
Shpërthim i fuqishëm në Kaçanik- lëndohet një person
Në afërsi të një pompe derivatesh në fshatin Nikaj ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm ku si pasojë ka mbetur i lënduar një person. Shpërthimi ka ndodhur mesditën e sotme në një fabrikë për mbushje të bombolave të oksigjenit. Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për Insajderi se dyshohet që shpërthimi është shkaktuar nga një bombol gazi.
“Sot rreth orës 11:40, jemi njoftuar se në afërsi të një pompës së derivateve në rrugën magjistrale, Kaçanik – Ferizaj, në fshatin Nikaj ka ndodhur një eksplodim, dyshohet bombol e gasit. Janë njoftuar edhe shërbimet emergjente mjekësore dhe njësia e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në këtë rast një person është i lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në fabrikën për mbushje të bombolave të oksigjenit. Personi i lënduar pas ndihmës së parë në Kaçanik është dërguar në QKUK-Prishtinë. Për momentin, njësitet policore dhe ekipet relevante ndodhen në vendngjarje dhe po ndërmarrin veprimet hetimore dhe të sigurisë për ndriçimin e plotë të rastit. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit”, tha Veseli.