Shenjtëria e idealit kombëtar dhe fetar në figurën e Myderriz Haki Efendiut

22 dhjetor 2017 | 10:27

Izmi Zeka

Ndonëse historia jonë kombëtare është e pasur, ende ka figura të patrajtuara si duhet, të pavendosura në vendin meritor të historiografisë sonë kombëtare. Nga ky vështrim historik, shkasi më shtyri t’ia bëj një analizë librit të rëndësishëm për njërin nga intelektualët dhe hoxhallarët e gjysmës së parë të shekullit XX, Myderriz Haki Efendiun.
Libri i shkruar nga mr. Aliriza Selmani dhe Hafiz Avni Aliu paraqet tërë jetën dhe veprimtarinë e këtij personaliteti qoftë fetar, intelektual dhe kontributin e tij kombëtar.

Libri “Myderriz Haki Efendiu” ka 436 faqe dhe XX kapituj. Po ta shikojmë librin në tërësi, shohim se kemi të bëjmë me një shpërfaqje interesante të veprimtarisë së njërit prej figurave të Pellgut të Moravës, që bëri përpjekje titanike për lirinë e atdheut dhe të fesë në tërësi.
Myderriz Haki Efendiu mund të klasifikohet si hoxhë përparimtar, intelektual i devotshëm, atdhetar deri në flijim dhe erudit i përmasave përtej shqiptare. Mund të krahasohet me shumë intelektualë të shekullit XIX e tutje, për nivelin intelektual, por edhe për vizionin që kishte për të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan.

Ai vazhdoi denjësisht rrugën e rilindësve, si hoxhë Hasan Tahsini, Ymer Prizreni, Hasan Prishtina, deri tek atdhetari i përmasave të mëdha Mulla Idriz Gjilani.
Libri për Myderriz Haki Efendiun fillon me parathënien e autorëve ku ndër të tjera shkruhet “Jeta intelektuale e patriotike e Haki Myderrizit është e lidhur ngushtë me jetën e një veprimtari të guximshëm për liri, përparim e bashkim kombëtar…”
Ky personalitet i takon plejadës së luftëtarëve, që kishin frymën e rilindësve, të atyre që morën pjesë në lëvizjen për çlirim dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Nga kjo pjesë e parathënies mund të përafrohemi edhe te libri, se çka do të përfshij në tërësinë e tij për Myderriz Haki Efendiun.
Ky personalitet do të jetë katalizator i një perceptimi të ri, i ideuar nga pararendësit e tij, që nga Rilindja Kombëtare e deri në kohën mes dy luftërave botërore. Duke rrumbullakuar kohën dhe jetën e Myderrizit, mund të vijmë në përfundim se Myderrizi në aspektin profesional ishte tejet i përgatitur. Mirëpo pjesa më qenësore e tij ishte niveli prej një atdhetari, që për kohën së cilës i përkiste i kalonte suazat e nivelit të Kosovës… Pra, për t’u shprehur në trajtën më përmbledhëse, kemi të bëjmë me një figurë shumëdimensionale, që i shpërtheu tabutë, si në aspektin fetar, po ashtu edhe për formatin intelektual.

Libri “Myderriz Haki Efendia” ose monografia për figurën e tij është e mbrujtur nga faktet, argumentet dhe arkiva të shumta, ngase autorët e librit theksojnë: “Jemi mbështetur në dokumentacionin e pabotuar burimor, që ruhet në arkivin e Kosovës – fondet: Gjyqi i Qarkut në Gjilan – penalja; gjyqi paqetues, kurse në AQSH fondi: Komuniteti Mysliman, arkivi ndërkomunal në Gjilan – fondi: Këshilli i Rrethit në Gjilan; Informata me shkrim dhe me gojë, shënime memoriale, kujtime të ish nxënësve, deklarata të pjesëmarrësve të ngjarjeve, shënime stenografike, literaturë e botuar historike e fetare, shtypi i kohës, etj.

Pra, kemi të bëjmë me një monografi të shkruar profesionalisht dhe të bazuar në fakte, qoftë historike a gojore, ose arkivore, që e bëjnë librin për Myderrizin një vepër të shkruar mjaftë mirë, dhe i japin frymë shkencore deri në imtësi figurës polidimensionale të Myderriz Haki Efendisë. Autorët kanë arritur pikëpjekjen shkencore me atë historike, duke iu përmbajtur kriterit profesional, dhe duke i dhënë lexuesit një vepër të rëndësishme historike, por edhe shfaqje të mjeshtërisë së shtjellimit përmes figurës së Myderrizit në kontekstin e ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj.

Lexuesi i vëmendshëm në monografinë “Myderriz Haki Efendia” mund t’i shohë ngjarjet e gjysmës së parë të shekullit XX, përpjekje e shqiptarëve për të qenë të lirë, në emër të Luftës Antifashiste, por edhe pjesën tjetër të popullit të cilët e shihnin vetën të mashtruar, duke u përpjekur për të gjetur rrugë tjetër për bashkim kombëtar. Në kapitullin e tretë në pjesën “Shkollimi i Haki Taibit në medresenë “Meddah” të Shkupit, paraqitet një përshkrim i detajuar i kësaj medreseje, kur ndër të tjera theksohet kontributi i intelektualit dhe kryepredikuesit Mulla Idriz Gjilani.

Autorët shkruajnë: Prandaj roli i tij (fjala është për Mulla Idriz Gjilanin) do të jetë i madh për krijimin e personalitetit revolucionar e patriotik të Hakiut. Mulla Idriz Gjilani, i cili e njihte mirë karakterin e punës së medresesë “Meddah”, veprimtarin dhe patriotin e shquar, drejtorin e saj Ataullahef. Kurtishi, si dhe duke e njohur që më parë dëshirën e flaktë të mikut të shpirtit, arsimdashësin e patriotin Taip Sali Doshi, do t’i sugjerojë që të birin e vet, Hakiun ta regjistrojë në medresenë Meddah të Shkupit. Kjo ishte prej medreseve më të njohura, por çka është e rëndësishme, në këtë shkollë fetare kishin studiuar shumë personalitete të njohura fetare e intelektuale.

Myderriz Haki Efendiu regjistrohet në këtë medrese në vitet 1927/28. Kjo medrese nxori tre breza prej 56 nxënësish, që më vonë, të shumtët prej tyre do të jenë njerëz me ndikim në rrethet e tyre.
Nga shënimet që ekzistojnë janë këta emra, ku thuhet se brezi i parë ka pasur këta nxënës: Fetah Efendia, Mehmet Effendi Raqipi, Hafiz Nexhatia Efendia, Hafiz Sadullah Efendia, Shaban Efendia dhe Selim Efendia.

Në brezin e dytë figurojnë këta nxënës: Ferat Efendia, Hafiz Mustafë Efendia, Hasan Efendia, Haki (Taip) Salihu-Sermaxhaj, Hafiz Hasan Efendia, Hafiz Abdurrahim Efendia, Idris Efendia, Osman Efendia, Hafiz Kadri Efendia, Hafiz Hamdi Efendia dhe Hysejn Efendia.
Kurse në brezit të tretë i përkasin këta nxënës: Xhemajl Efendia Nekushtak-Kumanovë, Qemal Efendia-Çegran-Gostivar, Ramadan Efendia, Sali Efendia, Hafiz Sami Efendia dhe Hafiz Beqir Sadak Efendia, i cili ka vdekur në Stamboll.

Autorët e monografisë arrijnë që të vjelin fakte të konsiderueshme të këtyre brezave, që më vonë u bënë prijatarë në dy komponentë: për ngritjen intelektuale si dhe fetare e atdhetare. Këta nxënës, në mesin e tyre ishte dhe Myderriz Haki Efendia, u pajisën me njohuri të përgjithshme fetare, por po aq dhe shkencore, gjë që mundësuan të shkollohen edhe kuadro të tjerë nëpër shkollat fetare, të cilat i hapën po këta nxënës, që u shkolluan në medresenë Meddah të Shkupit.

Ataullah Ef. Kurtishi për të dëshmuar shkallën e atdhetarisë e ilustron kjo thënie e tij e shkruar: “Mos më daltë shpirti pa e parë flamurin shqiptar duke valuar në kalanë e Shkupit!”
Profesori Kurtishi që ishte drejtor i medresesë “Meddah”, ishte i pajisur me njohuri universale e shkencore, por e veçanta e tij ishte predikimi fetar dhe kombëtar. Dhe jo rastësisht prej kësaj shkolle kanë dalë kuadro jashtëzakonisht të përgatitur në mësimin fetar, por dhe atdhetar. Kjo që bëri profesor Kurtishi në medresen “Meddah”, kishte hapur kaptinë të re për ngritjen dhe zhvillimin e drejtë të kuadrove që studiuan në medrese.

Më 1937, Ataullah Ef. Kurtishi në xhaminë e Sulltan Muratit, me punën e tij të përkushtuar, 12-vjeçare për edukimin e kuadrit në medresenë “Meddah”, do të shpërndajë diploma në shenjë të suksesit të shkëlqyeshëm personave si: Haki Ef. Sermaxhaj, Fetah Rauf Ef., etj. Pra, Haki Efendi Sermaxhaj nxënës i shkëlqyeshëm, del nga medreseja si njëri nga kuadrot tejmase i përgatitur për sfidat e jetës, në një kohë kur ishte e paqartë perspektiva shqiptare, por njëkohësisht hapërimi i tij në prag të fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Kapitulli i katërt fillon me një thënie të Haki Myderrizit:
“Qëndro ku i ke rrënjët, aty peshon më rëndë”.
Myderrizi edhe sa ishte student kishte angazhim të veçantë për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi.
Jugosllavia e Versajës kishte vënë në shërbim planin famëkeq të “Naçertanie-s”, i cili planifikonte spastrimin e shqiptarëve nga tokat e tyre arbërore. Këtë fakt Haki Efendiu e kishte të qartë, andaj përpjekjet e tija konsistonin për kryerje të studimeve… Megjithatë, krahas atij përkushtimi pasonte angazhimi tejet brengosës, që të pengohej realizimi i atij plani famëkeq i vitit 1844.
Shpeshherë nëpër odat tona e në gojëdhënat e njerëzve, për këtë madje është shkruar se gjatë shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, hoxhallarët patën rol të paqartë dhe në kundërshtim me interesat kombëtare.

Një qëndrim të tillë të hoxhallarëve tanë, autorët në mënyrë të tërthortë, pothuajse e hedhin poshtë, duke dhënë argumente të mjaftueshme, se që nga Rilinda Kombëtare e këtej, në veçanti prej vitit 1937, një numër i hoxhallarëve të shkolluar në medresetë e Shkupit, dhe jo vetëm të Shkupit, dhanë kontribut të mirë për pengimin e kësaj dukurie namëkeqe për shqiptarët e Kosovës në veçanti, por pothuajse për tërë etninë shqiptare e Ballkanin në përgjithësi.

Autorët përmendin edhe hoxhallarët atdhetarët nderuar, siç ishin Haxhi Mulla Zeka,Ymer Effendi Prizreni, Rexhep Effendi Voka,Imam Vehbi Dibra, Hoxha Kadriu, Mulla Idris Gjilani, Haki Myderrizi, Mulla Ymer Berisha, Mulla Kadri Rashiti, Mulla Sylë Smira e shumë të tjerë, të cilët me angazhimin e tyre bënë që të pengohej shpërngulja masive, që e kishte planifikuar mirë pushteti i egër serb në dokumentin e Naçertanie-s, sipas planit famëkeq të V. Çubrilloviqit.

Këta burra të mëdhenj nëpër oda, xhami e vende të tjera të frekuentuara më njerëz rëndom apelonin, thërrisnin që të mos i lëshojnë vatrat stërgjyshore, tokën e të parëve, etj., duke përsëritur moton e profetit Muhamedit a. s.: “Dashuria ndaj vatanit është pjesë e imanit” Se sa e si sinkronizohet aspekti fetar me atë atdhetar flet shumë dhe thënia e hoxhallarëve:gjithsesi duhet ruajtur dhe kultivuar traditën, vendin dhe, mbi të gjitha të mos braktisen trojet stërgjyshore. Kjo thënie, që për mendimin tim është e Pejgamberit a. s., gjithsesi përkon edhe me parimet biblike…

Po ashtu, vinte në sprovë edhe momentin e përdorimit të saj, lë të kuptohet dhe të çmohet angazhimi konkret i klerit mysliman në përballjet ndaj një të keqeje, çfarë po i ndodhte popullit shqiptar, që në mënyrë të saktë dhe të planifikuar e kishte projektuar Mbretëria e Jugosllavisë, përkatësisht serbët.
Thënie profetike është ajo e Mulla Idris Gjilanit nga Velekinca: “s’ka fe pa atdhe”. Nga ky shikim mund të vijmë në përfundim, se kjo plejadë e hoxhallarëve, që nga Haxhi Zeka e deri te Haki Efendia, paraqesin tërësinë e mendimit politik si një përçuesi vijës atdhetare të Rilindjes Kombëtare Shqiptare të rilindësve tanë.

Në kapitullin e V-të autorët përshkruajnë hyrjen e trupave gjermane në Gjilan, në prillin e vitit 1941. Vlen për t’u theksuar, se më këtë rast, siç shkruajnë autorët, ishte një ndjenjë e veçantë te popullata shqiptare, sepse vlerësohej si u erdhi një lloj lirie më e madhe, krahasuar me robërinë serbe, por po ashtu,edhe për shkakun e rrëzimit të Jugosllavisë mbretërore, pengimi i elaboratit të Vasa Çubrilloviqit për shpërngulen e shqiptarëve. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka nënshkruar sot vendimin që Pallati…