Shënime për “Ditarin” e Fatmir Toçit mbi pandeminë

25 prill 14:12

Shkruan: Behar Gjoka

Flama e shekullit të njëzetenjë, që u shfaq në muajt e fundit të vitit 2019, me emrin Koronavirus, e zuri të papërgatitur njerëzimin, po kaq secilin prej nesh. Fati i mbrapshtë, për të kaluar në kalvarin e tmerrit të koronës, si shumë njerëz, i ra për hise edhe Fatmir Toçit, njeriut të librit, si botues dhe autor librash, si dhe ish-deputet i parlamentit shqiptar në dy legjislatura.

Qenia njerëzore, e gjendur në vorbullën e ëndrrave dhe zhgjëndrrave, e besimit dhe mosbesimit, se virusi nuk ekziston, se është shpikje, se është “lëshuar” nga njeriu, apo edhe përfaqëson një zezomë, që bie njëherë në shekull, pra për shumë kohë u qarkëzuam në rrathët mosbesues, duke i lënë kohë që ai të bëjë kërdinë në jetët njerëzore.

Vetëm atëbotë kur Covid-19, preku njerëz të njohur dhe të afërm, njerëzimi u lëkund dhe nisi ta marrë më seriozisht lëngatën vrasëse, të këtij shekulli. Pastaj, masat e marra nga institucionet shëndetësore, nisën e po zbatoheshin më shumë, sidomos pati një përqendrim të vëmendjes te distancimi fizik dhe përdorimi i maskës, në mjedise të mbyllura dhe jashtë. Endja, mes frikës dhe “guximit” të marrë le të themi, mosbesimit dhe mëdyshjeve, kur virusi i frikshëm, preku të afërm, miqësinë dhe shokët, të njohur dhe figura të fushave të ndryshme, qenia njerëzore, pra edhe shqiptarët, që për ca kohë e morën me shaka, e trajtuan si një virus që e mund edhe rakia, zunë të kthjellohen. O Zot, çfarë prodhon marrëzia e mungesës së dijes, e rrëmujës totale që ka krijuar prania e Koronavirusit me disa valë dhe rrathë përqendrimi, me kaq shumë të sëmurë, me shumë humbje të jetëve të njerëzve të dashur.

Pra, vetëm pasi u prekëm nga virusi, nga shumë afër, nisëm të bindemi se është një gjendje reale, se Koronavirusi, vret pavarësisht moshës, bindjes së besimit. Faqet e librit Ditari i përballjes me Koronavirusin, i F. Toçit, dëshmojnë një përvojë personale, tepër të vështirë, të cilën autori, me përgjegjësi qytetare, tanimë e ndan me lexuesin, si një akt i pranisë dhe sensibilizimit të gjendjes së vështirë, në të cilën ra vetë ai, e ku gjendet shoqëria njerëzore, një betejë që vazhdon dhe nuk dihet sesa e gjatë do të jetë.

Ditari si formë ligjërimi

Forma e ditarit, si mënyrë shkrimi personale, gjithnjë sipas dijes teorike, është një shkallë komunikimi tejet specifike, që në këtë rast bart përvojën, sakrificën, praninë e gjendjes së pazakontë, e cila lidhet me dy aspekte:

E para, sepse kjo formë përçon përjetime personale, pra të një trajte subjektive, si situatë dhe atmosferë e një tmerri, ankthi të jashtëzakonshëm, para të cilit qenia njerëzore, u gjend e befasuar, madje u përgjunj dhe ishte e papërgatitur.

E dyta, njëherazi ditari është një mënyrë e veçantë komunikimi, e dëshmisë reale, të një përjetimi skajor, pra që bart ngasjen, si protagonist i situatave të vërteta, si dhe i disa gjendjeve dhe rrafsheve të objektivizuara, që lidhen më qëndrimin në spital, përkujdesjen e shtuar familjare dhe shoqërore.

Pra, ditari si formë ligjërimore, ndërlidh dhe gërsheton në hapësirën e tekstit, dy rrafshe, të subjektivitetit personal, si dhe të objektivitetit real, të ndodhive të autorit dhe të mjedisit përqark, si një gjendje jetësore.

Ditari i F. Toçit përcjell të plotë, me shumë detaje dhe ngjarje, te lexuesi përvojën personale të 55 ditëve, të makthit të papërshkrueshëm. Prekja prej Koronavirusit, një flamë e zezë, e cila zgjati shumë, me dhimbje dhe vuajtje, një kalvar i shtrirë në kohë të gjatë, sepse jemi para një virusi të pabesë që rrezikon dhe merr jetët njerëzore, pa grimën e mëshirës. Ditari i autorit, sjell pranë lexuesit, shenjat e para, lëndimin e papritur, vonesat dhe frikën, gabimet dhe hezitimet e autorit të librit, të cilat tanimë bartin një përvojë dhe dije të vuajtjes, përballë rrezikut që i kanoset qenies njerëzore, që duhet vlerësuar seriozisht secilën ditë.

Ditari, ndërkaq paraqet edhe reagimin e familjes dhe shoqërisë përballë këtij fakti tronditës, nga rreziku maksimal që iu kanos Fatmir Toçit në harkun e 55 ditëve. Mbi të gjitha, vuajtja e familjes, e Irenës, bashkëshortes dhe botueses, e fëmijëve dhe të afërmve, vjen i plotë bashkë me përkujdesjen për nevojat e shumta, për ta mundur virusin e tmerrshëm dhe dredharak. Po ashtu, në hapësirën e librit, të shkruar si ditar, gjendet edhe shqetësimi dhe interesimi i shoqërisë, i personaliteteve të kulturës dhe politikës, për shëndetin e Fatmir Toçit, mikut të tyre, njeriut të librit.

Megjithatë, Ditari është edhe një pasqyrë e ndihmës që dhanë institucionet shëndetësore, spitali ushtarak, ku bëri tamponin dhe mori përgjigjen se kishte dalë pozitiv, që nga vetë autori dhe të afërmit, u përjetua si tmerr.

Pastaj, vjen koha e shtrimit në spitalin “Shefqet Ndroqi”, që zë një hapësirë të gjerë, ku përjetoi kohën më të gjatë të lëngimit dhe shërimit, e prandaj autori, për mjekët, infermierët dhe gjithë personelin e spitalit, ka një vlerësim të veçantë, të cilin sa herë gjen mundësi e shpreh qartazi. Një vëmendje dhe mirënjohje e veçantë, në librin Ditari, shprehet për mjekun Pëllumb Pipero, që e ndoqi dhe u përkujdes në ditët e para, kur mori përgjigjen se ishte pozitiv.

Respekt dhe konsideratë të spikatur, krahasimisht me gjithë personelin shëndetësor, gjë që gjen vend në faqet e librit, ka shprehur për Prof. Perlat Kapisyzin, drejtor i spitalit dhe mjeku që e ndoqi në ditët e vështira, kur Koronavirusi, e mbante të mbërthyer në shtratin e spitalit. Po ashtu, shpërfaqet në tekstin e librit, edhe vlerësimi më i lartë, për mjekët, infermierët, dhe të gjithë personat që i shërbyen në ditët e vështira, kur qëndroi në spital.

Narrativa e Ditarit

Libri Ditari, përveç dy rrafsheve të pranishme, si prania e përjetimeve personale të ditëve të tmerrit, por edhe si dëshmi konkrete, pra thelbësisht jetësore, bart diçka më shumë, sesa një shkrim i zakonshëm ditari. Nëse, nisemi nga situata e përvojës personale, kurrsesi si përqasje qëllimore, por vetëm në kontekstin përkujtues, si dhe të atmosferës së ankthit të përjetuar, në një kuptim të ngushtë të sjell në mend librin “Reportazh me litar në grykë”, të Julius Fucik. Megjithatë, bazuar në hapësirën e tekstit, të secilës datë, të 55 ditëve të ditarit, në faqet e librit ndeshesh me një situatë më të zgjeruar, përjetimi dhe informacioni, që e tejkalon shenjëzimin e ditarit.

Në aspektin sipërfaqësor, forma e ditarit, ka të dhëna më të shkurtra, pa shumë komente dhe informacion, kurse në këtë libër ndeshim në disa raste në shtjellime më të ndërlikuara, më të pasura me detaje dhe shqyrtime, mbi pandeminë dhe gjendjen që ka krijuar kjo flamë e zezë në jetën e qenies njerëzore. Pra, gjatësia e shënimeve të ditarit, për secilën ditë të pranisë së lëngatës prej Koronavirusit, e veçmas problematikat e shpalosura, në bindjen time, përgjithësisht e tejkalojnë dhe zgjerojnë formën ligjërimore të ditarit, gjë që është bërë me vetëdije nga autori, për ta ndarë me lexuesin si një përvojë të plotë, në të gjithë përmasat e veta, si vuajtje, sakrificë dhe dije e fituar, në ditët e makthit.

Rrokja e problematikave të ndryshme, të përballjes me Koronavirusin, të individëve dhe të shoqërisë me këtë plagomë, si dhe për rolin e madh që kanë luajtur institucionet shëndetësore, për t’i ardhur në ndihmë pacientëve të prekur nga virusi, ku sipas autorit, të shprehur disa herë në librin Ditari, kanë qenë të suksesshëm, ndonëse përvoja të tjera, të pacientëve të ndryshëm, në jo pak raste e vënë në dyshim, por mbi librin ka vlerë ajo që pohon autori, si përvojë personale, që përshkon 55 ditë të sëmundjes dhe përpjekjeve të personelit shëndetësor për ta nxjerrë nga tuneli i Covid-19.

Po kaq, vlerësimet dhe konsideratat e shumta për personelin shëndetësor, i japin një frymëmarrje tjetër, ku bashkëlidhen narrativa dhe informacioni, të ligjërimit në formën e ditarit. Në tekstin e ditarit, shpeshherë gjendemi edhe përballë konsideratash mbi llojet e ilaçeve, si dhe të efekteve parësore dhe dytësore, që gati-gati e kapërcejnë shkallën e përjetimit. Po kaq, një hapësirë të përfillshme zë edhe komunikimi me mjedisin shoqëror, si nevojë dhe shenjë e përkujdesjes së miqve dhe shoqërisë.

Të gjitha këto elemente, të shtuara në hapësirën e ditarit, si nivel informacioni, të fusin në ngasjen se hapësira e tekstit, bart pak më shumë se përjetimi që ngërthen dhe shpalos forma ligjërimore e ditarit. Shtesa ose zgjerimi, lidhet me aktin e rrëfimit, të narrativës specifike të përdorur në sendërtimin e tipologjisë së ditarit, pra autori është edhe protagonist, njëherazi edhe rrëfimtar, madje një rrëfimtar që identifikohet hapur, me fatin e hidhur personal, të bashkëlidhur më fatin e qenies njerëzore. Kuptohet se narrativa e dëshmisë, pavarësisht emocioneve, që përcjell, e ka vlerën te përçimi i realitetit jetësor, në shënjimin e gjendjeve konkrete, personale dhe më gjerë.

Pra, është një ditar që nëpërmjet narrativës së dëshmisë dhe shpeshherë edhe të analizës së gjerë, sendërton përvojën personale, që në një kuptim, të rrëfimit të lirë si dëshmi, jo si krahasim tekstesh kurrsesi, të përkujton prozën e P. Markos, rrëfimet dhe rrëfenjat e shkurtra, të botuara në vitet ’30, në shtypin e kohës, atë pjesë të prozës, e cila lidhet ngushtësisht me jetën reale. Libri Ditari i përballjes me Koronavirusin, shënjon edhe praninë e rrëfimit, duke u bërë kështu, një libër sinkretik, ditar dhe rrëfim, që të fton për të njohur përvojën personale, por njëherazi shënon edhe një shqyrtim të marrëdhënies individuale dhe shoqërore me pandeminë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar të dielën për…