Shkrimtari Bashota sjell për lexuesit romanin ‘Rikthimi i Servantesit në Ulqin’

22 tetor 2025 | 11:40

Poeti, studiuesi dhe prozatori Sali Bashota vjen para lexuesit me romanin Rikthimi i Servantesit në Ulqin, i botuar nga shtëpia botuese Rea, Prishtinë, 2025. Bashota, qysh në nën­titull, këtë vepër e kategorizon si roman poetik, një lloj sintetizimi në mes të epikës dhe lirikës, por që, strukturalisht, dominantja e kësaj vepre është epika, ndërsa atributi poetik është më shumë refleksion i lirizmit të ndjeshëm, i artikuluar përmes një narrative që lidh kohëra, hapësira dhe personazhe mitike shqiptare, Dylqinja,  dhe të letërsisë së përbotshme, Servantesi, autor i kryeveprës Don Kishoti i Mançës.
Në fakt, titulli i romanit vjen si jehonë (intertekstuale) e letërsisë së Rilindjes evropiane, në frymën e antiromanit, por kjo është vetëm një gjetje novatore, prej nga nis rrëfimi brilant i Bashotës.
Rikthimi i Servantesit në Ulqin është strukturuar në tridhjetë e tri rrëfime në trajtë ëndrrash, pothuaj me status tregimesh të lidhura në një temë bosht, që sistematikisht nyjëtojnë të tashmen e personazhit me të kaluarën e tij, gjithnjë prej perspektivës retro, intro, herë-herë edhe prospektive.
Përbrenda kësaj strukture unike, si një prolog qëndron shpallja e ditës së rikthimit të Servantesit përmes rrëfimeve të Ar Ulkut, një narrator simbiotik dhe personazh simbolik.
Në romanin e Bashotës, Servantesi, pas viteve të robërisë, rikthehet në Ulqin për të kërkuar dorëshkrimin e humbur, që kishte shkruar si rob lufte në kalanë e Ulqinit. Duke pasur referencë imagjinare rrëfimin e Ar Ulkut, Servantesi i Bashotës nuk u kthye për t’u hakmarrë, as për lavdinë e humbur, por për dashurinë ndaj letrave, që e vë përballë dashurisë së Dulqinjes, madje edhe miteve e gojëdhënave shqiptare.
Përtej kësaj, Servantesi i Bashotës është edhe një rrëfim i strukturuar mbi narrativat e mëdha historike dhe rrëfenjat e vogla simboliste, mbi të gjitha mbi (hipo)tezat që lëkunden në mes fakteve dhe fiksioneve të mbushura me situata, dialogë, monologë, alegori, ironi e antiteza. Ndaj, kur situatat kanë karakter lirik, metonimia ia lë vendin metaforës, e epiku-lirikut.
Përbrenda këtij romani, si urë lidhëse funksionojnë nëntë intermexo me karakter prirës e informues, njëkohësisht evokues e parashikues.
Rikthimi i Servantesit në Ulqin është roman sintetizues: sintezë e formave letrare, sintezë e kodeve kulturore, sintezë e fakteve historike dhe e kërkimeve simbolike. Kur këto të fundit shpërfaqen përbrenda linjës a linjave fabulare, atëherë loja me simbolet letrare e mitike shpërbehet nëpër simbologjinë e numrave mitikë e mistikë, religjiozë e letrarë; ndaj janë të menduara mirë tridhjetë e tri rrëfime dhe nëntë intermexo.
Përveç rrëfimit e përshkrimit si përbërës të literaritetit, herë pas here rrëfimi zhvishet nga mjegullat simbolike, dhe që atëherë faktet ngrenë krye, qoftë përmes kohës objektive, hapësirës reale, toponimisë autentike dhe, sidomos, nominimeve etnike.
Servantesi i Bashotës është roman eruditiv, i shkruar nga një autor kërkues e gërmues i kujtesës kulturore, tamam si një arkeolog pasionant, që pa nda jo vetëm që zbulon, por edhe gdhend kujtesën historike e letrare, duke e kthyer autorin e madh, Servantesin, për herë të parë në letrat shqipe, njëkohësisht si persona litteraria e persona historica.
Pas dhjetëra veprave letrare e artistike, si: prozë poetike, poezi, studime letrare, Rikthimi i Servantesit në Ulqin është romani i parë i Sali Bashotës dhe ka 170 faqe.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
(Radio Evropa e Lirë) Belgjika ka shprehur interesim për t’i…