
Shkatërrimi i mbishkrimeve mbi varre synon zhdukjen e dëshmive të emancipimit të një populli
Nga: Agron Islami
Gurët me mbishkrime, mbi varre, nga epigrafia njihen me termin epitaf, një shprehje që vjen nga greqishtja e vjetër dhe që, pra, ka kuptimin e mbishkrimit mbi një gurë varri. Si të tillë janë pjesë përbërës e kulturës identitare të popujve me kulturë dhe civilizim. Njëherësh, këto monumente epigrafike përmbajnë informacione me vlerë të veçantë për shkencat e skulpturës, epigrafisë, gjuhësisë, historisë, gjeografisë dhe artit, vlerë e cila ishte kuptuar mjaftë mirë edhe nga studiuesit dhe atdhetarët e dëshmuar shqiptarë të periudhës pas-osmane, siç është rasti me Lumo Skendon (Mit’hat Frashërin) i cili drejtoi revistën Dituria dhe pothuajse në çdo numër bënte ftesë për mbledhjen e argumenteve të shkruara që shpërfaqin kulturën dhe traditën shqiptare – siç është rasti në thirrjen e tij publike në numrin e datës 1 qershor 1927, ku ndër të tjera ka shkruar: Besojmë se në Shqipëri do të ketë mjaft shkrime me germa tyrqishte, të shpëtuara prej duhivet të ndryshme. Sa pa u ç-dukur krejt, do të ishte mirë sikur të kujdeso hëshim dhe t’i mështiellim, t’i kopiojmë në formët origjinale të tyre dhe duke i transkriptuar.
Dëshirën për tu njohur me thesarin e shkrimeve të skalitura në gurë, e shprehu edhe Mitrush Kuteli, i cili pas një vizite që i kishte bërë Prizrenit, më 1943, ka shkruar: ... Do dëshiroja fort te lexoj mbishkrimet, me nj ‘ato fantastike paleografi arabe, qe asnjë nga alfabetet e ngurta evropiane nuk mund t’iu ofrohet nga bukuria. Po nuk di, dhe jam i dëshpëruar se ndofta nuk do di kurrë. Megjithëkëtë me pëlqen t’i vështroj e t’i prek me gishtërinj. Sepse me duket se kur i prek me gishtërinj këto vepra te artit skulptural, i ofrohesh shpirtit te artistit …
Një studiues i huaj i shekullit XX ka shkruar se lejimi i shkatërrimit të gurëve mbi varre nënkupton një barbarizëm i cili për synim ka zhdukjen e të kaluarës së një populli.
Vlera historike e këtyre gurëve të varreve me mbishkrim osman, në trevat shqiptare, dëshmon për një kulturë të shtresuar urbane të banorëve të qytetit. Njëherësh, shpërfaq edhe emancipimin dhe edukimin e shoqërisë, meqë epitafet lidhen pikërisht me njohjen e shkrim-leximit. Referuar gjetjeve në teren të profesorit nga Universiteti i Harvardit, Andrea Hercher – i cili ka deshifruar mbishkrimin e gurit të varrit të gjetur në oborrin e xhamisë së Gazi Ali Beut në Vushtrri (gurë që sot nuk ekziston, fatkeqësisht), i cili mbante vitin 1410 – nënkupton se kultura e të shkruarit në gur përbën një epokë të artë të këtij arti të shkrimit, i cili në vete shpërfaq shumë argumente historike të popullit shqiptar.
Janë epitafet e personaliteteve shqiptare që nxjerrin në pah të dhëna me interes për historishkrimin e biografive të këtyre figurave. Vjen fjala për epitafin e patriotit Haxhi Zeka, i cili ishte pjesëmarrës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – që sot gjendet në listën e monumenteve të trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme – apo të Kryetarit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizrenit, të cilat ofrojnë informacion bazik për biografitë e tyre.
Një epitaf tjetër është ai i Nazim Gafurrit, ku ofrohen informacione për vdekjen e tij nga atentati që iu kurdis në vitin 1928.
Janë varret e muhaxhirëve shqiptarë të cilët në epitafet e më të dashurve të tyre gjejnë mundësi për të skalitur emrat e vendlindjes së tyre – nga ku u shpërngulën dhunshëm nga ana e pushtetit të Serbisë së re më 1878.
Epitafet ekzistuese në trevat shqiptare janë vazhdimësi e një tradite të lashtë të popullit shqiptar, të cilat për çdo ditë e më shumë po dalin në sipërfaqe si dëshmi e një kulture dhe qytetërimi që është zhvilluar në këto anë gjatë civilizimeve të ndryshme – duke filluar nga ai romak, bizantin e osman. Andaj, ruajtja e këtyre monumenteve të kulturës sonë është detyrë parësore e çdo qytetari të ndërgjegjshëm, teksa thyerja, dëmtimi dhe tendenca për zhdukjen e tyre, shpërfaq injorancën e thellë të gjeneratave tona karshi të parëve tanë të cilët ditën ta kultivojnë kulturën e ngritjes së këtyre monumenteve që flasin për historinë e këtij populli.