Shkëndija në Azerbajxhan për mrekullinë e radhës

11 gusht 2025 | 12:14

Shkëndija e Tetovës mbrëmë ka mbërritur në Azerbajxhan, ku e pret ndeshja e kthimit e raundit të tretë kualifikues në Ligën e Kampionëve kundër skuadrës së Qarabagut.

Kampioni i Maqedonisë së Veriut ka parë nga afër se rivali nuk ka ndonjë epërsi të madhe në cilësi dhe do të zbresë në fushë me shpresë të madhe për një tjetër befasi dhe sukses historik. Shkëndija ka një disavantazh minimal (0-1) nga ndeshja e parë në Shkup, rezultat që mbetet plotësisht i kapshëm për skuadrën e trajnerit Jeton Beqiri.

Sigurisht, misioni nuk do të jetë i lehtë. Qarabagu është një ekip me shumë përvojë dhe me lojtarë cilësorë, por edhe Shkëndija ka adutët e saj dhe do të synojë një fitore në fushën e kundërshtarit.

Kujtojmë se tetovarët e kanë siguruar tashmë pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, por me një eliminim të mundshëm të Qarabagut, ata do të kalonin në “play-off”-in e Ligës së Kampionëve dhe në të njëjtën kohë do të siguronin pjesëmarrjen të paktën në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.

Ndeshja e kthimit mes Qarabagut dhe Shkëndijës do të luhet më 12 gusht, me fillim nga ora 20:45 në orë lokale të Azerbajxhanit, ndërsa në ora 18:00 sipas kohës tonë.

Për më tepër, Shkëndija e ka nisur në mënyrë perfekte edhe sezonin vendor, duke shënuar një fitore të thellë 5-1 ndaj Shkupit në javën e parë të kampionatit. Nga ana tjetër, kampionati në Azerbajxhan ende nuk ka filluar, gjë që do të thotë se vendasit janë më të pushuar fizikisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Punëtorët e RTK-së janë pa rroga. Tash e 11 ditë…