
Shpërndahen 5 krerë gjedhe për fermerët e Komunës së Gjilanit
Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit në mes Komunës së Gjilanit, gjegjësisht, Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari dhe Shkollës së Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Sahit Baftiu”, u shpërndanë 5 krerë gjedhe për fermerët e Komunës së Gjilanit.
Drejtori i Bujqësisë, Bajram Isufi, tha këto gjedhe janë të racës Simental, një racë e pastër qumështore, e njohur për prodhimtarinë e lartë dhe cilësinë e shkëlqyer të qumështit.
Ai falënderoi drejtuesit dhe stafin e shkollës “Sahit Baftiu” për këtë kontribut të çmuar dhe bashkëpunimin e sinqertë. Gjithashtu, një falënderim i veçantë për kryetarin e Komunës, Alban Hyseni, për mbështetjen e vazhdueshme në projektet që forcojnë sektorin e bujqësisë.
“Uroj që këto gjedhe fermerëve tanë t’u sjellin mbarësi, prodhim të bollshëm dhe përfitime të mira, duke kontribuar kështu në rritjen e prodhimit vendor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në Gjilan”, tha drejtori i Bujqësisë, Bajram Isufi.