pa pikë dyshimi.

Të gjithë brezat e historisë sonë, me shekuj, luftuan për liri e pavarësi. U sakrifikuan. U vranë. Dhanë më të shtrenjtën e njeriut – jetën, për liri! Prandaj, e kemi për detyrë, kombëtare e njerëzore, që t’i nderojmë e t’i respektojmë dhe kurrë, kurrë përjetë të jetëve të mos i harrojmë!

OPOZITA: Të dashur, të nderuar e të respektuar, ju e ju e ju e – ju. Edhe ju atje.

Pikëpamjet tona të OPOZITËS thonë kështu: Në listimin e prioriteteve (përparësive, sepse fjalët në shqip sipas pozitës duhet të jenë në vend të dytë!), liria nuk është në vendin e parë.

Në vendin e parë, pa as edhe një fije dyshimi, duhet të vendoset SHËNDETI. Por, ju që jeni në pozitë, e dihet qysh e keni fituar këtë pozitë, jeni debilë, jeni idiotë, jeni të paditur, prandaj edhe jeni sipërfaqësorë, lustër e reklamë, sepse nuk dini – JU NUK E DINI – se mbreti absolut i jetës së njeriut është shëndeti dhe pikë.

POZITA: Të dashur, të nderuar e të respektuar ju e ju e ju e – ju. Edhe ju atje.

Ju mjeranët e opozitës jeni aq të cekët, aq mendje të pa zhvilluara, ose thënë shqip (pasi po insistoni për terminologji shqipe), ju jeni mendërisht të mangët, sepse të thuash se paska diçka më të madhe, më me vlerë dhe më qenësore si liria, jo, kjo është blasfemi e kulluar. Kjo është antikombëtare, antinjerëzore, antikushtetuese!

Duke qenë të këtillë, ju keni mbetur në opozitë, ju ka dënuar sovrani dhe dokrrat tuaja nuk janë asgjë tjetër, përveç: përralla për fëmijë. Por populli ynë i shtrenjtë dhe i shenjtë, nuk e ha këtë marifet, që bart me vete të gjitha shëmtitë e mendjeve të sëmura!

OPOZITA: Të dashur, të nderuar e të respektuar, ju e ju e ju e – ju. Edhe ju atje.

E përfunduat fjalimin tuaj mjeran me frazën “mendje të sëmura”. Shihni sa mirë e demantuat vetveten, sepse ju njëmend jeni mendje të sëmura.

Ne, si opozitë, po ju themi: Asnjë njeriu të gjallë mbi sipërfaqe të tokës nuk i duhet as liria, as pavarësia, as shteti – por i duhet shëndeti. Kur një njeri është i sëmurë, i lig, i dobët, siç jeni ju – atij edhe t’ia dhurosh gjithë lirinë e botës, gjithë shtetet e botës dhe gjithë buxhetin e botës – nuk i duhen asgjë prej gjëje.

I sëmuri ka nevojë vetëm për shërim, për shëndet. Shëndeti është mbreti absolut i botës. E shëndeti vjen vetëm me ushqim të shëndetshëm.

Të gjithë pushtuesit, e midis tyre edhe ju, synojnë ta kenë të pushtuarin të lodhur, të lig, qyqar. A nuk ka thënë populli ynë i shenjtë dhe i shtrenjtë se ‘qyqani nuk ka as dyje as ahiret’? Ai është një leckë, një cofëtinë, që, herëdokur, atë do ta hedhë era në kontejnerët e mbeturinave. Sepse është qyqar, mjeran, sikur ju, dhe vetëm kur të jetë një qyqe e natës, vetëm atëherë mund ta shfrytëzojnë, mund ta mjelin – të gjithë – sikur lopën. Sa herë të duan dhe për sa kohë të duan.

Njeriu i sëmurë, njeriu i lig, njeriu i lodhur, ai bëhet shërbëtor i armikut, ai bëhet mercenar, që për një copë bukë e lë kryet në luftëra të huaja, ai është shëmtia e jetës dhe kurrë – përjetë – nuk do të arrijë të bëhet zotërues i vendit të vet, zot në tokën e vet, sikur ne shqiptarët qe pesë shekuj ishim shërbëtorë të Perandorisë Osmane, njëqind vjet shërbëtor të perandorisë serbe, tash – një Zot e di sa kohë – do të jemi shërbëtorë të Evropës.

Krejt kjo ndodh, sepse ju jeni të verbër, jeni të shkretë, jeni hajna e kriminelë, që ushqeheni me të vjellat e padronëve tuaj. Ju nuk mendoni për popullin e shtetin, ju mendoni për hajninë e pa fund, e nuk dini të ngopeni kurrë.

Thirrni mendjes, o të mjerë, pa ushqim të shëndetshëm – nuk ka shëndet. Pa shëndet nuk ka – jetë.

POZITA: Të dashur, të nderuar e të respektuar, ju e ju e ju e – ju. Edhe ju atje.

Tash po shihet qartazi, prej aeroplanit, se ne – në këtë Parlament – kemi përballë nivelin më të lartë të injorancës njerëzore. Çfarë deputetësh jeni ju, që shkelni me të dy këmbët mbi gjakun e brezave të shqiptarisë që luftuan për liri.

Ju e përdhosni Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, e përdhosni sakrificën shekullore të gjithë popullit tonë, krejt luftën e UÇK-së, martirë e dëshmorë, fëmijë, burra e gra që ranë në altarin e lirisë deri te komandanti legjendar Adem Jashari. Turp të keni. Turp.

Ju, me të vërtetë jeni të mjerë, kur thoni se në vendin e parë duhet të jetë ushqimi i shëndetshëm e jo liria, pavarësia, shteti dhe kombi.

A thua, a mund të gjendet edhe ndonjë Parlament kund në botë që të ketë një opozitë kaq injorante. Po, megjithatë, ju takon një falënderim, sepse po të mos ishte verbëria juaj, sigurisht nuk do të arrinim ta shihnim mrekullinë e punës sonë, si pozitë.

Lufta jonë për liri e pavarësi, për shtetndërtim, me gjithë popullin dhe miqtë tanë ndërkombëtarë – na bën të jemi krenarë për atë çka kemi arritur. Ne e sollëm lirinë, me ndihmën e aleatëve tanë dhe, po ashtu, me ndihmën e tyre – ne formuam institucionet, ne e bëmë shtetndërtimin.

Ne jemi nipat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që nuk ndalemi dhe nuk ka fuqi që mund ta pengojë ecjen tonë përpara.

E ju, një grusht i dështakëve të mjerë, që quheni opozitë, po dërdëllisni kot së koti dhe po mundoheni t’i hidhni hi syve këtij populli të vuajtur, me shpresën tuaj mjerane, se një ditë do të vini në pushtet ju, ju po mundoheni t’i dilni përpara hovit tonë?

OPOZITA: Të dashur, të nderuar e të respektuar, ju e ju e ju e – ju. Edhe ju atje.

Ju jeni nipat e Skënderbeut? Ju jeni pusat e Gjergj Kastriotit. Po të kishin qenë nipat e Skënderbeut, do të kishit ditur ta lexoni Skënderbeun.

Babai i kombit, kur erdhi në Krujë, tha: LIRIRNË NUK JUA SOLLA UNË, ATË E GJETA NË MESIN TUAJ!

Po ku dini ju t’i lexoni e t’i kuptoni thëniet e burrështetasve? Ai, për dijeninë tuaj të munguar, ka thënë: në njeriun është shëndeti, liria, dituria, shkenca, zhvillimi ekonomik, suksesi, lumturia – të gjitha janë në njeriun.

Po kujt ka pasur t’i thotë? Sepse, me vdekjen e Gjergjit dhe me largimin e ushtarakëve e fisnikëve të tij nga Shqipëria – vdiqën edhe mençuria dhe ardhmëria e kombit.

Ju i mbani në majë të gjuhës të gjitha sakrificat shekullore të kombit, deri tek ato të luftës së fundit – vetëm e vetëm për përfitime materiale, sepse jeni debilë dhe të pangopshëm.

Më mirë do ta kishim pasur të paguanim mercenarë për të luftuar për ne sesa që ju patëm ju – që me nga një pushkë të ndryshkët u sulët të hani çka hahet e çka nuk hahet në këtë Kosovën tonë të lodhtë.

Lërini varret të qeta, se me varre nuk ndërtohet shteti. Shteti ndërtohet duke e ndërtuar jetën e shëndetshme të qytetarëve të saj.

POZITA: Të dashur, të nderuar e të respektuar, ju e ju e ju e – ju. Edhe ju atje.

Kur njerëzit që nuk dinë, e përmendin emrin e një kolosi si Skënderbeu – ata bëjnë krim. Sepse nuk janë të denjë, nuk e kanë meritën as kapitalin që të mbështeten në emrin e dikujt që është një miliard herë më i madh se ata, atëherë kësaj i vjen era shëmti. Madje shëmti neveritëse.

Por, ju dëgjuam me shumë vëmendje, krejt çka thatë për Gjergjin e madh. Ju kemi dëgjuar me shpresë se mos po dilni edhe te përkrenarja e Gjergj Kastriotit dhe te koka e dhisë në atë përkrenare.

Atëherë, me të vërtetë do të bëheshit njerëzit më qesharakë në rruzullin e këtij planeti.

Veç ka munguar të thoni se koka e dhisë në përkrenare është shenjë, simbol i shpëtimit kombëtar. Eh, atëherë do ta merrnit vulën e marrëzisë dhe do të turpëroheshin edhe foshnjat në djep prej fjalës suaj të marrë.

Edhe kjo dhe vetëm kjo ka munguar që, në këtë parlament, të nënshkruhet sot diploma më e veçantë në botë – diploma e marrëzisë njerëzore.

OPOZITA: Të dashur, të nderuar e të respektuar, ju e ju e ju e – ju. Edhe ju atje.

Në qoftë se e ndërtojmë një piramidë me marrëzinë, atëherë në majë të asaj piramide do të duhej të vendoseshin pushtetarët tanë.

Me çfarë mllefi folën për dhinë dhe përkrenaren e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Këta të marrë nuk dinë as qysh duken MËNYRAT E MËSIMIT. Gjergji na ka mësuar me fjalë, me porosi, por edhe me shenja, me simbole. Mes këtyre simboleve dallohen koka e dhisë në përkrenare dhe Shpata e Gjergji, që ruhet në Vjenë.

Të ndalemi te dhia-simbol, porosi. Për ju dhe ata që po na dëgjojnë do të themi këtë: është një organ në trupin e njeriut që quhet MËLÇI. Mjekësia botërore, këtë organ e quan: LABORATORI QENDROR NË TRUPIN E NJERIUT. Mëlçia e shëndetshme i gjuan në hedhurina të gjitha llojet e dietave në botë, sepse është laboratori që i ndan helmet e ushqyeset.

Kur, ky organ, laboratori qendror i trupit të njeriut – dëmtohet ose sëmuret – i vetmi ilaç për regjenerimin e mëlçisë është qumështi i dhisë.

A po e shihni me sy sa e madhe, sa e thellë dhe sa gjithëpërfshirëse është mosdija e pushtetarëve tanë.

Gjergj Kastrioti ka thënë – mbajeni dhinë, Serbia na e ka ndaluar dhe ne i dëgjojmë këta debilët tanë dhe armikun tonë – e nuk e dëgjojmë babanë e kombit.

Kjo është për keqardhje, por nga mjeranët e pushtetit tonë – nuk mund të presim gjëra më të mira.

POZITA: Të dashur, të nderuar e të respektuar, ju e ju e ju e – ju. Edhe ju atje.

Nuk kemi çka t’ju themi tjetër përveç se jeni mjeranë të shkretë. Kapeni për një BISHT DHIE dhe aty përpiqeni ta gjeni shpëtimin, jeni mjeranë, pa diskutim.

Ne kemi ndërtuar autostrada, kemi ndërtuar universitete, kemi ndërtuar shkolla e spitale, kemi ndërtuar banesa për dyfishin e popullatës që ka Kosova, kemi ndërtuar institucione…

Ne, me investime të huaja, do të vazhdojmë ta ndërtojmë e ta zhvillojmë vendin tonë të bukur.

OPOZITA: Të dashur, të nderuar e të respektuar, ju e ju e ju e – ju. Edhe ju atje.

Po, kolegë të nderuar – PO! Keni ndërtuar autostrada, ku, për çdo ditë, njerëzit e sëmurë në krye – vdesin më shumë së në luftë.

Keni ndërtuar universitete për t’i blerë votat dhe për të shitur diploma, duke respektuar deri në dëshpërim atë dëshirën e armikut: “Shqiptarëve shkollën -po, dijen – jo”!

Keni ndërtuar banesa për njerëzit e sëmurë, që mezi ngjiten shkallëve.

Keni ndërtuar spitale dhe keni importuar spitale – sepse Kosova është vendi më i sëmurë në botë.

Po zbrazet Kosova me nga 30 mijë njerëz në vit.

Po doni ta zhvilloni Kosovën me investime të huaja, që gjithmonë e kanë për bazë shfrytëzimin dhe shndërrimin e vendit në koloni të huaj.

E ne po ju themi si ai bishti i dhisë, që ju nuk e kuptoni, është shpëtimi, sepse shteti do të zhvillohet me prodhimin e ushqimit të shëndetshëm.

Sepse, ju nuk e dini që nuk mund ta konkurroni Mercedesin, por mund të jemi konkurrent të vërtetë me prodhim të ushqimit të shëndetshëm. Ai bishti i dhisë është parashenjë e ushqimit që mban jetën e njeriut të shëndetshme.

Merrni shembull nga Sllovenia, një shtet i vogël, gjithnjë i pushtuar, por kurrë i robëruar.

Ose merreni shembullin e Shqipërisë, qe njëqind vjet shtet – e kurrë shtet për të qenë! Njëqind vjet shtet i lirë, e kurrë lirinë s’e ka parë me sy.

Sepse i ka dëgjuar armiqtë dhe nuk i ka dëgjuar këshillat babës Gjergj.

Oooo, lexues të dashur, oj mendja mbretërore, thuaje, moj, ndonjë fjalë, se na çmendën. Në vend se të na e ruajnë mendjen – pozita dhe opozita – na çmendën.

Para se të flisni ju, lexues, do t’i shtroj edhe këto pyetje: mos është virusi korona njëfarë shuplake që të kthjellohemi? Veç thashë, se unë nuk kam të drejtë vote. Jam spektator.

Tjetra: A ËSHTË E VËRTETË SE KA FAT NË FATKEQËS?

Dhe, e fundit: A ËSHTË E VËRTETË SE VUAJTJA SJELL LUMTURI?

Vetëdija do të thonte: edhe ajo edhe kjo, harmonia, barabari – është mençuri. E ju, lexues, çka mendoni?

Për Ju, Daut Demaku.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë rritur rastet e…