
‘Shpërthen’ toka në të dyja anët e dy pllakave tektonike në Mianmar
Pamje të tmerrshme kanë dalë nga tërmeti i marsit në Mianmar, të cilat tregojnë tokën duke rrëshqitur fjalë për fjalë në të dyja anët e dy pllakave tektonike.
Videoja rrëqethëse e postuar fillimisht në Facebook, u kap nga një kamera sigurie në jug të Mandalay, qytetit të dytë më të madh të Mianmarit, transmeton Telegrafi.
Fillimisht, videoja e filmuar në orën 12:46 të mesditës sipas orës lokale më 28 mars – duket si pamje e zakonshme nga një pronë private.
Por rreth 10 sekonda më vonë, këndvështrimi fillon të dridhet lart e poshtë, bimët përplasen me shpejtësi dhe porta fillon të rrëshqasë para dhe mbrapa.
Pastaj, rreth 14 sekonda më vonë, e gjithë rruga e hyrjes fillon të lëvizë përpara në krahasim me tokën përtej, si një lloj karroce e tmerrshme në panair.
Wendy Bohon, një gjeologe e tërmeteve dhe komunikuese shkencore në Kaliforni, tha se ‘nofulla iu shtang’ kur pa pamjet nga përgjatë vijës së çarjes.
“Ne kemi modele kompjuterike të tij, kemi modele laboratorike, por të gjitha këto janë shumë më pak komplekse sesa sistemi natyror aktual. Pra, ta shihje duke ndodhur vërtet ishte mahnitëse”, tha ajo për CBS News.
John Vidale, një sizmolog në Universitetin Dornsife të Kalifornisë, tha se nuk njeh asnjë video tjetër që tregon një të ashtuquajtur ‘çarje të tokës’.
“Është vërtet shqetësuese,” tha profesor Vidale për Live Science.
Pamjet u kapën nga një kamera sigurie në impiantin e energjisë diellore Tha Pyay Wa të GP Energy Myanmar, pak në jug të Mandalay.
Një llogari e quajtur 2025 Sagaing Earthquake Archive, e gjeti videon në Facebook dhe e ngarkoi atë në faqen e tyre në YouTube.
Edhe pse nuk vihet re lehtë, ngjarja e ‘çarjes së sipërfaqes’ shihet më mirë duke mbajtur sytë përtej portës në të djathtë të fotografisë.
Ndarja e rrugës së hyrjes dhe rrugës përtej është vija e çarjes – kufiri ku takohen dy pllaka tektonike.
Kur goditi tërmeti me magnitudë 7.7, toka u zhvendos deri në 6 metra, sipas 2025 Sagaing Earthquake Archive.
Ky është rasti i parë dhe aktualisht i vetëm i njohur i një lëvizjeje të vijës së çarjes që kapet në kamera, thuhet në faqe.