
Shkelje e rëndë e prezumimit të pafajësisë nga deputeti Sveçla!
Reagim i KMDLNj-së
Në një aksion të përbashkët të Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë në Prizren u arrestuan 4 persona të dyshuar për vepra penale e që ndaj tyre u vendos masa e ndalimit policor 48 orësh.
KMDLNj-ja ishte informuar se në mesin e të arrestuarve ishte edhe kolonel Nexhmi Krasniqi, drejtor i Qendrës Rajonale kufitare në Prizren. Në ndërkohë, deputeti i Kuvendit të Kosovës i cili ka uzurpuar postin e ministrit për Punë të Brendshme, Xhelal Sveçla, recidivist i përpjekjeve për përvetësim të meritave që as që i takojnë e as që ia lejon mandati i tanishëm, doli me një deklaratë për media që paraqet ndërhyrje brutale në punët e policisë , prokurorisë dhe gjykatës duke paragjykuar parimin e prezumimit të pafajësisë me pohimin se: “në Policinë e Kosovës nuk do të kenë vend kriminelët…” , ende pa filluar hetimet dhe pa asnjë vendim të gjykatës kompetente.
Ky deklarim paragjykues i deputetit legal dhe ministrit ilegal Xhelal Sveçla paraqet presion dhe ndërhyrje direkte në procesin e hetimeve dhe në pavarësinë e gjyqësorit. Askush nuk mund të shpallet fajtor pa një vendim të formës së prerë të gjykatës përkatëse sikur që askush nuk mund të quhet kriminel, edhe pas shqiptimit të dënimit sipas Ligjit për Ekzekutim të Sanksioneve Penale, thjesht cilësohet si i dënuar. Veprimi paragjykues i deputetit Sveçla paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut dhe minon të drejtën e të akuzuarit për një proces të drejtë, të pavarur dhe të pandikuar gjyqësorë nga politika apo grupet e interesit.
Po të ishte Kosova anëtare e Këshillit të Evropës, paragjykimi i prezumimit të pafajësisë nga deputeti legal dhe ministri ilegal Sveçla, pashmangshëm do të trajtohej nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, sigurisht në dobi të të akuzuarit. Nëse një të ndaluar e cilësoni kriminel nënkupton se e keni shpallur fajtor.
KMDLNj-ja e përkujton opinionin se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për një rast kur një ministër i Punëve të Brendshme të një shteti evropian, ka vepruar ngjashëm me deputetin Sveçla për një të akuzuar, pastaj të dënuar, ka marrë vendim lirues me arsyetimin se: “prezumimi i parimit të pafajësisë është shkelur rëndë përmes deklaratave dhe akuzave publike të ministritë në fjalë e që ka ndikuar në marrjen e vendimit dënues nga gjykata …”.
KMDLNj-ja fton të gjithë politikanët që të përmbahen nga deklaratat ndërhyrëse në punën e policisë , prokurorisë dhe gjyqësorit duke respektuar parimin kushtetues për ndarje të pushteteve , si njëra ndër shtyllat e demokracisë dhe respektimit të drejtave të njeriut. Në të kundërtën do të identifikohen si shkelës të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të personave të privuar nga liria në veçanti. Deputeti Sveçla qartazi është identifikuar si i tillë, më shumë raste.