SHQETËSIMET POETIKE…

31 janar 2019 | 11:32

Këndvështrim

Dr.Flora Brovina

(Bilall Maliqi, “Në prehrin e ëndrrës” (poezi), sh.b. “Lena” Prishtinë, 2019, faqe 88)

Sa herë që e takoj poetin Bilall Maliqi, kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës “Feniks”, kujtoj mikun tim, krijuesin e po kësaj ane, kur në rininë tonë udhëhiqnim grupin letrar në shkollën normale dhe unë në gjimnazin e qytetit të Prishtinës, dhe këmbenim vizitat, orët letrare, poezitë, pra, kujtoj poetin e pavdekshëm të Luginës, Qerim Arifin, udhën e së cilit po e udhëheq edhe Bilall Maliqi.

Por edhe poeten e parë shqiptare të kësaj ane të atdheut, që botoi libër me poezi, mësuesen e mirënjohur Sadete Emrullahu Presheva.

Megjithatë ky shkrim i kushtohet Poetit (me shkronja të mëdha) Bilall Maliqi, sepse pata kënaqësinë ta lexoj si një libër i veçantë që më solli shumë emocione dhe emocione, jo vetëm artistike, por edhe emocione shumë mbresëlënëse prej poeti, që përcjell kohën reale të dhembjes dhe mos mundësisë.

E krahasova me një shkrim të lexuar, kur malli dhe etja krahasohen me dhembjen e gruas qe nuk ka lindur, e që këtë dhimbje e ndjen më shumë toka kur i afrohet shkretëtira.

Ai e ndjen, e sheh me sy këtë shkretëtirë afër Luginës, e ka pa që nga Molla e Kuqe, Nishi, Leskoci, Vraja, Pazari i Ri, Peshteri e viset të tjera, e sheh Medvegjën që po zbrazet edhe reagon me ethe.

Në prag të pesëdhjetë vjetorit të lindjes, është i shqetësuar, çfarë  bëri e nuk bëri për ekzistencën e qenies së vet, për qëndrimin e vet, ku gaboi në pritje, pse nuk foli zëshëm ta ndalë këtë furtunë, këtë të keqe.

Unifikohet me tokën, se aty janë varret e të parëve, aty është harrimi i një kohe për të cilën nuk flitet, gjenocidi ndaj popullit, janë plagët e pashëruara dhe lotët e patharë, dhe kjo ndodhë edhe sot, pesëdhjetë vite jetë të autorit, kur prapë ka çizme e tela, trishtime e shpërngulje, kur ka matje kufijsh, dhimbja sa vjen e shtohet, është dhembje syshkyer, dhimbje anginoze, dhimbje e tokës së djerrë dhe të harruar.

Këtë situatë, këto emocione askush si Bilall Maliqi nuk i ndien, askush nuk t’i përcjell më mirë tek lexuesi. Bilalli vetë jeton në zgripcin e asaj toke, në vorbullën e këtij malli plot dhembje.

 “Ndryshe ( e)( para) mendova shpëtimin

Por ëndrra në prite na u vra”

Ka dhembje për pamundësinë e ndërrimit të gjendjes në zgripc, për gjendjen me ndjenjat gri të çastit, në të cilin, ai, poeti është i pa fuqishëm dhe nuk mund ta ndryshoj:

 “Koha zuri në cak

Perin tek e tërheqin andej dy hije”

Ose si në poezinë

“Në pikën zero”

 

“Nga ta gjejë udhën e humbur

Në mes të shkretëtirës së shkretë

Apo të kthehem në pikën zero

Të gjithësisë së udhëve

Që shtrihen kilometrave të harruara”

Kush tha se poeti nuk është Marigonë, që me lapsin e tij, të qëndisë Flamurin, kush tha se ai nuk di si një skulptor, të laton gur granitin e kësaj toke, kush tha se ai nuk ka aftësi t’i këput telat e ndarjes, t’i zgjidh nyjet e gjuhës së burgosur, kush tha se poeti nuk mundet ta vizatoj atdheun, plot dhembje e plagë, dhe t’ia falë gjysmëshekullin e jetës së vet, jetën që e jetoi.

Lexo poezitë: “Koha zuri në cak”, “Fati i shkërmoqur”
“Koka ime”, ”I dashuri atdhe”,  dhe të gjitha të tjerat pa përjashtim, që janë në harmoni të strukturës poetike, dhe të përmbajtjes.

Është ky një libër origjinal dhe i veçantë artistikisht, një emblemë e kohës, në prurjet e shumta në letërsinë shqipe, të përvitshme.

Kjo përmbledhje që Bilall Maliqi i këndon  Itakës së vet, të t’kurrur me plot dashuri dhe shpresë, se biri i saj do të vazhdojë t’i thërras Muzat edhe më tutje, për ta bërë poezinë dhe Itakën e tij të fortë, pa shkelur nga çizmja që i kërcënohet.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Teksa ministrja e re e Financave e Shqipërisë, Anila Denaj,…