Shënohet Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes

10 shtator 2025 | 10:57

Me moton “Ndryshimi i perceptimit mbi vetëvrasjen”, sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes, e cila ka për qëllim përfshirjen e individëve, komunitetit, organizatave dhe qeverive në biseda të hapura dhe të sinqerta rreth vetëvrasjes dhe sjelljes vetëvrasëse.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vetëvrasja është një problem serioz i shëndetit publik, që ka pasoja të thella sociale, emocionale dhe ekonomike. Aktualisht, në mbarë botën regjistrohen mbi 700,000 vetëvrasje çdo vit, ku çdo vetëvrasje prek thellësisht shumë njerëz në mënyra të ndryshme.

“Ndryshimi i perceptimit mbi vetëvrasjen është i domosdoshëm për të tejkaluar barrierat e heshtjes dhe mungesës së mirëkuptimit. Kjo kërkon kalimin drejt një kulture hapjeje, empatie dhe mbështetjeje të ndërsjellë. Përmes ndërgjegjësimit dhe krijimit të kulturave më të forta mbështetëse, mund të parandalohen shumë tragjedi”, ka njoftuar ky institut.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2021, në Kosovë janë regjistruar 19 vdekje nga vetëlëndimi i qëllimshëm, prej të cilave 16 janë meshkuj dhe 3 femra.

Vetëvrasja është një sfidë globale që kërkon reagim të shpejtë dhe të koordinuar. Me ndërhyrje të bazuara në dëshmi, shpesh me kosto të ulët, vetëvrasjet mund të parandalohen.

Andaj, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe organizatave që të jenë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për parandalimin e vetëvrasjes. Ndihma është gjithmonë e mundshme, askush nuk duhet të përballet vetëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, bashkë…